Bismilah...

Ibnul-Kajjim

Burimi: Medarixhus-Salikin, 1/177-178



Ibnul-Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

"Ndoshta ajo çfarë kishte për qëllim ai, mund të jetë që kritika që ti po i bën vëllait tënd për gjynahun e tij është një gjynah akoma më i madh sesa gjynahu i tij, ngase ajo do të thotë se ti ndihesh kryelartë me bindjen tënde, mburresh me të dhe pretendon se je i pastër nga gjynahu, kurse vëllai yt ka rënë në gjynah. Por mundet që ndjenja e tij e përuljes për shkak të gjynahut që bëri dhe asaj çfarë i ndodhi, si dhe përulësia dhe nënshtrimi i tij duke menduar për veten se është i ulët, duke u distancuar nga pretendimi i devotshmërisë, duke u distancuar nga arroganca dhe pëlqimi i vetvetes, qëndrimi kokëulur para Allahut dhe me shikim të ulur e zemër të copëtuar - mundet që e gjithë kjo të jetë shumë herë më e mirë për të sesa ndjenja e krenarisë që ke ti për bindjen tënde, duke menduar se ti po bën më shumë vepra të mira, kështu që ti je i rëndësishëm dhe këtë ia kujton Allahut dhe njerëzve.

Sa pranë Mëshirës së Allahut që është ky gjynahqar dhe sa pranë Zemërimit të Allahut që është ky mendjemadh! Një gjynah që të shpie në përulësi është më i dashur tek Ai sesa një ibadet i cili e mbush robin me mendjemadhësi. Nëse ti flen gjatë gjithë natës dhe zgjohesh me ndjenjën e keqardhjes (që nuk fale namaz nate), ajo mund të jetë shumë herë më e mirë sesa sikur të faleshe gjatë gjithë natës dhe pastaj kur të çoheshe në mëngjes të të hynte vetja në qejf. Ngase veprat e atij të cilit i pëlqen vetja nuk janë të pranuara.Ndoshta e qeshura jote ndërkohë që i pranon gabimet e tua është më e mirë sesa të qarit me devotshmëri, ndërkohë që të ka kapluar mendjemadhësia. Rënkimi i gjynahqarëve është më i dashur tek Allahu sesa dhikri (tesbihu) që bën mendjemadhi. Mundet që nga ky gjynah Allahu do të bëjë atë që të pijë ilaçin që do ta shërojë nga një sëmundje shkatërrimtare nga e cila vuan edhe ti, por ti nuk e kupton atë. Allahu ka arsye për atë çfarë i bën qoftë atyre që janë të bindur, qoftë atyre që bëjnë gjynahe, të cilët nuk i njeh askush tjetër përveç Tij dhe nuk i kuptojnë veçse ata që janë mendjemprehtë dhe vetëm brenda kufijve të kuptimit njerëzor, e përveç kësaj ka arsye të tjera të cilat nuk i njohin as melekët fisnikë të cilët mbajnë shënimet. Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: "Nëse robëresha e ndonjërit prej jush bën zina, zbatoni masën ndëshkimore mbi të dhe mos e shani."


Dhe Jusufi (alejhis-selam) tha:



قَالَ لَا تَثْرِيبَ عَلَيْكُمُ الْيَوْمَ

"Asnjë qortim për ju këtë ditë." [Jusuf, 92]



Ngaqë peshorja është në Dorë të Allahut dhe vendimi është i Tij. Çështja është që të zbatohet masa ndëshkimore (që ka vendosur Allahu) dhe jo të turpërosh e të poshtërosh. Askush nuk ndihet i sigurt nga ajo që është caktuar për ta dhe nga fuqia e caktimit të Tij, përveç se ata që janë injorantë në lidhje me Allahun.

Allahu i tha atij që kishte dije rreth Tij më shumë se çdokush tjetër dhe ishte më i afërti tek Ai:



وَلَوْلَا أَن ثَبَّتْنَاكَ لَقَدْ كِدتَّ تَرْكَنُ إِلَيْهِمْ شَيْئًا قَلِيلًا

"Dhe sikur Ne të mos të kishim bërë ty të qëndrueshëm e të paepur, ti pothuaj do të kishe anuar pak nga ata." [Isra, 74]

Dhe Jusufi ka thënë:


قَالَ رَبِّ السِّجْنُ أَحَبُّ إِلَيَّ مِمَّا يَدْعُونَنِي إِلَيْهِ ۖ وَإِلَّا تَصْرِفْ عَنِّي كَيْدَهُنَّ أَصْبُ إِلَيْهِنَّ وَأَكُن مِّنَ الْجَاهِلِينَ

"Nëse Ti nuk e largon kurthin e tyre prej meje, unë do të ndjehem i dhënë pas tyre dhe do të jem (prej atyre që gabojnë e bëjnë gjynahe) prej të paditurve." [Jusuf, 33]


Një nga mënyrat se si betohej i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ishte:

"Jo, pasha Atë që i lëviz zemrat."

Dhe ai ka thënë:

"Nuk ka asnjë zemër që të mos jetë midis dy Gishtave të Rrahmanit. Nëse Ai do, Ai e udhëzon atë në rrugë të drejtë; dhe nëse Ai do, Ai e humb atë."


Pastaj ai tha:

"O Allah, Lëvizësi i zemrave, forcoji zemrat tona në ndjekjen e Fesë Tënde. O Allah, Pastruesi i zemrave, pastrona zemrat tona që ato të binden Ty."



Përktheu Alban Malaj