Autor: Shejkh Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij
Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=149945
Pyetje: Shejkhu jonë – Allahu u ruajt – dëgjuam se po bëhet një fushatë e ashpër, të cilën e drejtojnë disa media të qafirave, kundër të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Cila është detyra e Muslimanëve ndaj kësaj?
Përgjigje: Pra, mediat, rabinët, priftërinjtë, politikanët dhe kriminelët në Evropë dhe Amerikë janë ata që po e drejtojnë këtë fushatë të ashpër dhe po e nxisin atë, kurse Muslimanët nuk mund të bëjnë asgjë, sepse ata janë zgjyrë, si zgjyra që mbart rryma e ujit. Ata s’kanë tjetër pos Kombeve të Bashkuara, nuk e di çfarë kanë tjetër, fjalë bosh, ose të shkojnë tek Papa.
Detyra e Muslimanëve është që t’i kthehen Islamit. Ilaçi për t’u ballafaquar me këto kërcënime dhe me këto fushata të qelbura është që Muslimanët t’i kthehen Fesë së tyre dhe të dalin nga kjo zgjyrë në të cilën po jetojnë. Allahu u bekoftë.
”يُوشِكُ أَنْ تَدَاعَى عَلَيْكُمْ الْأُمَمُ كَمَا تَدَاعَى الْأَكَلَةُ عَلَى قِصْعَتِهَا “
قَالُوا :أَوَ مَنْ قِلَّةٍ يَوْمَئِذٍ يَا رَسُولَ اللهِ؟
قَالَ: ”لا, بَلْ أَنَّكُمْ يَوْمَئِذٍ كَثِيرٌ, وَلَكِنَّكُمْ غُثَاءٌ كَغُثَاءِ السَّيْلِ وَلَيَنْزَعَنَّ اللهُ الَمَهَابَةَ مِنْ قُلُوبِ أَعْدَائِكُمْ
“Është afër koha kur popujt do të thërrasin njëri-tjetrin kundër jush, ashtu siç ftojnë ngrënësit njëri-tjetrin tek ena e tyre me ushqim.” Ata thanë: “Mos ngaqë ne do të jemi të paktë në numër atëherë o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Jo, atëherë do të jeni të shumtë, porse do të jeni zgjyrë, si zgjyra që mbart rryma e ujit, dhe Allahu do të heqë frikën nga zemra e armiqve tuaj.” [1]
Kjo ka ndodhur tashmë. Umeti është si zgjyra që mbart rryma e ujit – me përjashtim të një pakice – dhe Allahu e ka hequr frikën nga zemra e armiqve të Islamit. Kështu, ata i shohin Muslimanët të pavlerë dhe as që i llogarisin fare. Dhe përgjegjësia për këto fushata kundër të Dërguarit të Allahut, së pari bie mbi vetë Muslimanët, sepse janë ata që ua kanë lënë të lirë rrugën armiqve të Allahut, që ata t’i ngrenë lart kokat e tyre, t’ua shkelin nderin Muslimanëve dhe të shajnë të Dërguarin e Allahut dhe gjërat e tyre të shenjta. Umeti po të kishte patur autoritet, po të kishte patur forcë dhe fuqi, kjo s’do të kishte ndodhur, nëse ata janë të kapur fort mbas Kur`anit dhe Sunetit. Nëse ata janë të kapur fort mbas Kur`anit dhe Sunetit, Allahu do të fusë tmerrin në zemrat e armiqve, do t’i frikësojë e do t’i llahtarisë. Ama sot ne e kemi lënë Akijden, ose shumica prej nesh, Akijden me të cilën erdhi i Dërguari i Allahut, kemi lënë moralin dhe politikën (sheriatike) – Allahu u bekoftë –, i kemi lënë këto dhe gjëra të tjera, për këtë shkak Allahu e heq frikën nga zemrat e armiqve dhe fut tmerrin dhe dobësinë në zemrat tona, si dënim për ne, derisa ne t’i kthehemi Fesë sonë.
