Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 97-98
Emri: Es-Sittir (السِّتِّيرُ) [Mbuluesi i turpeve dhe i gjynaheve]
Ky emër është përmendur në hadithin e Ja’la ibën Umejjeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, të cilin e kemi përmendur më herët.
Gjithashtu e kanë transmetuar Ibën Ebi Hatim në tefsirin e tij dhe Bejhakiju në librin "es-Sunen el-Kubra" nga Ikrimeh, i cili transmeton nga Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se dy burra e pyetën atë në lidhje me kërkimin e lejes për të shkuar në shtëpitë e të tjerëve në tre kohët e ndaluara, të cilat janë përmendur në Kur'an, e Ibën Abbasi, Allahu qoftë i Kënaqur me të, i tha: “Allahu është Mbuluesi i të fshehtave dhe e do mbulimin e turpeve. Njerëzit nuk kishin dyer dhe as perde në dyert e shtepive të tyre, e mund të ndodhte që të vinte në shtëpinë e tij ndonjë burrë apo shërbëtor i tij, fëmijë i tij apo fëmijë jetim i gruas së tij, gjersa ai ishte në shtrat me gruan e tij. Kështu, Allahu i urdhëroi ata që të kërkojnë leje në këto kohë të cilat Ai i caktoi. Më pas Allahu urdhëroi që t'i vendosin këto mbulesa dhe i furnizoi ata me mirësi, e ata i vendosën këto mbulesa në shtëpitë e tyre dhe njerëzit e panë se kjo mjaftonte për të kërkuar leje para se të shkonin në shtëpitë e të tjerëve, gjë për të cilën i urdhëroi Allahu.” Këtë zinxhir e ka saktësuar Ibën Kethiri në tefsirin e tij (6/89-90).
Emri "es-Sittir" do të thotë: Ai që i mbulon shumë turpe dhe mangësi të robërve të Tij dhe nuk i turpëron publikisht; Ai i Cili do nga robërit e Tij që t’i mbulojnë gjynahet e veta të cilat i turpërojnë, i poshtërojnë dhe i shëmtojnë ata. Kjo është një prej mirësive të Allahut dhe mëshirës së Tij, është butësi dhe finsikërim nga ana e Tij, të Pastërit prej të metave.
Robi mund të bëjë ndonjë gjynah, megjithëse robi ka nevojë të madhe për Zotin e Tij, kurse Zoti nuk ua ka nevojën aspak krijesave të Tij, nuk ka nevojë për devotshmërinë dhe adhurimin e tyre, prapëseprapë Ai e nderon robin e Tij, ia mbulon gjynahet dhe Allahu ka turp që ta demaskojë atë, t’ia shpalosë gjynahet dhe ta ndëshkojë atë. Ai ia lehtëson atij marrjen e shkaqeve për mbulim të gjynaheve dhe e ndihmon që të ndjejë keqardhje dhe të pendohet; Ai e fal atë dhe e mëshiron. E gjithë kjo është nga butësia që ka ndaj krijesave dhe mëshira që ka ndaj robërve të Tij.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
﴿وَهُوَ ٱلَّذِي يَقۡبَلُ ٱلتَّوۡبَةَ عَنۡ عِبَادِهِۦ وَيَعۡفُواْ عَنِ ٱلسَّئَِّاتِ وَيَعۡلَمُ مَا تَفۡعَلُونَ﴾
“E Ai është që e pranon pendimin nga robërit e Tij, i fal të këqijat dhe e di atë që bëni ju.” Esh-Shura, 25
Për këtë arsye Ai, i Dëliri nga çdo mangësi, urren që kur robi të bëjë një mëkat, ta shpërndajë dhe t’ua tregojë atë njerëzve, por përkundrazi ai t’i lutet Allahut që ta falë. Mbulimi i mëkateve të njerëzve është rruga që zgjedh Allahu, duke mos ia shfaqur askujt prej njerëzve. Njerëzit më të urryer tek Allahu janë ata që e kalojnë natën duke bërë mëkate dhe Allahu ua ka mbuluar ato, pastaj kur zgjohen në mëngjes i shpalosin vetë ata mëkatet që Allahu ua ka mbuluar.
Transmetohet në “Dy Sahihat” nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, ﷺ duke thënë: “I gjithë ummeti im është i falur, përveç atyre që i shfaqin mëkatet e veta. Shfaqja e gjynaheve është kur njeriu bën një mëkat natën dhe Allahu ia ka mbuluar atë duke i thënë: ”O filan, dje ke bërë kështu e kështu”. Dhe atë e zë nata dhe Zoti i tij ia ka mbuluar atë mëkat, ndërsa ai kur zgjohet e shpalos atë që Allahu ia ka mbuluar.” Transmetojnë Bukhariu (6069) dhe Muslimi (2990).
Nga kjo kuptohet që duhet të mbulohen mëkatet e robërve të Allahut, të shmanget zbulimi i tyre dhe të mos gjurmojmë turpet e tyre. Transmetohet në “Dy Sahihat” nga hadithi i ibën Umerit, radijAllahu anhuma, se Pejgamberi, ﷺ ka thënë:
من ستر مُسلماً ستره الله يوم القيامة
“Ai që i mbulon gjynahet e një Muslimani, Allahu ka për t’ia mbuluar gjynahet e tij Ditën e Gjykimit.” Transmetojnë Bukhariu (2442) dhe Muslimi (2580).
O Allah, na i mbulo mangësitë dhe turpet tona! Na i fal mëkatet dhe lëshimet tona! Na e mundëso që jetën tonë ta përfundojmë me vepra të mira!
Përktheu: Abdullah Beqiri