Autor: Shejkhul-Islam Ibën Tejmijjeh – rahimehUllah
Burimi: Minhaaxh es-Sunneh en-Nebeuijjeh, vëll.8/fq.78-79
Njeriu më trim ka qenë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, sikurse është transmetuar në dy Sahihët, nga Enesi, i cili ka thënë:
قَالَ : كَانَ النَّبِيُّ - صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ - أَحْسَنَ النَّاسِ ، وَكَانَ أَجْوَدَ النَّاسِ ، وَكَانَ أَشْجَعَ النَّاسِ ، وَلَقَدْ فَزِعَ أَهْلُ الْمَدِينَةِ ذَاتَ لَيْلَةٍ ، فَانْطَلَقَ نَاسٌ قِبَلَ الصَّوْتِ ، فَتَلَقَّاهُمُ النَّبِيُّ - صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ - رَاجِعًا وَقَدْ سَبَقَهُمْ إِلَى الصَّوْتِ ، وَهُوَ عَلَى فَرَسٍ لِأَبِي طَلْحَةَ عُرْيٍ ، فِي عُنُقِهِ السَّيْفُ ، وَهُوَ يَقُولُ: "لَنْ تُرَاعُوا .
“Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka qenë njeriu më i mirë, ka qenë njeriu më bujar, ka qenë njeriu më trim. Një natë, u trembën banorët e Medines dhe dolën në drejtim të vendit nga erdhi zëri, mirëpo rrugës i takoi Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, i cili po kthehej hipur mbi kalin e Ebu Talhas, pa shalë e pa frerë, kurse shpatën e kishte varur në qafë, pasi që kishte shkuar para tyre te vendi nga kishte ardhur zëri. Ai u tha: “Mos u frikësoni!””
Tha Bukhari: “Ai u doli atyre përpara dhe e kishte marrë me kohë haberin (se çfarë kishte ndodhur).”
Kurse në Musned është transmetuar nga ‘Aliu – radijAllahu ‘anhu – se ai ka thënë:
كَانَ إِذَا اشْتَدَّ الْبَأْسُ اتَّقَيْنَا بِرَسُولِ اللَّهِ - صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ - فَهُوَ كَانَ أَقْرَبَ إِلَى الْعَدُوِّ مِنَّا.
“Kur gjendeshim në pozitë shumë të vështirë, ne mbroheshim me të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, sepse ai ishte më afër armikut sesa ne.”
Trimëria shpjegohet me dy gjëra: e para është fuqia e zemrës dhe palëkundshmëria e saj në kohë frike; kurse e dyta është fuqia luftuese me trup, duke vrarë një numër të madh dhe me mjeshtëri të madhe.
E para është trimëria, kurse e dyta tregon për fuqinë e trupit dhe të veprës së tij. Mirëpo jo çdokush që ka trup të fortë ka edhe zemër të fortë, si dhe jo çdokush që ka trup të dobët ka edhe zemër të dobët. Prandaj shikon se njeriu që vret shumë veta, lufton nëse ka mbas vetes njerëz nga të cilët ndihet i sigurtë, ama nëse trembet, atë e zë frika dhe zemrën e tij e kaplon tmerri. Nga ana tjetër, shikon se njeriu që ka zemër të palëkundur, i cili nuk ka vrarë me duart e tij shumë njerëz, qëndron i patundur përballë rreziqeve, u del përpara situatave të vështira. Kjo cilësi u nevojitet udhëheqësve, komandantëve të pararojës së luftës, më shumë sesa cilësia e dytë (fuqia e trupit), sepse ai që është në ballë të ushtrisë, nëse është zemër trim dhe i patundur, do të marshojë përpara, do të jetë i paepur dhe s’do të mundet, e bashkë me të do të luftojnë edhe ndihmëtarët e tij. Ama nëse ai është frikacak dhe zemër mekur, do të dorëzohet, nuk do të vazhdojë përpara dhe nuk do të bëjë qëndresë, edhe nëse ai ka trup të fuqishëm.
Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, ka qenë njeriu me trimërinë më të plotë, të cilën duhet ta kenë patjetër udhëheqësit e luftës, por megjithatë ai ka vrarë me dorën e tij veçse Ubej Ibën Khalefin, të cilin e vrau në betejën e Uhudit, dhe s’ka vrarë asnjë njeri tjetër, as më përpara atij dhe as mbas tij. Ai ishte më trimi nga të gjithë Sahabët, aq sa pjesa më e madhe e Sahabëve u mundën ditën e Hunejnit, kurse ai, i hipur mbi mushkë – dhe mushka as nuk sulmon dot përpara dhe as nuk ia mbath dot me të katra – e shtynte atë në drejtim të armikut dhe thoshte:
أَنَا النَّبِيُّ لَا كَذِبْ أَنَا ابْنُ عَبْدِ الْمُطَّلِبْ!
“Unë jam Profeti dhe kjo nuk është gënjeshtër! Unë jam i biri i ‘Abdul-Muttalibit!”
Pra, ai përmendi emrin e tij, ndërsa Sahabët e tij u tërhoqën dhe e lanë atë, armiqtë po vinin në drejtim të tij dhe ai po ashtu po shkonte në drejtim të armiqve, hipur mbi mushkën e tij, kurse ‘Abbasi e mbante mushkën nga frerët.
Madje ‘Aliu dhe Sahabë të tjerë mbroheshin me të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, sepse ai ishte më trim sesa ata, ndonëse ndonjëri prej tyre mund të kishte vrarë më shumë veta me dorën e tij, se sa kishte vrarë Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem.
Përktheu: Alban Malaj