Bismilah...

 

Autor: Ibnul-Kajjim el-Xheuzijje (Allahu e mëshiroftë)
Burimi: el-Feuaid (n. 112)

Nga shenjat e lumturisë dhe gëzimit është se sa herë robi që bën ibadet e shton dijen e tij, atij i shtohet përulësia dhe mëshira. Sa herë që i shton veprat e ibadetit, atij i shtohet frika dhe maturia. Sa më shumë që i kalon mosha, aq më shumë i zvogëlohet lakmia. Sa herë që i shtohet pasuria, atij i shtohet bujaria dhe shpenzon akoma më tepër. Dhe sa herë që ngrihet në status dhe pozitë, ai bëhet akoma më i afërt tek njerëzit dhe i përmbush nevojat e tyre dhe është i përulur, modest me ta.

Dhe nga shenjat e mjerimit është se sa herë një rob që bën ibadet e shton dijen, atij i shtohet arroganca. Sa herë që i shton veprat e ibadetit, atij i shtohen mburrjet dhe i poshtëron njerëzit ndërsa vet përfiton nga dyshimet.

Dhe sa herë që ngrihet në status dhe pozitë, atij i shtohet arroganca dhe egoizmi.

 

Të gjitha këto gjëra janë fitne nga Allahu dhe një sprovë me të cilat Ai sprovon robërit e Tij dhe nëpërmjet tyre disa njerëz arrijnë lumturinë kurse të tjerë mjerimin.

Poashtu, njerëzit i nderojnë dhe i çmojnë disa gjëra të cilat janë sprova, siç është prona, pozita dhe pasuria. Allahu thotë për Pejgamberin e Tij, Sulejmanin, kur ai pa fronin e Belkisës para vetes (kuptimi ajetit në gjuhën shqipe):

Kjo është nga Mirësia e Allahut, për të më sprovuar mua nëse do të jem mirënjohës apo mosmirënjohës!” [Neml, 40]

Kështu pra, begatitë janë sprova nga Allahu të cilat nxjerrin në shesh mirënjohjen e atij që është mirënjohës dhe mosmirënjohjen e atij që është mosmirënjohës. Dhe poashtu, vështirësitë janë sprova nga Allahu i Lartësuar. Ai të sprovon me begati dhe të sprovon me vështirësi.

Allahu thotë (kuptimi ajetit ne gjuhën shqipe):

Sa për njeriun, të cilin Zoti i tij e provon duke i dhënë atij nderime e mirësi, atëherë ai thotë (i krekosur): “Zoti im më ka nderuar.” Por kur Ai e provon atë me shtrëngim të të mirave të jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar!”” [Fexhr, 15-16]

Me fjalë të tjera, nuk është e thënë që çdo njeriu të cilit Unë po ia shtoj nderin dhe begatitë, se kështu Unë po e nderoj atë. Dhe nuk është e thënë se cilitdo që Unë ia pakësoj furnizimin dhe e sprovoj, Unë po e poshtëroj atë.

 

Përktheu Alban Malaj