Bismilah...

Ai është Imami, Prijësi i Muhadithinëve, Ebu Abdullah Muhamed Ibn Ismail Ibn Ibrahim Ibn Mugirah Ibn Berdezbeh el-Xha’afi el-Bukhari. Ka lindur ditën e 13 të muajit Sheual pas ditës së Xhuma, në vitin 194 Hixhrij. Stërgjyshi i tij Mugira pranoi Islamin dhe u vendos në Bukhara. I ati i Bukharit kishte një pozitë të lartë në dijen e Hadithit dhe ishte nga studentët e Imam Malikut dhe Hammad Ibn Zejdit. Nga shtëpia e tij buronte thirrja për pasimin e Kur'anit dhe Sunetit.

Babai i Bukharit vdiq kur ky i fundit ishte ende fëmijë dhe kështu që për të u përkujdes e ëma.

Edukimi i tij dhe udhëtimi në kërkim të dijes:

Ai e mësoi Islamin në këtë vend (në Bukhara) deri në moshën 16 vjeçare dhe pasi kërkoi dijen nga Muhadithinët e qytetit të tij, u nis me të ëmën dhe vëllain e tij për të kryer Haxhin. E ëma dhe vëllai i tij u kthyen kurse ai qëndroi në Hixhaz. Ky ishte udhëtimi i parë i Imam Bukharit në kërkimin e dijes.

Ai sapo i kishte mbushur dhjetë vjeç në vitin 205 Hixhrij kur filloi mësimin përmendësh të Hadithit.

Hafidh edh-Dhehebi ka thënë: “Kur Imam Bukhari filloi të mësonte dhe të shkruante, ai nuk kishte qoftë edhe një qime të vetme në mjekrrën e tij (pra, ishte mjaft i ri në moshë) dhe ai ka përmendur më shumë se 1000 nga njerëzit prej të cilëve shkroi hadithin.”

Muhamed Ibn Ebi Hatim ka thënë: E kam dëgjuar Imam Bukharin të thoshte një muaj para se të vdiste: “Kam shkruajtur transmetime nga njëmijë e tetëdhjetë (1080) burra, nuk kishte ndonjë prej tyre që të mos ishte njeri i hadithit.”

Ai ka qëndruar për disa vjet në Mekke dhe Medine ku përfitoi nga Njerëzit e Dijes. Gjatë kësaj kohe nisi të shkruajë veprat e tij të para.

Më pas udhëtoi për në Balkh, Bagdad, Basra, Kufa, Sham, Askalan, Hems dhe Damask dhe mori dije tek Dijetarët më të mëdhenj të atyre vendeve. Vetë Imam Bukhari ka thënë: “I kam vizituar dy herë Shamin, Egjiptin dhe el-Xheziran (krahinë që shtrihej në Siri, Irak dhe Turqi). Kam shkuar katër herë në Basra. Kam qëndruar në Hixhaz për gjashtë vjet. Dhe nuk mbaj mend se sa herë e kam vizituar Bagdadin dhe Kufën dhe dijetarët atje.”

Në Bagdad, Imam Bukhari është takuar me Imam Ahmedin. Imam Ahmedi kishte një konsideratë të lartë për të, megjithë moshën e tij të re. Gjithsesi, emri i Imam Ahmedit është përmendur vetëm dy herë në Sahihun e Bukharit. Ibn Haxher el-Askalani ka thënë se arsyeja përse Imam Bukhari nuk ka transmetuar shumë hadithe nga Imam Ahmedi është se në udhëtimet e tij të para drejt Bagdadit, Imam Bukhari ka mësuar me mësuesit e Imam Ahmedit dhe në udhëtimin e tij të fundit në Bagdad, Imam Ahmedi ishte i ndaluar që të jepte mësim për shkak të izolimit që pësoi nga fitneja e mu’tezilëve, kështu që Imam Bukhari nuk pati mundësi që të transmetonte nga Imam Ahmedi. Prandaj në Sahihun e Bukharit gjenden transmetime nga shoku i Imam Ahmedit, Ali Ibnul-Medini, por nuk gjenden transmetime të Imam Ahmedit.

