Autor: Shejkh Rabij’ Ibn Hadij el-Medkhalij
Burimi: Shkëputur nga libri i tij “Mesatarja e Islamit”
Qëkur janë formuar, Ikhuanul-Muslimun po thonë, “Xhihad, Xhihad, Shteti Islam, Khilafeti Islam”, ndërsa gjendja e Muslimanëve vazhdon të përkeqësohet nga duart e tyre, duke rënë poshtë e më poshtë, për fat të keq.
Ndërkaq, ata pretendojnë se janë thirrësa të Islamit dhe muxhahida që luftojnë në emër të Islamit, mirëpo fatkeqësisht ata nuk i shtojnë gjë tjetër Umetit përveç se rrënim dhe po i ofrojnë të rinjtë e Umetit si dhurata në pjata prej floriri - siç i thonë - për Amerikanët dhe Rusët, që t’i therin ashtu siç theren zogjtë dhe pulat. Po ua ofrojnë të rinjtë (armiqve) pa përgatitje nga ana e besimit, as nga ana materiale dhe as nga e armatimeve.
Allahu - Tebarake ue Te’ala - e ka urdhëruar Xhihadin për këtë Umet, nëse Umeti është me të vërtetë i përgatitur për Xhihadin, me akijden e tij të saktë, me burrat e tij, me moralin e tij dhe me përgatitjen e duhur materiale e ushtarake. Kurse ata nuk kanë as akijde të saktë, as menhexh të saktë dhe as përgatitje materiale, dhe thonë: “Xhihad! Xhihad!” E shkatërruan Umetin, ndërsa për vetet e tyre bëjnë qejf dhe shijojnë postet dhe paratë e tyre, hanë e pinë, kurse shumë nga bijtë e Muslimanëve flijohen për këto slogane të prishura, për këto britma të rreme e për këto thirrje boshe. Kështu që, detyra e Umetit është që të kthehet tek Libri i Zotit të tij dhe Suneti i Pejgamberit të tij, që të jetë Umet mesatar, ashtu siç ka njoftuar dhe e ka përshkruar Allahu - Tebarake ue Te’ala -, dhe që të jetë umeti më i mirë që ka dalë për njerëzit. Me këtë kthim tek Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit dhe me kthimin e kësaj pozite tek Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -, do të kthehet lavdia dhe nderi i Umetit. Pasha Allahun, kurrë s’kanë për t’i bërë ndonjë dobi Umetit këto slogane, përkundrazi, ato nuk i shtojnë gjë tjetër atij përveç se rënie, rrënim, poshtërim dhe turpërim.
Prandaj, le ta njohin Muslimanët burimin e krenarisë së tyre dhe burimin e poshtërimit të tyre dhe t’u shmangen burimeve të shkatërrimit, prej të cilave është edhe ky ekstremizëm, pjesa më e madhe e të cilit është i sajuar dhe artificial.
Umeti duhet ta dijë cili është burimi i krenarisë së tij dhe të shpejtojë drejt tij, të kapet fort mbas atij burimi me dhëmballë dhe të edukojë vetveten dhe brezat e tij me këtë burim, që Allahu t’ua bëjë realitet atë që u dha të parëve të tyre fisnikë.
Unë lus Allahun që të përgatisë për këtë Umet thirrësa besnikë e të sinqertë, që të kthehen nëpërmjet tyre në burimin e krenarisë dhe lavdisë dhe lumturisë, tek Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, në të cilin është përsosmëria dhe është mesatarja dhe drejtësia. Lus Allahun që t’ua bëjë realitet këtë.
Përktheu: Alban Malaj