Bismilah...

 

Autor: el-Hafidh Ebu Hatim Muhamed Ibn Hibban
Shkëputur nga: Raudatul-‘Ukala’ ue Nuz’hetul-Fudala’, fq. 49


Na ka njoftuar Muhamed Ibnul-Husejn Ibn Kutejbeh në ‘Askalan: na ka treguar Ibrahim el-Hauarani: na ka treguar Bekr Ibn Shu’ajb: na ka treguar Ibn Ebij Hazim nga babai i tij, nga Sehli (radij-Allahu ‘anhu), i cili ka thënë: Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

لا خير في صحبة من لا يرى لك من الحق مثل ما ترى له .

Nuk ka mirësi tek ai shok i cili nuk i ruan për ty të njëjtat të drejta që ti i ruan për të.

Tha Ebu Hatim, Allahu qoftë i kënaqur me të:

“Është detyrë për njeriun e mençur të cilin e ka bekuar Allahu që të ketë dashuri për Muslimanin, që t’i qëndrojë atij pranë. Ai duhet të mësohet që t’i mbajë lidhjet me të nëse ai i shkëput ato, të kthehet nga ai nëse ai i kthen shpinën, t’i japë atij nëse ai nuk i jep, t’i afrohet atij nëse ai largohet prej tij, aq sa ky të jetë si një shtyllë në jetën e tij. Është nga gabimet më të mëdha për njeriun që ai të jetë me dy fytyra në dashamirësinë e tij.

 

 

El-Muntasir Ibn Bilal el-Ensari më recitoi (këto vargje):

“Sa herë shoku të shfaqë dashamirësi me gjuhën e tij,
Por ai të ha në besë pa kurrëfarë keqardhjeje,
Ai ma bën qejfin me pahir që t’i sillem me dashamirësi,
Sakaq, fjalët e tij në mungesën time më godasin si shigjeta mbas shpine.”

 

Tha Ebu Hatim, Allahu qoftë i kënaqur me të:

“Njeriu i mençur nuk mashtrohet nga dashuria e tij; ai nuk ka dy fytyra apo dy zemra. Por, ajo që mban përbrenda përputhet me atë që shfaq dhe veprat e tij përputhen me fjalët e tij. Nuk ka mirësi në dy shokë, mes të cilëve shtohen problemet dhe gjendja e tyre bëhet akoma më e shthurur, sikurse më recitoi edhe ‘Abdul-‘Azijz ibn Sulejman el-Ebrash:

 

“Allahu e turpëroftë atë që nuk i bën dobi
kur të tjerët me të sillen me dashamirësi,
dhe atë që mrrolet nëse ndihmë i kërkohet,
dhe atë që është me dy ngjyra,
në lidhjet e tij është tadhëtar i çdo besniku,
dhe atë i cili ka dy zemra,
takimi me të cilin është i këndshëm,
kurse në mungesën tënde ai është i pabesë,
dhe atë të cilit po t’i flisnin sytë,
do t’i kishte prerë të gjitha lidhjet e shoqërisë.”

 

Kurse ‘Amru Ibn Muhamed en-Nesa’i më recitoi:

“Sytë nxjerrin në shesh atë çfarë ka në shpirt,
ç’kado gjendet aty, urrejtje apo dashuri
ai që të ka inat dallohet që nga sytë,
se shikimi i tij nuk e fsheh dot atë që mban në gji,
Sytë flasin edhe pse goja nuk flet,
e çfarë ka përbrenda zemrës së tij ti e shikon fare qartë.”

 

Kurse ‘Ali ibn Muhamed el-Basami më recitoi:

“Komshiu vazhdon të më hedhë fjalë therëse
të cilat ma prishin gjumin e nuk më lënë rehat,
dashuria e tij për ata që i rrinë pranë është shumë e largët,
madje ajo është inat dhe refuzon të jetë dashuri,
ai shpejton të japë selam kur takohemi,
kurse nën brinjët e tij gjendet një zemër e sëmurë.”

 

E kam dëgjuar Muhamed Ibnul-Mundhir të thotë: E kam dëgjuar ‘Abdul-‘Azijz ibn ‘Abdilah të thotë: Muhamed Ibn Hazim ka thënë:

“Ka prej vëllezërve që mrrolen në fytyrë,
dhe vëllezër që të thonë “Tungjatjeta” dhe “Mirëse erdhe”,
dhe vëllezër që të thonë: “Si jeni, si e keni familjen”,
por të gjitha këto nuk peshojnë as sa një kokërr rërë.
Është tej mase bujar kur s’të hyn në punë pasuria e tij,
E të thotë: “Unë të jap hua nëse ke nevojë”,
Por, nëse do të merrje mundimin të shihje çfarë mban përbrenda
Do të shikoje se pasuria e tij është shumë herë më e madhe se ç’mendon ti.”

 

Ebu Hatim, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha:

“Njeriu i mençur nuk bëhet shok me atë që është dyfytyrsh dhe nuk bëhet vëlla me atë që shumë shpejt ndryshon dhe nuk shfaq më shumë dashuri se ç’ka në zemër, dhe nuk mban të fshehur një dashuri më të vogël se ajo që shfaq. Në raste të vështira ai nuk shndërrohet në tjetër person por mbetet ai që që ishte para se të shfaqej kjo vështirësi apo para se të përfshihej në të, ngase një vëllazëri e tillë nuk vlen asgjë.

 

Një burrë nga fisi Khuza’a i recitoi Muhamed ibn Khalef et-Tejmit, i cili i recitoi Muhamed Ibnul-Mundhirit, i cili ma recitoi mua:

“Nuk është vëllai im ai i cili e shfaq dashurinë me gojë,
por vëllai im është ai që ma shfaq dashurinë kur jam në vështirësi,
është ai, pasuria e të cilit është edhe e imja nëse nuk kam asgjë,
ashtu sikurse pasuria ime është e tija nëse ai do kishte nevojë.
Prandaj, mos e lavdëroni shokun në rehati,
Se ndoshta gjatë vështirësive ai mund ta hedhë shoqërinë mbas shpine,
Ai s’di gjë tjetër veç “Mirë jeni” dhe “Mirësevini”,
Por me pasurinë e tij ai është një dhelpër dinake.”

 

 

Përktheu: Alban Malaj