Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 99-100
Emri: Es-Sejjid (السَّيِّدُ) [Poseduesi, Zotëruesi]
Ky është një emër që është transmetuar në hadith nga i Dërguari i Allahut ﷺ e transmeton Ebu Daudi me zinxhirë të saktë transmetimi nga Abdullah ibn esh-Shikh-khir, radijAllahu anhu, i cili thotë: “Shkova së bashku me grupin e fisit Benu 'Amir tek i Dërguari i Allahutﷺ dhe i thamë: ‘Ti je zotëria ynë!’ Ai ﷺ tha: ‘Es-Sejjid është Allahu i Madhëruar e i Lartësuar.’ Ne i thamë: ‘Ti je njeri më me pozitë dhe më i larti ndër ne.’ Ai ﷺ tha: ‘Thojini këto fjalë që thatë, ose njërën prej tyre, por ruhuni të mos ju pushtoj shejtani.’ [Transmeton Ebu Daud, 4806]
Është transmetuar nga Abdullah ibn Abbasi, radijAllahu anhuma, se ka thënë në lidhje me Fjalën e të Lartësuarit:
﴿ٱللَّهُ ٱلصَّمَدُ﴾
“Allahu është es-Samed.” [El-Ikhlas, 2]
Ai është Zotëruesi, i Cili ka pushtet dhe zotërim të plotë.
Qëllimi i Pejgamberit ﷺ me fjalën "es-Sejjid është Allahu" është që zotërimi në realitet i përket Allahut të Plotëfuqishëm e të Madhërishëm, ngaqë vetëm Allahut, të Madhëruarit e të Lartësuarit, i takon në mënyrë absolute zotërimi, mbretërimi, krijimi dhe sistemimi i gjithësisë, e vetëm Atij duhet t'i përulesh, nënshtrohesh e dorëzohesh plotësisht.
Pra Ai, i Pastri prej të metave e i Lartësuari, është Zotëruesi të Cilit i takon rregullimi dhe sistemimi i botës, e në këtë nuk ka të barabartë me Të. Ai, i Pastri prej të metave e i Lartësuari, është Zotëruesi të Cilit i përket adhurimi, përulja dhe nënshtrimi, e askujt tjetër përveç Tij. Ashtu siç Ai, i Pastri prej të metave, është Zotëruesi që i sistemon krijesat e nuk ka të ngjashëm me Të, po ashtu obligohet që të jetë Zotëruesi, i adhuruari, i Pashok.
Siç thotë i Lartësuari:
قُلْ أَغَيْرَ اللَّهِ أَبْغِي رَبًّا وَهُوَ رَبُّ كُلِّ شَيْءٍ
“Thuaj (o Muhammed): ‘A mos duhet të kërkoj Zot tjetër përveç Allahut, ndërsa Ai është Zoti i gjithçkaje?!’” [El-En'am, 164]
Ibën Abbasi, radijAllahu anhuma, në lidhje me kuptimin e Fjalës së Tij "..të kërkoj Zot..." ka thënë: “kjo do të thotë: të kërkoj të adhuruar tjetër, një Zotërues tjetër.
Ndërsa në lidhje me Fjalën e Tij:
وَهُوَ رَبُّ كُلِّ شَيْءٍ
"...ndërsa Ai është Zoti i gjithçkaje?!"
Ibën Xherir et-Taberij ka thënë: “Ai është Zotëruesi i çdo gjëje, Sunduesi i tyre, Ai që i sistemon dhe sjell dobi.”
Ky është argumenti më i fortë dhe prova më e qartë për kotësinë e shirkut dhe marrjen e të adhuruarve përveç Tij. Kështu që, ai që beson se ka Zotërues tjetër përveç Allahut, qoftë ai i vdekur apo i gjallë dhe beson se ai ka mundësi të sjellë të mirën dhe ta largojë të keqen, apo ia kërkon atij nevojat e tij, apo i kërkon atij largimin e brengave dhe pikëllimit të tij e të ngjashme me këto, i këtilli i ka bërë shirk Allahut të Madh. Shumë popuj janë sprovuar me besimin në të vdekurit duke ua atribuar atyre cilësinë e zotërimit, besojnë tek ata, u përgjërohen atyre, u përulen atyre duke e tradhëtuar me këtë gjë Teuhidin e tyre dhe duke u përzier me gjëra që e anulojnë dhe e kundërshtojnë atë.
Medito rreth hadithit të mësipërm për kujdesin e të Përzgjedhurit ﷺ për mbrojtjen e Teuhidit, ruajtjen pastërtisë së tij dhe mbylljen e rrugëve të shirkut. Kur atij i thanë: "Ti je Sejjidi ynë", ai tha: "Es-Sejjid është Allahu i Madhëruar e i Lartësuar." E më pas u tha atyre: "Të mos ju pushtojë juve shejtani!", edhe pse ata nuk thanë gjë tjetër veçse një të vërtetë.
Ai ﷺ është zotëria i bijëve të Ademit, është robi më i mirë i Allahut dhe imami i të devotshmëve, por kur Allahu ia përsosi pozitën e të qenët rob që adhuron Allahun, ai ﷺ filloi ta urrejë lavdërimin e tij në mënyrë që ta ruajë këtë pozitë, ta drejtojë umetin e tij që ta braktisin lavdërimin, si këshillë për ta, si dhe për ta mbrojë pozitën e Teuhidit nga infiltrimi i gjërave që e prishin apo e dobësojnë atë, siç është shirku dhe rrugët që të çojnë tek ai, i cili bën që zemra të ketë njëfarë lidhje me krijesat, e që është nënshtrimi dhe përulja për ta. Kjo gjë nuk lejohet. Nënshtrimi dhe përulja i dedikohet vetëm Allahut të Vetëm, Ngadhënjyesit.
Përktheu: Servet Mata