Na ka njoftuar i Dërguari i Allahut – ‘alejhis-salatu ues-selam – cila është zgjidhja: dhe ajo është që ne t’i kthehemi Fesë. E nëse nuk i kthehemi Fesë, sulmet do të shtohen. Ata s’duan t’ia dinë për klithmat e fëmijëve dhe grave, asnjëherë! Allahu na dhëntë mirëqënie. Shiko faqet e Muslimanëve, gazetat e tyre, nuk u intereson fare. Mendoj se para disa ditëve, kur shkelën Kur`anin – kërkoj faljen e Allahut dhe pendohem tek Ai nga përcjellja e kësaj fjale -, u çuan Muslimanët në demonstrata e gjëra të ngjashme. Po tani a u çuan për të bërë ndonjë gjë? Hë? Nuk u çuan që të bëjnë ndonjë gjë. Nuk dëgjuam asgjë. Allahu Ekber! Si shkuma që ikën. Zgjyrë! Atë kohë unë i bëra thirrje Muslimanëve, të gjitha qeverive, dijetarëve etj., që t’i kthehen Librit të Allahut dhe të organizojnë konferenca për këtë dhe organizime të tjera, mirëpo ata nuk dëgjojnë! Ata nuk dëgjojnë! Allahu u bekoftë.
Kjo kërkon thirrje nga dijetarët e sinqertë, që t’i vënë në lëvizje Muslimanët për të punuar seriozisht për kthimin tek Feja e vërtetë e Allahut. Dhe është obligim për drejtuesit e medreseve jo selefije që t’i frikësohen Allahut për vetet e tyre dhe për Muslimanët. S’ka dyshim që në medresetë e tyre ka probleme të mëdha, ka kundërshtime të akijdes dhe menhexhit. Ata e kanë obligim që t’i rregullojnë ato dhe të rregullojnë metodologjitë e tyre. Kurse udhëheqësit e kanë obligim që të pendohen tek Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – dhe të imponojnë metodologjitë e sakta islame nëpër medresetë ku edukohen bijtë e këtij Umeti, dhe që të edukojnë ushtritë e tyre me akijden dhe moralin që ua mësoi i Dërguari i Allahut ushtarëve të tij. Allahu u bekoftë.
Khalidi dhe ata që ishin si ai nuk ngadhënjyen në shtypjen e murtedinëve dhe në çlirimin e vendeve vetëm se me anë të Kur`anit dhe Sunetit. Ata nuk bënë asgjë (nga këto që po bëjnë Muslimanët sot), porse Allahu i ndihmoi ata dhe futi tmerrin në zemrat e armiqve të tyre.
نُصِرْتُ بِالرُّعْبِ مَسِيرَةَ شَهْرٍ
“Jam ndihmuar me frikësimin (e armiqve) duke qenë në distancë një muaj larg.” [2]
Arma më e madhe është kjo frikë. Nëse qafirave në Perëndim u dridhen leqet e këmbëve nga frika që ka nga Muslimanët, ata nuk gjejnë dot qetësi.
Në kohën e Mu’tasimit – i cili ishte njeri i thjeshtë, nuk ishte dijetar, mirëpo ishte prijës, edhe pse ishte i mashtruar nga Xhehmijet, ai prapë se prapë e respektonte Islamin – u ç’nderua një grua dhe ajo tha: “Ku je o Mu’tasim!” Kështu, ai përgatiti një ushtri dhe u nis drejt prijësit më të madh, në rrugëtimin më të madh drejt Evropës dhe ia shkeli nderin. Kështu, ai ngadhënjeu për Islamin dhe u hakmorr për Islamin. Kurse sot shkelet nderi i të Dërguarit, ai nuk është as grua as gjë prej gjëje, ka degradim, ka zgjyrë, ka mekuri. E për më tepër thonë se sot ka një miliard Muslimanë. Sa? Një mijë million e më shumë, porse ata janë si zgjyra e rrymës së ujit. Ata që çliruan dynjanë u nisën nga një qytezë e vogël, nga Medina. Ka thënë i Dërguari i Allahut se kjo është:
قَرْيَةٌ تَأْكُلُ الْقُرَى
“…kjo qytezë e vogël i ha qytetet e tjera.” [3]
Xhamia e të Dërguarit nuk ishte as sa një e pesëdhjeta e xhamisë që është sot. Njerëzit e asaj xhamie u shpërndanë nëpër botë dhe e çliruan atë të gjithë. Me çfarë?? Jo ngaqë ishin të shumtë në numër dhe as ngaqë kishin shumë armatim, porse me imanin e vërtetë dhe me sinqeritetin.
