Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 67
Emrat:
El-Kahir ( الْقَاهِرُ ) – Ngadhënjimtari
El-Kahhar (القَهَّارُ) – Ngadhënjimtari Absolut mbi çdo gjë
Emri “el-Kahhar” është përmendur në gjashtë vende në Kuran, kurse emri “el-Kahir” është përmendur në dy vende që të dyja rastet në Suren el-En’am. Ato janë në fjalët e Allahut të Lartësuar:
﴿وَهُوَ ٱلۡقَاهِرُ فَوۡقَ عِبَادِهِۦۚ وَهُوَ ٱلۡحَكِيمُ ٱلۡخَبِيرُ﴾
“E Ai është ‘el-Kahir’ mbi robërit e tij. Ai është i Urti dhe i Gjithëdijshmi.” El-En’am, 18
Po ashtu edhe fjala tjetër e Tij, të Lartësuarit:
﴿وَهُوَ ٱلۡقَاهِرُ فَوۡقَ عِبَادِهِۦۖ وَيُرۡسِلُ عَلَيۡكُمۡ حَفَظَةً ﴾
“E Ai është ‘el-Kahir’ sipër robërve të Tij dhe dërgon mbi ju rojtarë...” el-En’am, 61
Emri “el-Kahhar” është përmendur në shkallën sipërore dhe rrjedh nga emri “el-Kahir”. Kuptimi i këtyre dy emrave është: Ai që dominon mbi të gjitha gjërat që ekzistojnë dhe të gjitha krijesat i janë nënshtruar Atij; të gjitha materiet dhe substancat i janë përulur fuqisë dhe vullnetit të Tij qofshin ato në botën që gjendet lart apo botën që është poshtë. Kështu që, nuk ndodh diçka apo nuk qëndron diçka vetëm se me lejen e Tij; atë që do Ai, bëhet, kurse atë që nuk e do Ai, nuk bëhet. Të gjitha krijesat janë nevojtare për Allahun dhe janë të pafuqishme. Ata nuk posedojnë për veten e tyre as dëm, as dobi, nuk posedojnë as të mirën, as të keqen.
Fakti që Allahu është “el-Kahhar” nga kjo detyrimisht kuptohet se jeta e Tij është e përsosur, ngadhënjimi i Tij është dominues dhe i përhershëm dhe fuqia e Tij është perfekte.
Emri i Allahut “el-Kahhar” në të gjitha rastet që ka ardhur në Kuran, është përmendur përkrah emrave “Allah” dhe “el-Uahid.” E kjo llogaritet një nga dëshmitë për të qenët e Allahut se është Një i Vetëm dhe është një argument se vetëm Ai e meriton adhurimin dhe se ky emër e shpall të pavlefshëm shirkun dhe marrjen e ortakëve përkah Allahut.
Një ndër këto raste që është përmendur në Kuran është fjala e Tij, të Lartësuarit:
﴿قُلۡ مَن رَّبُّ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ قُلِ ٱللَّهُۚ قُلۡ أَفَٱتَّخَذۡتُم مِّن دُونِهِۦٓ أَوۡلِيَآءَ لَا يَمۡلِكُونَ لِأَنفُسِهِمۡ نَفۡعٗا وَلَا ضَرّٗاۚ قُلۡ هَلۡ يَسۡتَوِي ٱلۡأَعۡمَىٰ وَٱلۡبَصِيرُ أَمۡ هَلۡ تَسۡتَوِي ٱلظُّلُمَٰتُ وَٱلنُّورُۗ أَمۡ جَعَلُواْ لِلَّهِ شُرَكَآءَ خَلَقُواْ كَخَلۡقِهِۦ فَتَشَٰبَهَ ٱلۡخَلۡقُ عَلَيۡهِمۡۚ قُلِ ٱللَّهُ خَٰلِقُ كُلِّ شَيۡءٖ وَهُوَ ٱلۡوَٰحِدُ ٱلۡقَهَّٰرُ﴾
“Thuaj: “Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës?” Thuaj: “Allahu!” Thuaj: “A keni marrë për mbrojtës të tjerët në vend të Tij, të cilët nuk mund t’i sjellin vetes as dëm, as dobi.” Thuaj: “A janë të njëjtë i verbëri me atë që sheh? Apo a janë njësoj errësirat dhe drita? Apo ata i mveshin Allahut ortakë, të cilët ortakë krijojnë si krijimi i Tij, kështu krijimet u janë pështjelluar atyre (se cili është krijim i Allahut dhe cili është krijim i idhujve)!?” Thuaj: “Thuaj: “(Vetëm) Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi, Ngadhënjimtari!” er-Rad, 16
Ibën Sadij, Allahu e mëshiroftë, në shpjegimin e këtij ajeti duke e sqaruar këndvështrimin e emrit të Allahut “el-Kahir” për kotësinë e shirkut, ka thënë: “Vetia e të qenët unik dhe ngadhënjimtar është vetëm e Allahut, të Vetmit. Për çdo krijesë ka një krijesë tjetër mbi të që ngadhënjen kundër tij, pastaj sipër këti ngadhënjyesi ka një ngadhënjyes tjetër që është më i lartë se ai, derisa të përfundojë ky ngadhënjim tek i Vetmi, Ngadhënjyesi Absolut. Pra, ngadhënjimi dhe adhurimi vetëm për Të janë dy gjëra të përbashkëta që i takojnë vetëm Atij. Pra, me këtë argument logjik dhe mbizotërues, na bëhet e qartë se çdo gjëje tjetër që njerëzit i luten përkrah Allahut, nuk kanë krijuar ndonjë krijesë dhe për këtë arsye adhurimi që i dedikohet tjetër kujt krahas Allahut, është adhurim i kotë dhe pavërtetë.” Burimi: Tejsiru Kerimi Rahman, fq. 415
Me këtë përfundim, na bëhet e qartë ndërlidhja e Teuhidit dhe besimit me emrin e Allahut “el-Kahhar” dhe se ai që vazhdimisht pohon se Allahu është i Vetmi Ngadhënjimtar absolut, e ka detyrë që vetëm Atij t’i dedikohet me adhurim dhe përmes kësaj e kupton pavlefshmërinë e shirkut.
Si na qenka i barabartë ai që është krijuar prej dheu me Zotin e krijesave? Si t’i bëjmë të njëjta krijesat që janë të nënshtruara, me Allahun, të Vetmin dhe Ngadhënjimtarin absolut?
I lartë është Allahu nga ajo që ata i përshkruajnë shokë në adhurim dhe i Dëlirë është Allahu nga ajo që ata ia ngjesin!
Përktheu: Jeton Shasivari