Bismilah...

Autor: Shejkh Sulejman bin SelimuLlah Ruhejli

Burimi: http://www.sualruhaily.com/play.php?catsmktba=959

Burimi: Sherhu Akideti el-Uasitijeh, mësimi 4, min. 52:45

 

 

Ndoshta të vërsulet ai që është i vogël në moshë, që është mendjelehtë dhe që ka pak dituri; një lastar që ende nuk është forcuar – siç është puna e disave që janë fryrë saqë kanë bërë bujë të madhe. Ata kanë zëra të lartë, trupmëdhenj, ndërsa përbrenda janë bosh. Shujukh-ët (dijetarët) e internetit, të cilët nuk kanë terren tjetër veçse internetit dhe nuk u bëjnë dobi njerëzve me atë që kanë dijetarët. Këta dijetarë të internetit janë të ngutur, edhe pse tek ata ka mirësi, në origjinë. Ai që ngutet të arrijë një gjë para se t’i vijë koha e saj e volitshme, do ndëshkohet me privimin e asaj gjëje.

 

Është detyrë që ata të braktisen, të braktisen në aspektin e diturisë, duke mos i ngritur sipër nivelit të tyre dhe duke mos iu kthyer atyre në ato gjëra që u kthehen dijetarëve (ulemave), siç janë dhënia e fetvave dhe të ngjashmet si këto. Kurse nxënësit e vegjël të dijes, të cilët njihen se kanë dije dhe e kërkojnë dijen, e kërkojnë dijen te dijetarët, kanë edukatë me dijetarët, këta duhet të inkurajohen dhe të këshillohen duke u dhënë udhëzime dhe të mos zhvlerësohet pozita e tyre. Madje, ata duhet të inkurajohen dhe të nxiten që ta përcjellin mirësinë e dijes që kanë mësuar, porse ata këshillohen në mënyrë që të mos kalojnë përtej pozitës së tyre.

 

O vëllezër, është obligim që të bëhet dallim midis nxënësve të vegjël të dijes – me të vegjël kemi për qëllim ata që sapo kanë filluar të kërkojnë dituri  dhe të gjithë ne jemi të vegjël në dije – ata të cilët e kërkojnë dijen dhe kanë edukatë me dijetarët, këta nuk duhet t’i qortojmë, nuk duhet që ta nënçmojmë pozitën e tyre, nuk duhet që zhvlerësojmë pozitën e tyre, por duhet që t’i inkurajojmë, t’i respektojmë, dhe t’i vlerësojmë, kurse vlerësimi i nxënësve të dijes që duhet të kenë ndaj dijetarëve është më parësor ndaj vlerësimit që kanë të tjerët për ta. Pa dyshim se nxënësit e dijes janë prej begative të Allahut për një dijetar (‘aalim) apo për një shejkh. Po ashtu, t’i nxisim ata që të përhapin mirësitë duke ia bashkuar kësaj edhe udhëzimet për ta.

 

Kurse ata që janë fryrë në internet, nuk e kërkojnë diturinë te dijetarët, nuk kanë edukatë me dijetarët, bëjnë përpjekje duke dhënë mund që të jenë ata pikë referimi e jo dijetarët, me argumentimin apo pretendimin e rremë që përhapin në mesin e njerëzve, e ai pretendim është se ata janë ndërmjetësues midis njerëzve dhe dijetarëve (duke thënë):

 

Nuk mund të kesh lidhje me shejkhun vetëm se duke u lidhur me ne;

Afrohu me ne në mënyrë që ne të të afrojmë ty;

Na pyet neve që ta filtrojmë pyetjen tënde, pastaj ne e pyesin Shejkun dhe e filtrojmë përgjigjen e Shejkhut;

Jo çdo gjë që thonë shujukhët vlen që të publikohet dhe ta marrin vesh njerëzit.

 

SubhanAllah (I Pastër është Allahu nga çdo mangësi)!

 

Kjo po ndodh tani o vëllezër. Këto gjëra i dimë sigurt dhe me bindje të plotë dhe i njohim me siguri autorët e këtyre fjalëve. Realiteti është se ata duan të bëhen pikë referimi për njerëzit.  

 

Ata, gjithashtu i frikësojnë nxënësit e dijes, (duke u thënë):

 

Nënshtrohu!

Përulu!

Bëhu nxënësi ynë!

Na frekuento neve!

Përndryshe do të nxjerrim fjalë prej Shejkhut kundër teje!

 

Ata janë sherr, fitne dhe fatkeqësi. Është detyrë që të dilet përballë tyre për t’i ndalur, nëse nuk pendohen tek Allahu, t’i kthehen Allahut, të ulen në tubimet e dijetarëve dhe t’i lënë këto pretendime të kota. 

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari