Bismilah...

 

Autor: el-Imam Ibn Kajjim el-Xheuzijje (rahimehullah)
Burimi: Kitabul Feua`id (p. 44-45)

Që një hapësirë ta pranojë atë që po vendoset në të, ajo duhet zbrazet nga e kundërta e saj.

Njësoj është edhe me individët dhe objektet. Njësoj është gjithashtu edhe me besimet dhe dëshirat.

Kështu, nëse zemra është e zënë nga dashuria dhe besimi për të pavërtetën, atëherë ajo nuk ka vend për të dashur dhe për të pranuar të vërtetën.

Ashtu si një gjuhë që është e zënë me shprehjen e asaj që s’ka dobi, ashtu edhe poseduesi i saj do ta ketë të pamundur që të shprehë atë që i bën dobi përveç nëse pushon së foluri lidhur me atë që s’ka vlerë.

Gjithashtu, nëse pjesë të ndryshme të trupit janë të zëna duke punuar gjynahe, atëherë është e pamundur që t’i mbash ato të zëna duke punuar vepra të mira përveç nëse ai (poseduesi i tyre) i pastron ato nga e kundërta e tyre.

Njësoj, një zemër e mbushur përplot me dashuri për dikë tjetër në vend të Allahut, që e do atë, digjet nga malli për t’u takuar me të dhe kënaqet kur është në shoqërinë e tij, kjo zemër nuk mund të zihet nga dashuria për Allahun, ta dojë Atë dhe të ketë mall për Të përveç se duke e zbrazur atë (zemrën) nga lidhja pas të tjerëve në vend të Tij (Allahut).

Dhe gjuha nuk mund të lëvizë për ta përkujtuar Atë dhe as pjesët e trupit nuk mund të lëvizin në shërbim të Tij përveç nëse ai (zotëruesi i tyre) i pastron ato nga përkujtimi dhe shërbimi i të tjerëve në vend të Tij.

Kështu, nëse zemra është e zënë përplot me krijesa dhe dituri që nuk kanë ndonjë dobi, atëherë në të nuk ka vend që të zihet nga (dija për) Allahun dhe njohja e Emrave, Cilësive dhe Ligjeve të Tij. Dhe sekreti i kësaj është se dëgjimi i përqendruar (isga) i zemrës është si dëgjimi i përqendruar i veshëve (isga), prandja nëse ai dëgjon fjalë të tjera në vend të fjalës së Allahut, atëherë (zemra) nuk do të ketë ndonjë vend për të dëgjuar apo për të kuptuar Fjalën e Allahut.

Ashtu sikur ai të anojë nga dashuria për të tjerët në vend të Allahut, atëherë ai nuk do të ketë vend për të anuar nga dashurinë për Allahun.

Nëse zemra shpreh përkujtim për dikë tjetër në vend të përkujtimit të Allahut, atëherë ajo nuk do të ketë ndonjë vend për të shprehur përkujtimin e Tij duke përdorur gjuhën.

Prandaj gjejmë tek një transmetim i saktë nga Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se:

Është më mirë që gojët tuaja të jenë të mbushura plot me qelb derisa të prishen sesa të jenë plot me poezi.”1


 

Ai pra e bëri të qartë se një gojë mund të jetë plot me poezi dhe kështu ajo do të jetë e mbushur plot me dyshime, trillime dhe gjëra që nuk egzistojnë. Gjithashtu, dituritë të cilat nuk kanë ndonjë dobi, barcaletat, komeditë, historitë e kështu me rradhë, nëse zemra është e mbushur plot me to, atëherë kur asaj i vijnë të vërtetat e Kur’anit dhe shkencat që e bëjnë atë të përjetojë funksionim të plotë dhe lumturi, ajo nuk ka për të gjetur ndonjë vend bosh në veten e saj dhe nuk ka për t’u pranuar (prej tyre). Kështu, ato e lëshojnë atë (zemrën) dhe shkojnë drejt një vendi tjetër.

Nëse i jep këshillë një zemre që është e mbushur plot me të kundërtën e saj, ajo (këshilla) nuk ka për të gjetur ndonjë rrugë drejt saj dhe (zemra) nuk do ta pranojë. Ajo (këshilla) nuk hyn brenda saj por vetëm kalon afër saj për pak çaste dhe nuk depërton brenda saj. Prandaj është thënë

Pastroje zemrën tënde nga çdo njeri tjetër përveç Nesh dhe do të na gjesh
Ngase Lartësia Jonë pajtohet me çdo zemër qelibar
Dhe durimi është sënduku i thesarit të lidhjes mes Nesh
Ai që e pajton zemrën e tij me të, e fiton atë thesar.

 

1 Transmetuar nga Sa’d Ibn Ebu Uekas (radij-Allahu anhu) në Sahih Muslim, Kitabush-Shi’ir (Libri i Poezisë) [27/5610].

 

Përktheu Alban Malaj