Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 77-78
Emri: En-Nur (النُّورُ) [Drita, Ndriçuesi]
Ky emër është përmendur në Kur'anin Fisnik në fjalën e të Lartësuarit:
﴿۞ٱللَّهُ نُورُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِۚ مَثَلُ نُورِهِۦ كَمِشۡكَوٰةٖ فِيهَا مِصۡبَاحٌۖ ٱلۡمِصۡبَاحُ فِي زُجَاجَةٍۖ ٱلزُّجَاجَةُ كَأَنَّهَا كَوۡكَبٞ دُرِّيّٞ يُوقَدُ مِن شَجَرَةٖ مُّبَٰرَكَةٖ زَيۡتُونَةٖ لَّا شَرۡقِيَّةٖ وَلَا غَرۡبِيَّةٖ يَكَادُ زَيۡتُهَا يُضِيٓءُ وَلَوۡ لَمۡ تَمۡسَسۡهُ نَارٞۚ نُّورٌ عَلَىٰ نُورٖۚ يَهۡدِي ٱللَّهُ لِنُورِهِۦ مَن يَشَآءُۚ وَيَضۡرِبُ ٱللَّهُ ٱلۡأَمۡثَٰلَ لِلنَّاسِۗ وَٱللَّهُ بِكُلِّ شَيۡءٍ عَلِيمٞ﴾
"Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës. Shembulli i dritës së Tij është porsi një llambë e vendosur në një qoshe të errët, e llamba është prej qelqi dhe ky qelq ndriçon porsi një yll që shkëlqen, e ndezur prej vajit të pemës së bekuar të ullirit, e cila nuk është prekur vetëm prej rrezeve të perëndimit e as vetëm prej rrezeve të lindjes, ndërsa vaji i saj ndriçon edhe pa e prekur zjarri. Dritë përmbi dritë! Allahu udhëzon atë që do drejt dritës së Tij. Kështu Allahu ua sjell njerëzve shembujt. Allahu është i Ditur për çdo gjë." [En-Nuur, 35]
Shejkh AbduRrahman ibn Nasir es-Sa'dij, Allahu e mëshiroftë, e ka sqaruar kuptimin e këtij emri me një fjalë përmbledhëse ku i ka qartësuar domethëniet e tij. Ai ka thënë:
"Drita është prej cilësive të Allahut të Lartësuar dhe është dritë dy llojesh:
Lloji i parë: Drita konkrete e Tij. Ajo është drita me të cilën e ka përshkruar Veten e Tij, e cila është një dritë madhështore, saqë nëse do largonte perden prej Fytyrës së Tij, ndriçimi i Fytyrës së Tij dhe drita e Madhështisë së Tij do të digjte çdo krijesë që përfshin shikimi i Tij. Kjo dritë nuk mund të përshkruhet ndryshe vetëm se me këtë frazë pejgamberike e cila përcjell një domethënie madhështore. Asnjë prej krijesave nuk i reziston dot kësaj Drite të Fytyrës së Tij nëse Allahu do ta shfaqte atë dritë. Nëse Zoti nuk do t'u jepte jetë të përsosur banorëve të Xhennetit, duke u dhënë atyre forcën për ta shikuar Atë, ata kurrë nuk do të kishin mundur ta shikonin Zotin Madhështor. Të gjitha dritat në qiejt e lartë janë prej dritës së Tij, madje edhe drita e Xheneteve të begata, gjerësia e të cilëve është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës, madhësinë e të cilëve nuk e di askush përveç Allahut, është prej dritës së Tij. Kështu është edhe drita e Arshit, Kursijsë dhe Xheneteve, e cila është prej Dritës së Tij, po ashtu edhe drita e diellit, hënës dhe yjeve.
Lloji i dytë: Drita abstrakte e Tij. Kjo është drita me të cilën Allahu ka ndriçuar zemrat e Pejgamberëve të Tij, të sinqertëve ndaj Tij, të afërmve të Tij dhe të melaikeve të Tij, duke u dhënë atyre dritë për ta njohur Atë dhe për ta dashur Atë. Nuk ka dyshim se për ta njohur Atë, në zemrat e të afërmve të Tij besimtarë ka dritë në varësi të njohjes që kanë për cilësitë e Madhëstisë së Tij dhe në varësi të besimit që kanë për Cilësitë e Bukurisë së Tij, sepse çdo cilësi e Tij ka ndikim në zemrat e tyre. Me të vërtetë se njohja e Zotit është nga njohjet më të mëdha; dituria për ta njohur Atë është dituria më fisnike. Dituria e dobishme në përgjithësi është dritë në zemra. E si është puna me këtë dije për ta njohur Allahun, e cila është dija më e mirë dhe më madhështore, e cila dije është baza dhe themeli i krejt dijeve?!" Burimi: Fet’hu Rahim el-Melik el-‘Al-lam, fq. 62
Atëherë, përderisa Drita është prej emrave të Tij dhe Cilësive të Tij, atëherë feja e Tij është dritë, i Dërguari i Tij është dritë, fjala e Tij është dritë dhe Shtëpia e Nderimeve (Xheneti) për robërit e Tij është dritë që shkëlqen. Drita shndrit në zemrat e robërve të Tij besimtarë, rrjedh nëpër gjuhët e tyre, shfaqet në fytyrat e tyre dhe Allahu do t’ua plotësojë atyre këtë dritë Ditën e Ringjalljes, siç thotë i Pastri prej të metave:
﴿ نُورُهُمۡ يَسۡعَىٰ بَيۡنَ أَيۡدِيهِمۡ وَبِأَيۡمَٰنِهِمۡ يَقُولُونَ رَبَّنَآ أَتۡمِمۡ لَنَا نُورَنَا وَٱغۡفِرۡ لَنَآۖ إِنَّكَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ قَدِيرٞ﴾
"Drita e tyre do të ndriçojë para tyre dhe nga e djathta e tyre, e ata do të thonë: ‘O Zoti ynë, na e përsos dritën tonë dhe na fal neve! Me të vërtetë Ti je i Plotfuqishëm për çdo gjë." Et-Tahriim, 8
Përktheu: Servet Mata