Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 56

 

Emri: El-Berru (الْبَرُّ) – [Bamirësi më i Madh, Ai që jep mirësi të shumta e të vazhdueshme për të gjitha krijesat e Tij]

 

Ky emër ka ardhur në Kur`anin Fisnik në një vend të vetëm, që është Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿إِنَّا كُنَّا مِن قَبۡلُ نَدۡعُوهُۖ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلۡبَرُّ ٱلرَّحِيمُ﴾

“Ne edhe më përpara i jemi lutur Atij, se me të vërtetë që Ai është Bamirës dhe Mëshirues i Madh.” [el-Bekarah, 28]

Kuptimi i këtij emri është: Ai i Cili ka përfshirë të gjitha krijesat me mirësinë, begatinë dhe dhuntinë e Tij, ngaqë Ai i ka në dorë begatitë, Ai jep pa hesap, gjithmonë bën mirë, përherë ka qenë dhe është i cilësuar me bamirësinë dhe dhurimin, i njohur për dhënien e begative dhe mirësive, i nderon robërit duke u dhënë e dhuruar mirësi të shumta, begati të ndryshme. Nuk ka masë që mund të përkufizojë bujarinë, bamirësinë dhe fisnikërinë e Tij sepse Ai ka bujari të madhe, dhuron vazhdimisht dhe jep me bollëk.

Gjithashtu, duhet ditur këtu se Bamirësi më i Madh – i Përsosur nga çdo mangësi është Ai! – i do njerëzit që bëjnë bamirësi dhe i afron zemrat e tyre tek Ai, në varësi të bamirësisë që bëjnë ata. Ai i do veprat e bamirësisë dhe shpërblen për to duke dhënë udhëzimin, lumturinë dhe lartësimin, në dynja e në ahiret.

Bamirësia në origjinë është: zgjerimi në bërjen e veprave të bamirësisë. Ajeti më përmbledhës për cilësitë e bamirësisë është Fjala Allahut të Lartësuar:

﴿۞لَّيۡسَ ٱلۡبِرَّ أَن تُوَلُّواْ وُجُوهَكُمۡ قِبَلَ ٱلۡمَشۡرِقِ وَٱلۡمَغۡرِبِ وَلَٰكِنَّ ٱلۡبِرَّ مَنۡ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأٓخِرِ وَٱلۡمَلَٰٓئِكَةِ وَٱلۡكِتَٰبِ وَٱلنَّبِيِّ‍ۧنَ وَءَاتَى ٱلۡمَالَ عَلَىٰ حُبِّهِۦ ذَوِي ٱلۡقُرۡبَىٰ وَٱلۡيَتَٰمَىٰ وَٱلۡمَسَٰكِينَ وَٱبۡنَ ٱلسَّبِيلِ وَٱلسَّآئِلِينَ وَفِي ٱلرِّقَابِ وَأَقَامَ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتَى ٱلزَّكَوٰةَ وَٱلۡمُوفُونَ بِعَهۡدِهِمۡ إِذَا عَٰهَدُواْۖ وَٱلصَّٰبِرِينَ فِي ٱلۡبَأۡسَآءِ وَٱلضَّرَّآءِ وَحِينَ ٱلۡبَأۡسِۗ أُوْلَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ صَدَقُواْۖ وَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُتَّقُونَ﴾

“Nuk është bamirësia që ju të ktheni fytyrat tuaja në drejtim të Lindjes apo Perëndimit, porse bamirësia është e atij që beson Allahun, ditën e Kijametit, melaiket, Librat e Shenjtë dhe Profetët, që jep pasurinë – edhe pse e do atë! - për të afërmit, për jetimët, për nevojtarët, për udhëtarët që nuk vazhdojnë dot rrugën, për lypsit nevojtarë, për të çliruar ata të cilëve iu është mohuar liria, që e fal namazin, e jep zekatin, ata që e përmbushin marrëveshjen që kanë nënshkruar, ata që durojnë në varfëri dhe vështirësi dhe kur luftojnë me armiqtë; pikërisht ata janë të sinqertët (në imanin e tyre) dhe ata janë të devotshmit.” [el-Bekarah, 177]

Ka thënë gjithashtu Allahu i Lartësuar:

﴿لَن تَنَالُواْ ٱلۡبِرَّ حَتَّىٰ تُنفِقُواْ مِمَّا تُحِبُّونَۚ وَمَا تُنفِقُواْ مِن شَيۡءٖ فَإِنَّ ٱللَّهَ بِهِۦ عَلِيم﴾

“Nuk keni për ta arritur bamirësinë derisa të jepni nga ajo (pasuri) që ju e doni për vete, e nuk jepni ju ndonjë gjë, e të mos jetë Allahu i Gjithëditur për atë (që jepni).” [Aal Imran, 92]

Ka thënë Katadeh, Allahu e mëshiroftë: “Nuk keni për ta arritur bamirësinë e Zotit tuaj derisa të jepni nga ato pasuri që ju pëlqejnë juve dhe ua do epshi.” E ka transmetuar Ibën Xherir et-Taberij në Tefsirin e tij (3/666).

Allahu na frymëzoftë të gjithëve ne udhëzimin e shpirtrave tanë, na furnizoftë pa masë me fisnikërinë, mirësinë dhe bujarinë e Tij, se me të vërtetë që Ai dëgjon dhe përgjigjet.

 

Përktheu: Alban Malaj