Durimi dhe sakrifica e tij gjatë kërkimit të diturisë:

Muhamed Ibn Ebij Hatim ka thënë: Një herë, ai ishte nisur për tek Adem Ibn Ebij Ijas (për të dëgjuar hadith nga ai) mirëpo kishte harruar të merrte të holla me vete për udhëtim. Kështu, ai kaloi ditë me rradhë duke ngrënë bar dhe gjethe pemësh dhe këtë nuk ia tregoi askujt. Madje ai nuk kërkonte nga askush.”

Ebul-Hasen Jusuf Ibn Ebij Dherr el-Bukhari ka thënë: “Një herë Imam Bukhari u sëmur. Urinën e tij e çuan tek një mjek për t’i bërë analizat dhe ai tha se urina e tij ishte sikur urina e atyre njerëzve të vetmuar që ushqehen vetëm me bukë të thatë. Kështu ai rekomandoi që Bukhari të konsumonte ushqime të tjera përveç bukës. Kur e pyetën Bukharin për këtë ai tha se nuk kishte ngrënë ushqim tjetër përveç bukës për 40 vjet. Kur i thanë se receta e mjekut ishte që ai të konsumonte edhe ushqime të tjera, ai e refuzoi recetën. Me insistimin e disa dijetarëve ai pranoi që të merrte vetëm sheqer dhe bukë.”

Mësuesit e tij:

Imam Bukhari ka transmetuar nga 1080 dijetarë. Nga mësuesit e tij përmendim:

  • Në Belkh: Mekkij Ibn Ibrahim (214H)
  • Në Merv: ‘Adnan Ibn ‘Uthman el-Ataki (221H), ‘Ali Ibnul-Hasen Ibn Shakijk (215H), Sadakah Ibnul-Fadl (223H).
  • Në Nisabur: Jahja Ibn Jahja Ibn Bekr el-Mukri (226H).
  • Në Raj: Ibrahim Ibn Musa Ibn Jezid er-Razi (230H).
  • Në Bagdad: Muhamed Ibn ‘Ijsa Ibn et-Teba (224H), Surajxh Ibn en-Nu’man (217H), Muhamed Ibn Sabik (214H), ‘Affan Ibn Muslim el-Bahili (220H).
  • Në Basra: Ebu ‘Asim en-Nebil (212H), Muhamed Ibn ‘Abdullah Ibnul-Muthena el-Ensari (215H), ‘Abdur-Rrahman Ibn Hammad esh-Shu’ajti (212H), Muhamed Ibn ‘Ar’ah (212H), Haxhaxh Ibn Minhal (217H), Bedl Ibnul-Muhabir el-Jarbu’i (215H), ‘Abdullah Ibn Raxha el-Gudani (220H).
  • Në Kuffa: ‘Ubejdullah Ibn Musa (213H), Ebu Nu’ajm el-Fadl Ibn Dukejn (219H), Khalid Ibn Makhled (213H), Talk Ibn Gannam en-Nakha’i (211H), Khalid Ibn Jezid el-Mukri (215H).
  • Në Mekke: ‘Abdullah Ibn Jezid el-Mukri (213H), Khal-lad Ibn Jahja es-Sulemi (213H), Hasen Ibn Hasen el-Basri (213H), Ebul-Uelid Ahmed Ibn Muhamed el-Ezraki (217H), ‘Abdullah Ibnuz-Zubejr el-Mumejdi (229H).
  • Në Medine: ‘Abdul-‘Azijz el-‘Uvejsi, Ejub Ibn Sulejman Ibn Bilal (224H), Isma`il Ibn Ebi ‘Uvejs (226H).
  • Në Egjipt: Se’id Ibn Ebi Merjem (224H), Ahmed Ibn Ishkab (218H), ‘Abdullah Ibn Jusuf et-Tinisi (215H), Asbag Ibnul-Feraxh (225H).
  • Në Sham: Ebul-Jeman el-Hakem Ibn Nafi’ (221H), Adem Ibn Ebi Ijas el-Askalani (220H), ‘Ali Ibn Ajjash el-Elhani (219H), Bishr Ibn Shu’ajb el-Himsi (213H), Ebul-Mugira ‘Abdul-Kuddus Ibnul-Haxhaxh (212H), Ahmed Ibn Khalid el-Uehbi (214H), Muhamed Ibn Jusuf el-Firajbi (212H), Ebu Mushir ‘Abdul-‘Ala Ibn Mushir (218H).

Ibn Haxher el-Askalani i ka ndarë mësuesit e Imam Bukharit në pesë kategori:

Kategoria e parë janë ata dijetarë që e transmetuan hadithin nga Tabi’inët, nga të cilët janë:

  • Muhamed Ibn ‘Abdullah el-Ensar, i cili transmetoi nga Humejd et-Teuijl,
  • Mekkij Ibn Ibrahim dhe Ebu ‘Asim en-Nebil që dëgjuan nga Jezid Ibn Ebi ‘Ubejd,
  • Nu’ajmi, i cili dëgjoi nga el-‘Amesh.

Kategoria e dytë janë dijetarët e të njëjtit brez si dijetarët e kategorisë së parë, por që nuk e patën fatin të transmetonin nga Tabi’inët. Tek kjo kategori hyjnë dijetarë si:

  • Adem Ibn Ebu Ijjas
  • Se’id Ibn Ebu Merjem
  • Ejub Ibn Sulejman Ibn Bilal

Kategoria e tretë janë dijetarët të cilët nuk patën fatin të takonin asnjë nga Tabi’inët por transmetuan nga njerëzit më të mirë të brezit të tretë pas Tabi’inëve, Etba’i-Tabi’inët. Nga këta dijetarë përmendim:

  • Sulejman Ibn Harb
  • ‘Ali Ibnul-Medini
  • Jahja Ibn Me’in
  • Ahmed Ibn Hanbel
  • Is`hak Ibn Rahauejh
  • Ebu Bekr Ibn Ebi Shejbe
  • ‘Uthman Ibn Ebi Shejbe

Në kategorinë e katërt hyjnë ata që ishin bashkëkohës dhe bashkëmoshatarë të Bukharit. Imam Bukhari transmetoi nga ata hadithet që nuk i kishte dëgjuar ndonjëherë dhe hadithet që nuk mund t’i gjente tek të tjerët.

  • Muhamed Ibn Jahja edh-Dhuhli
  • Ebu Hatim er-Razi
  • ‘Abd Ibn Humejd
  • ‘Muhamed Ibn Abdur-Rrahijm Saika

Në kategorinë e pestë hyjnë ata që ishin më të rinj në moshë se Imam Bukhari apo ishin në një gradë më të ulët se ai. Nga këta dijetarë përmendim:

  • ‘Abdullah Ibn Hammad el-Amali
  • Ebu el-‘As el-Khauarizmi

Imam Bukhari i mori transmetimet e tyre për shkak të dobive që kishte në to. Duke vepruar kështu, ai e çoi në vend fjalën e Ueki’ut, i cili ka thënë: “Nuk bëhet njeriu dijetar i vërtetë derisa të transmetojë nga ata që janë më të vjetër se ai, nga ata që janë në një moshë me të dhe nga ata që janë më të rinj se ai.”

Studentët dhe ata që transmetuan prej tij:

Nga studentët e tij përmendim:

  • Imam Tirmidhi (279H)
  • Imam Muslim
  • Ebu Bekr Ibn Ebi ‘Asim
  • Salih Ibn Muhamed Xhezarah (293H)
  • Ebu Bekr Ibn Ebi Dunja (281H)
  • Muhamed Ibn ‘Abdullah el-Hadrami el-Mutejjen (297H)
  • Imam Nesa’i
  • Imam Muhamed Ibn Is`hak Ibn Khuzejme (311H)
  • Ebu Zura er-Razi (ekspert në fushën e identifikimit të defekteve të hadithit)
  • Ebu Hatim er-Razi (autori i veprës el-Xherh uet-Ta’dil)
  • Jahja Ibn Muhamed es-Sa’id (318H)
  • Muhamed Ibn Nasr el-Meruezi (294H)
  • Muhamed Ibn Jusuf el-Firabri (310H)
  • Ibrahim Ibn Is`hak el-Harbi el-Heraui (285H)
  • Muhamed Ibn Ahmed Ibn Dulabi
  • Husejn Ibn Ismail el-Mehamili (330H)
  • Mensur Ibn Muhamed Bazduri, i cili ishte personi i fundit që ka transmetuar nga Sahijhu i tij.

dhe shumë të tjerë…

Karakteri dhe vlerat e tij si Dijetar:

Imam Dhehebiu përmend në Sijer A’alamin-Nubelaa’ se el-Husejn Ibn Muhamed ka thënë: “Muhamed Ibn Isma`il el-Bukhari dallohej për tre cilësi, krahas cilësive të tjera të fisme që i kishte: Ai kurrë nuk fliste tepër, kurrë nuk shkonte mbas asaj çfarë posedonin njerëzit, dhe kurrë nuk hynte në punët e njerëzve; e gjithë vëmendja e tij ishte i përqëndruar tek dituria.”

Muhamed Ibn Ebi Hatim ka transmetuar: “Disa nga shokët e mi më kanë thënë: Ishim tek shtëpia e Muhamed bin Selam dhe hyri tek ne Muhamed bin Isma`il el-Bukhari, pasi që ishte kthyer nga Iraku. Kështu, ai filloi të na njoftonte për fitnen me të cilën ishin sprovuar njerëzit dhe atë çfarë i kishte ndodhur Ahmed Ibn Hanbelit etj. Pastaj, kur Imam Bukhari doli nga shtëpia, Muhamed bin Selam u tha të pranishmëve: “A keni parë ndonjëherë virgjëreshë më të turpshme sesa ky burrë?”

Prej edukatës shembullore të Imam Bukharit ishte edhe përkujdesi i tij edhe për gjërat më të imta. Muhamed Ibn Mensur ka thënë: Ishim në mexhlisin e Ebu ‘Abdullah el-Bukhari dhe një burrë hoqi diçka nga mjekrra e tij dhe e hodhi në shesh. E pashë Muhamed Ibn Isma’ilin i cili po e vështronte atë gjë dhe po vështronte edhe nga njerëzit. Pastaj kur njerëzit nuk e kishin mendjen, ai zgjati dorën dhe e mori atë dhe e futi nën mëngë. Kur doli nga xhami e pashë ta nxirrte atë nga mënga dhe e hodhi poshtë. Me këtë veprim ai sikur donte ta mbante xhaminë të pastër ashtu sikurse ai burrë që mbajti të pastër mjekrrën e tij duke larguar atë gjë.”

Memoria e jashtëzakonshme e Bukharit:

Imam Bukhari ka shfaqur një zell të jashtë zakonshëm në kërkimin e dijes, që në fëmijërinë e tij. Hashid Ibn Ismail ka thënë se kur Imam Bukhari ulej në mexhliset e hadithit, ai asnjëherë nuk mbante shënime dhe për këtë shpesh e qortonin se po humbiste kohën kot. Por, pasi kaluan pesëmbëdhjet ditë, Imam Bukhari i tha të gjithë hadithet nga kujtesa e tij, gjë e cila i la të mahnitur të gjithë nga kujtesa e tij prej dijetari.

Ai e kishte zakon që t’i dëgjonte njëherë hadithet pastaj i shkruante më vonë. Ai ka thënë: “Ndoshta e dëgjoj ndonjë hadith në Basra dhe e shkruaj atë në Sham. Ose e dëgjoj në Sham dhe e shkruaj në Egjipt.”

Imam Bukhari kishte një kujtesë të jashtëzakonshme saqë nëpërmjet kujtesës së tij shokët e tij korrigjonin dijen që mbani shënim.

Ibn Kethiri ka thënë në el-Bidaje uen-Nihaje se Imam Bukharit i mjaftonte t’i hidhte një shikim librit për ta mësuar përmendësh përmbajtjen e tij.