Po, është detyrë që të përgatitemi, porse përgatitja nga ana e imanit vjen përpara çdo gjëje. Nëse kjo përgatitje nga ana e imanit do të jetë e mjaftueshme dhe të gjithë ne të jemi në menhexhin e Muhamedit, s’ka dyshim që Allahu do të na japë zgjidhje dhe rrugëdalje, si dhe do të na japë fuqi materiale dhe shpirtërore, me të cilën do të triumfojmë mbi armiqtë e Allahut. Allahu u bekoftë.
Ama kur ne kemi demokraci dhe besëtytni, në politikë ndjekim demokracinë, në ibadet varret, në akijde kemi mohimin e Emrave dhe Cilësive të Allahut – përveç atij që do Allahu –, kemi devijim, humbje, besëtytni, përralla të cilat kanë dalë nga kjo zgjyrë, sado që të grumbullohen paratë tek ne, kemi para pa fund, edhe Perëndimi ka nevojë për paratë që kemi ne sot, kemi edhe ushtri edhe gjëra të tjera… mirëpo, është veçse shtrirje e mëtejshme e kësaj zgjyre dhe këto gjëra s’na hyjnë në punë, të gjitha ato. Sot ai që ka xhelozi është i gjorë, bërtet dhe na thotë: kërkoni ndihmë nga forcat e Kombeve të Bashkuara ose nga filan organizatë. Kjo i ka mbetur atij të gjori. Kurse të tjerët shikojnë gazetat që merrem me çikërrima, na nxjerrin foto të aktoreve, të femrave të prishura, të artisteve. Na ofrojnë neve këto foto, si dhe informacione rreth artistëve, rreth futbollit… humbje mbi humbje. Kjo gjendje është për të vajtuar. Allahu u bekoftë.
Muhamedi, i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nëse vendoset në njërën anë të peshores dhe i gjithë Umeti të vendoset në anën tjetër të saj, ai – ‘alejhis-salatu ues-selam - do të peshojë më shumë. Edhe shoku i tij Ebu Bekri do të peshonte më shumë se ky Umet, edhe ‘Umeri po ashtu do të peshonte më shumë se ky Umet. Muhamedi nuk është i lehtë! Muhamedi nuk është i lehtë! Mbi të qoftë lavdërimi dhe paqja e Allahut.
Allahumme sal-li ‘ala Muhammedin ue ‘ala Aali Muhammed, kema sal-lejte ‘ala Ibrahime ue ‘ala Aali Ibrahim, Inneke Hamijdun Mexhijd.
(O Allah jepi lavdërime Muhamedit dhe Familjes së Muhamedit, ashtu siç e ke lavdëruar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit. Me të vërtetë Ti je Lavdiplotë dhe i Madhërishëm.
Fundnota:
[1] Shënim i përkthyesit: Transmetuar nga Ebu Dauudi në Sunenin e tij (nr.4297) dhe e ka shpallur sahih el-Albanij në Silsiletul-Ehadithis-Sahihah (nr.957).
[2] Shënim i përkthyesit: Transmetuar nga Bukhari (nr.335) dhe Muslimi (nr.1168).
[3] Shënim i përkthyesit: Transmetuar nga Bukhari (nr.1871) dhe Muslimi (nr.1382).
Përktheu: Alban Malaj