Burimi: Et-Talik el-Kauim ala Kitab Iktidai es-Sirat el-Mustekim, vëll. 3, fq. 1114, 1119.
Ai që dëgjon shpesh kaside (ilahije) me qëllim që të përmirësojë zemrën, do t’i pakësohet dëshira për të dëgjuar Kuran, ndoshta edhe do t’i neveritet dëgjimi i Kuranit.
Ai që udhëton shpesh për t’i vizituar tyrbet (teqetë) apo gjërat e ngjashme si këto, s’ka për t’i mbetur në zemër dashuri dhe madhërim për të bërë Haxh në Qabe, siç ndodh e kundërta me atë njeri që zemrën e ka të mbushur me Sunet.
Ai që është i dhënë pas mësimit të urtësisë dhe etikës nga të urtit persianë dhe romakë, s’ka për t’i mbetur në zemër vend për urtësinë e Islamit dhe etikën e tij.
Ai që është i dhënë pas leximit të historisë së mbretërve dhe ndodhive të tyre, s’do të ketë interesim në zemër për historitë dhe ndodhitë e Pejgamberëve. Shembuj të tjerë si këto janë shumë.
Për këtë arsye, ka ardhur hadith nga Pejgamberi ﷺ: “Çdo popull që shpik një bidat, Allahu ka për t’ua hequr një Sunet të ngjashëm si ai.” Transmeton Imam Ahmedi.
Për këtë arsye, këtë gjë njeriu mund ta provojë te vetvetja (kur ka dashuri për Sunetin), qoftë ai dijetar, adhurues i madh, prijës, apo njeri i thjeshtë. Prandaj, Sheriati e ka ndaluar dhe e ka qortuar rëndë atë që shpik bidate dhe Sheriati ka paralajmëruar kundër bidateve, sepse në qoftë se njeriu do të dilte prej bidatit duke qenë i pandikuar, pra pa u dëmtuar apo pa përfituar, atëherë çështja do të ishte e lehtë, mirëpo bidati patjetër që do ta dëmtojë atë në zemër dhe në fe, dhe ky bidat ka ardhur si rrjedhojë e asaj se dobia e Sheriatit është e mangët sipas tij dhe nuk është e plotë.
Përktheu: Jeton Shasivari