Bismilah...

Shejkh Sulejman Ruhejli


 

Pyetësi thotë: Nëse Allahu e do një person, e sprovon atë, prandaj në qoftë se një person e kanë kapluar fatkeqësitë, a është kjo argument se Allahu e do këtë musliman?

Përgjigje nga Shejkh Sulejman Rruhejli:

Tregoni vëmendje o vëllezër, për sa i përket sprovës në përgjithësi, ajo ka dy shkaqe:

Shkaku i parë: Pakujdesia e robit ndaj gjynaheve. Kështu që, ai do të goditet me fatkeqësi për shkak të gjynaheve të tij.

Shkaku i dytë: Të metat e muslimanit. Kjo do të thotë se Allahu dëshiron për të një gradë në Xhennet, por ai (robi) nuk e arrinë dot atë me veprat e tij. Andaj, Allahu u thotë melaikeve,‘Lëshoni mbi të fatkeqësi,’ me qëllim që të ngritet grada e tij, dhe këto janë dy çështje.

Në qoftë se njeriu goditet nga një fatkeqësi, atëherë ai duhet të ketë mendim të mirë për Zotin e tij dhe të ketë mendim të keq për veten e tij. Pra, nëse ai shikon në vetveten e tij, le të thotë: "Kjo është nga gjynahet e mia," dhe ne të gjithë bëjmë gabime. Në mënyrë që ta braktis gjynahun. Dhe kur ai vështron në atë që ka të bëj me Allahun e Madhëruar dhe të Lartësuar, thotë: "Ndoshta Allahu ma dëshiron të mirën mua, ndoshta Allahu dëshiron për mua një gradë (në Xhennet)."

Pastaj, disa dijetarë kam dëgjuar të thonë: "Njeriu sa i përket vetes së tij, anon më shumë tek ai aspekti i gjynaheve, ndërsa për sa i përket të tjerëve, ai anon më shumë nga mendimi që kjo u ka ndodhur atyre me qëllim që t'u ngrihen gradat." Do të thotë, nëse kanë zbritur fatkeqësi në veten tënde, atëherë ano më shumë nga ajo anë që ti je sprovuar për shkak të gjynaheve të tua.

Në qoftë se e godet vëllanë tënd një fatëkeqësi, atëherë ano nga ajo anë se Allahu ka dashur t'ia ngrit gradat e tij, kjo është nga aspekti mendimit të mirë për vëllain tënd. Dhe kjo është gjë e mirë.

Disa njerëz në lidhje me këtë, kur e godet ndonjë fatkeqësi vëllain e tij, ia shtojnë akoma më shumë fatkeqsitë. Në vend që ta ngushëllojnë dhe t'ia përmirësojnë gjendjen, ata e bëjnë që të bie akoma më shumë në fatkeqësi. Nëse i ka vdekur ndonjë fëmijë apo nëse i ka nodhur ndonjë aksident, ai vjen dhe i thotë: "O vëlla kjo është pasojë e gjynahave të tua".

Dhe kjo është gabim, edhe pse se kjo mund të jetë e vërtetë. Por ai duhet t'ia përmirësojë gjendjen dhe ta ngushëlloj dhe t’i afrohet me sjellje të mirë dhe të thotë: "O vëllai im, ka disa fatkeqësi që përmbajnë shpërblim, e cila fatkeqësi nuk është kërkuar, kështu që nëse e godasin janë për të mirën e njeriut.”

Siç është vdekja e të birit, vdekja e një fëmiu përmban një shpërblim të madh, porse kjo fatkeqësi nuk është kërkuar, njeriu nuk kërkon që fëmija e tij të vdes, por nëse vdes ka shpërblim të madh, do t'i ndërtohet atij një shtëpi në Xhennet. Dhe unë shpresoj që të jetë kështu për fatkeqsitë e tua."

Ne jemi të mangët, ne jemi mëkatar, ndoshta kemi bërë gjynahe dhe Allahu dëshiron të na falë veprat tona të këqija; dhe të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut.”
(Njeriu duhet të thotë) diçka të këtillë.

 

 

Video në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari