Autor: Shejkh Abdul-Aziz ibën Baz
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/19318/
Pyetje: Nëse kjo fjalë është hadith, atëherë na e shpjegoni, ajo është: “Me të vërtetë Allahu e largon përmes sulltanit (prijësit) atë që nuk e largon përmes Kuranit”.
Përgjigje: Ky ether njihet nga Uthmani – radijAllahu ‘anhu – dhe është vërtetuar saktësisht nga Uthman bin Affani, Khalifeja i drejtë dhe i treti më radhë – radijAllahu ‘anhu. Po ashtu, kjo transmetohet edhe nga Umeri – radijAllahu ‘anhu: “Me të vërtetë Allahu e largon përmes sulltanit atë që nuk e largon përmes Kuranit”. Kjo do të thotë: se Allahu e ndalon përmes sulltanit bërjen e harameve më shumë se sa ndalon përmes Kuranit.
Sepse disa njerëz janë të dobët me iman dhe ndalesat që janë në Kuran, nuk kanë ndikim tek ata. Bile ai bën harame dhe nuk çanë kokën, por kur merr vesh se ka dënim nga sulltani, stepet dhe ka frikë nga ndëshkimi i sulltanit. Pra, (fjala): “Allahu e largon përmes sulltanit”, d.m.th. dënimet e sulltanit. Allahu i ndalon përmes dënimeve disa kriminel, më shumë se sa i ndalon ata përmes Kuranit, ngaqë ata kanë iman të dobët dhe fort pak ia kanë frikën Allahut – Subhanehu ue Te’ala. Por ata kanë frikë nga sulltani se mos i dënon, apo t’i rreh, apo t’ua marrë pasurinë apo t’i ndjekë nga shteti, kështu që ata kanë frikë.
Pra, ata ndalen së bëri nga disa vepra të këqija për të cilat kanë frikë nga dënimi i sulltanit. Imani i tyre është i dobët, prandaj ata nuk ndalen përmes ndalesave të Kuranit për shkak të imanit të dobët dhe dijes së paktë. Nuk ka fuqi e as forcë përveç Allahut. Allahu ua shpërbleftë me të mira.
Përktheu: Jeton Shasivari