Me qëllim që ta kishte sa më të lehtë mësimin përmendësh të zinxhirëve të transmetimit, ai filloi të studionte transmetuesit duke mësuar kohën kur kanë jetuar, vendin ku kanë jetuar, personat me të cilët kanë mësuar e kështu me rradhë… Në këtë mënyrë, emrat e transmetuesve nuk ishin më të huaj për të, por ishin thjesht emra të njerëzve që për Bukharin ishin bërë familjarë.

Ebu Bekr el-Medini tregon: Isha në Nisabur me Is`hak Ibn Rahauejh dhe Muhamed Ibn Isma`il (el-Bukhari) ishte i pranishëm në mexhlis. Is`haku lexoi një hadith në të cilin u përmend Atta el-Khajkharani në vend të një Sahabiu. Is`haku tha: “O Ebu Abdullah (el-Bukhari), çfarë ishte el-Khajkharan?” Ai tha: “Një qytet në Jemen. Muauija dërgoi një Sahab në Jemen dhe ‘Atta dëgjoi prej tij dy hadithe.” Is`haku i tha: “Ti sikur ke jetuar me këta njerëz!”

Mësoi 100.000 Hadithe të saktë dhe 200.000 të pasaktë. Në të njëjtën kohë ai filloi të merrte pjesë në mexhliset e Muhadithit ed-Dakhili.

Imam Bukhari tregon se kur Dakhili zuri të lexonte zinxhirin që transmetohej nga Sufjani, ky nga Ebi Zubejr, e ky nga Ibrahimi, ai i tha: “Ebu Zubejri nuk ka dëgjuar nga Ibrahimi.” Kur e dëgjoi këtë Dakhili i bërtiti. Ai (Bukhari) i tha: “Nëse e ke dorëshkrimin, veç hidhi një sy sa për ta kontrolluar.” Ai (Dakhili) doli jashtë, e pa librin, u kthye dhe i tha: “Bir, atëherë si është ky zinxhir?” Bukhari i tha: “Ai që transmeton nga Ibrahimi nuk është Ebu Zubejr por Zubejr, i cili është i biri i ‘Adij (Ibn ‘Adij).” Dakhili e mori penën dhe po në atë moment e korrigjoi dorëshkrimin e tij dhe i tha: “Ti fole saktë.” Atëherë Imam Bukhari ishte vetëm 11 vjeç.

Kur Imam Bukhari ishte 16 vjeç i mësoi përmendësh librat e ‘Abdullah Ibn Mubarakut dhe Uekij’ Ibnul-Xherrah.

Njëherë, një dijetar me emrin el-Farajbi (v.212H) i testoi studentët e tij duke u transmetuar një hadith me këtë zinxhir transmetimi: Sufjani nga Ebu ‘Urueh, e ky nga Ebul-Khitab, e ky nga Ebu Hamza. Ai përdori vetëm nofkat e tyre në mënyrë që t’ua fshihte identitetin e vërtetë, duke bërë kështu tedlis-shujukh. [Tedlis-shujukh ndodh atëherë kur dijetari i hadithit e fsheh identitetin e transmetuesve duke përdorur pseudonime apo llagape nëpërmjet të cilave ai bëhet i panjohur për shumë nga njerëzit.]

Asnjë nga studentët nuk arriti ta gjurmonte këtë zinxhir dhe t’i identifikonte transmetuesit e tij përveç Bukharit, i cili i identifikoi saktësisht që të gjithë ata.

Edhe në raste të tjera shokët e tij e kanë testuar Bukharin për njohuritë dhe kujtesën që kishte rreth haditheve dhe zinxhërëve të transmetimit.

Në Samarkand u mblodhën për shtatë ditë me rradhë katërqind studentë të hadithit për ta kapur mat Bukharin. Ata i përzienin zinxhirët e transmetimit me hadithe të ndryshme në mënyrë që ai të ngatërrohej. Por ai asnjëherë nuk u e humbiste kontrollin.

Një nga testimet më me nam që i kanë bërë Bukharit është ajo që ka ndodhur në Bagdad. Atëherë ishte ende i ri, por fama që gëzonte ia kishte kaluar moshës së tij. Njerëzit e Bagdadit mezi sa po prisnin ta takonin këtë dijetar të ri e të talentuar. Dijetarët e Bagdadit ishin përgatitur që para ardhjes së Bukharit. Kur mbërriti, ata filluan t’i lexonin hadithet. Ishin dhjetë dijetarë dhe secili prej tyre do t’i lexonte dhjetë hadithe, ndërsa ai ishte i detyruar që të përgjigjej, “Nuk e di [këtë hadith].” Ata që ishin të pranishëm nuk ishin në dijeni se çfarë po ndodhte dhe kështu filluan të shikonin njëri-tjetrin të habitur dhe dyshuan për aftësitë e tij. Kur mbaruan të dhjetë dijetarët, Bukhari filloi t’i thoshte nga e para të njëqind hadithet në formën e tyre të saktë, kjo për shkak se dijetarët i kishin përzier hadithet me zinxhirët e gabuar. Bukhari i tha të gjitha hadithet me zinxhirët e saktë përkatës. Ibn Haxher el-Askalani tha duke komentuar këtë ndodhi: “Nuk është për çuditur nga fakti që Bukhari i korrigjoi gabimet e tyre (të qëllimshme) ngase ai ishte një dijetar i hadithit. Ajo që është akoma më e mahnitshme se njohuria e tij për gabimet është se ai ishte i aftë që t’ua thoshte atyre sërish hadithet sipas rradhës edhe pse i dëgjoi ata vetëm një herë.”

Lavdërimet e dijetarëve për Imam Bukharin:

Imam Bukhari u lavdërua thuajse nga të gjithë dijetarët e kohës së tij dhe ata që erdhën më pas. Ibn Haxher el-Askalani ka thënë: “Nëse do t’i shkruanim të gjitha lavdërimet e dijetarëve për të, fletët nuk do të kishin të sosur…”

Shejkhul-Albani ka thënë: “Bukhari nuk ka nevojë për tezkije sepse Allahu i ka bërë tezkije atij duke e bërë librin e tij më të pranuarin tek Muslimanët, mbas Kur’anit, pavarsisht mosmarrëveshjeve që gjenden midis Muslimanëve në çështje të ndryshme.”

Imam Ahmed Ibn Hanbel ka thënë: “Khurasani kurrë nuk ka nxjerrë ndonjë njeri si Muhamed Ibn Ismail (el-Bukhari).”

Imam Bukhari ka thënë: “Kurrë nuk e kam ulur veten time para dikujt përveç mësuesit tim Ali Ibnul-Medini.” Kur ia përcollën këto fjalë Ali Ibnul-Medinit, ai tha: “Mos ua vini veshin fjalëve të tij. Bukhari kurrë nuk ka parë ndonjë njeri që të jetë i ngjashëm me të.”

Imam Tirmidhi ka thënë: “Nuk kam parë ndonjë njeri më të ditur në fushën e defekteve të transmetuesve (el-‘Ilel) sesa Imam Bukhari.”

Muhadithi Ibn Khuzejme ka thënë: “Kurrë nuk kam takuar ndonjëherë poshtë një tavani të lagësht njeri më të ditur rreth Hadithit Profetik sesa Imam Bukhari.”

Imam Muslim Ibn Haxhaxh ka hyrë tek Imam Bukhari, e ka puthur në ballë dhe i ka thënë: “O mësues, o mësues, o prijësi i Muhadithëve, o Doktori i Hadithit, më lejo të të puth këmbët.”

Veprat e tij:

Imam Bukhari ka shkruajtur shumë vepra, nga të cilat më e famshmja dhe më e pranuara prej tyre është el-Xhami’us-Sahijh. Ai ka dhënë tërë energjitë e tija në përpilimin e kësaj vepra, për të cilën ai vetë ka thënë se para se të shkruante çdo hadith, merrte gusul dhe i falte dy rekate istikhare. Ai e ka përpiluar atë në bazë të 600.000 haditheve që kishte mbledhur dhe për ta përfunduar këtë libër iu deshën 16 vjet dhe e ka shkruajtur atë 3 herë. Një numër prej 90.000 studentësh e kanë mësuar Sahihun me Imam Bukharin; ka patur raste kur në mexhliset e tij merrnin pjesë gati 30.000 studentë. Nuk ka hadith tek ky libër për të cilin ai të ketë patur ndonjë hije dyshimi për saktësinë e tij, kjo për shkak të kushteve shumë të forta që kishte caktuar për çdo hadith që transmetonte. Është thënë se Sahihu i tij është libri më i saktë pas Kur'anit.

Nga veprat e tjera që ka shkruajtur Imam Bukhari përmendim:

  • Kadaja es-Sahabe uet-Tabi’ijn, e cila është vepra e tij e parë, ndërkohë që ai ishte vetëm 18 vjeç.
  • Tarijkhul-Kebir, vepër të cilën e shkroi gjatë qëndrimit të tij në Medine
  • Khalk Ef’alil-Ibad
  • Kitabul-Uahidan
  • Kitab Edebil-Mufrad
  • Kitabud-Duafaa`
  • Xhuz Raf el-Jedejn
  • Xhuzul-Kira`eti Khalf el-Imam
  • Xhami’ el-Kebir
  • Tefsirul-Kebir
  • Kitabul-Ilel
  • Kitabul-Menakib
  • Kitabul-Hibah
  • Esma`us-Sahabeh

Është thënë se Imam Bukhari ka shkruajtur edhe një tefsir të Kur’anit, por kjo vepër ose ka qenë pjesë e Sahihut të tij ose ka humbur kohë më përpara.

Shpjegimi i Sahijhut të Bukharit:

Autori i librit Keshfudh-Dhanun ka përmendur një total prej 82 shpjegimesh të ndryshme të Sahihut të Bukharit, nga të cilët përmendim:

  • Fet’hul-Barij bi Sherh Sahijhul-Bukhari nga Ibn Haxher el-Askalani, vepër kjo që përmban një nga shpjegimet më të mira të Sahihut të Bukharit.
  • Fet’hul-Barij Sherh Sahijhul-Bukhari nga Hafidh Ibn Rexheb el-Hanbelij, i cili nuk arriti ta përfundonte.
  • Irshadus-Saari nga Shihab Ahmed Ibnul-Khatib el-Kastalani (v.923H).
  • Umdetul-Karij nga Bedrud-Din el-Ajni (v.855H).
  • A’lamus-Sunen nga el-Khatabi.
  • Sherh Ibn Battal nga Ibn Bettal.

etj…

Vdekja e tij:

Ibn ‘Adijj ka thënë: E kam dëgjur ‘Abdul-Kuddus Ibn ‘Abdul-Xhebbar es-Semerkandi të thotë: “Muhamed Ibn Isma`il shkoi në Khartank, një fshat rreth 6 milje nga Semerkandi. Atje ai kishte disa të afërm të tij dhe qëndroi me ta. Dhe një natë e dëgjova duke bërë dua pasi që mbaroi namazin e natës: “O Allah, toka është bërë e ngushtë për mua pavarsisht gjerësisë së saj, prandaj më merr tek Ty.” Dhe nuk kaloi një muaj dhe ai vdiq. Varri i tij gjendet në Khartank.”

Ibn ‘Adijj ka thënë gjithashtu: E kam dëgjuar el-Hasen Ibnul-Husejn el-Bezzaz el-Bukhari të thotë: “Bukhari vdiq një natë para ditës së shtunë, natën e Fitër Bajramit, në kohën e namazit të Jacisë, dhe u varros mbas namazit të Drekës, ditën e Bajramit, në vitin 256 Hixhrij. Ai jetoi 62 vjet pa 13 ditë.”

Allahu e mëshiroftë Imam Bukharin dhe e bashkoftë në Xhenetet e Larta me të Dërguarin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), me Sahabët (radij-Allahu ‘anhum) me Sadikinët, Imamët e Shërbëtorët e Sunetit.

Përgatiti: Alban Malaj