Bismilah...

Autor: Shejkh Abdul-Aziz Bin Baz

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 31/fq. 125-129

 

Pyetja e parë: Si duhet të sillet muslimani me një grua të huaj e cila është kolege pune me të – pa marrë parasysh fenë e saj – dhe me të cilën është e nevojshme që të flasë gjatë punës, për çështjet që lidhen me punën?

Pyetja e dytë: Sa i përket gruas muslimane e cila është punonjëse dhe është e pambuluar, a lejohet t’i jepet selam apo t’ia kthejë selamin asaj muslimani? Po ashtu, cilët janë kufijtë e marrëdhënies midis një burri dhe një gruaje gjatë orarit të punës?

Pyetja e tretë: Natyra e punës e obligon muslimanin që të përzihet me gra punonjëse dhe të shkojë tek to për çështje që lidhen me punën, e ndonjëherë sheh pa dashje tek ato diçka që nuk lejohet të shihet te gratë, sidomos nëse veshjet e tyre nuk janë serioze. Pra, a merr gjynah për këto? Dhe nëse muslimani do që të flasë me një grua, a lejohet ta shohë atë apo duhet të shohë në tokë?

Pyetja e katërt: Është për të njëjtën çështje, pothuajse, se nëse natyra e punës e detyron eprorin musliman që të flasë vetëm për vetëm me punonjësen, a lejohet ta mbyllë derën e zyrës, në mënyrë që të mos dëgjojë kush se ç’po flasin, apo çfarë duhet të veprojë?

Pyetja e fundit: Natyra e komisioneve të blerjes është që të diskutohet vetëm për vetëm me biznesmenët, gjë e cila detyron që përfaqësuesi i biznesmenit dhe komisionerja e blerjeve të  mbyllen në dhomën e mbledhjeve. Dhe ndonjëherë komisionerja është e vetme në mbledhje me dy ose tre burra me dyer të mbyllura. Pra, cili është gjykimi për këto çështje?

Shpresoj të na bëni nder në kurimin e këtyre çështjeve! Allahu ju shpërbleftë me të mira!

 

Përgjigje:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, si dhe lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi Familjen e tij, Shokët e tij dhe mbi këdo që udhëzohet me udhëzimin e tij.

E më pas:

Me të vërtetë që të gjitha këto çështje të cilat i përmendi pyetësi, janë të rëndësishme. Dhe mbi të gjitha, është detyrë që besimtari të mos punojë në mesin e grave. E nëse puna është me gra, atëherë duhet të ruhet nga ajo dhe të zërë një punë tjetër sepse ai është vend fitneje dhe rreziku. Pra, nëse ai ndodhet midis punonjëseve gra, nuk ka dyshim se ai është në rrezik të madh sepse shejtani është përherë i zellshëm që të fusë fitne midis burrit dhe gruas dhe ai është i zellshëm në shkaqet që të çojnë në imoralitet. Kështu që, është detyrë për besimtarin – kudo që të jetë – që të mos pranojë të punojë në një punë ku punojnë gra, po ashtu edhe studenti nëpër universitete e shkolla ku ka përzierje, obligohet që të ruhet nga kjo gjë dhe të studiojë në shkolla e universitete të cilat nuk kanë përzierje me meshkuj e femra, ngase ulja e tij me vajza në banka, në bankat e shkollës, është rrugë që çon në të këqija të mëdha dhe në shthurje të madhe.

Përgjigja për pyetjet që përmendi pyetësi është:

Nëse ai sprovohet me këtë gjë, derisa Allahu të të nxjerrë nga kjo gjendje dhe të të japë rrugëzgjidhje, ai duhet ta ulë shikimin, të ketë kujdes mos ta shohë atë apo bukuritë dhe hijeshitë e saj, porse duhet ta ulë shikimin në tokë e të mos e shohë atë; e nëse rastësisht sheh diçka prej saj, e largon shikimin dhe sheh diku tjetër.

Ka ardhur në transmetim të saktë nga i Dërguari i Allahut – salaAllahu alejhi ue sel-lem – se ai është pyetur për shikimin e rastësishëm dhe tha:

اصرف بصرك

Largoje shikimin tënd.

Dhe në një tjetër transmetim ka thënë:

فإن لك الأولى وليست لك الأخرى

Të lejohet shikimi i parë, por jo i dyti.

Domethënë të lejohet shikimi i parë që ndodh papritur, pa qëllim, kurse shikimi i dytë i cili ndodh me qëllimin e parjes, ai nuk lejohet. Dhe Allahu i Pastër nga çdo mangësi thotë:

قُلْ لِلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ

“Thuaju besimtarëve të ulin shikimet e tyre!” [En-Nur,30]

Dhe thotë i Pastri nga çdo mangësi po ashtu:

وَقُلْ لِلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ

“Dhe thuaju besimtareve të ulin shikimet e tyre!” [En-Nur,31]

Pra, besimtari e ka obligim që ta ulë shikimin e tij, e nëse sheh diçka rastësisht, pa qëllim, duhet ta heqë shikimin e tij. Nëse ai ndeshet me atë papritur te dera apo ajo ndeshet me të te dera, ai duhet ta heqë shikimin e tij dhe Allahu e fal shikimin e parë i cili ndodh papritur dhe nuk e bën me qëllim.

Po ashtu, nëse sprovohet që të flasë me të për diçka që lidhet me punën, le të komunikojë me të, por pa e parë në fytyrë, pa parë bukurinë e saj, por e heq shikimin dhe shikon në tokë. Të flasë aq sa ka nevojë dhe largohet. Dhe kjo është nga çështjet e obligueshme për besimtarin, në të cilën duhet të ketë shumë kujdes.

Po kështu, edhe nëse gruaja shkon të blejë ose të shesë, nuk duhet të qëndrojë vetëm për vetëm me një burrë, as me eprorin dhe as me drejtorin. Nuk i lejohet burrit të qëndrojë vetëm për vetëm me një grua, qoftë ai drejtor, epror, ministër apo pronar dyqani… nuk i lejohet të qëndrojë vetëm me të, për arsye se kjo është shumë e rrezikshme.

Dhe ka ardhur në transmetim të saktë nga i Dërguari i Allahut – alejhis-salatu ues-selaam – se ka thënë:

لا يخلون رجل بامرأة إلا ومعها ذو محرم

Mos të veçohet një burrë me një grua pa pasur mahrem.

Dhe ka thënë Pejgamberi – salaAllahu alejhi ue selem:

ما خلا رجل بامرأة إلا كان الشيطان ثالثهما

Nuk ka burrë që të veçohet me një grua, e të mos jetë shejtani i treti mes tyre.

Apo siç ka thënë në një transmetim tjetër.

لا يخلون رجل بامرأة فإن الشيطان ثالثهما

Mos të veçohet një burrë me një grua sepse shejtani është i treti mes tyre.

Pra, qëllimi është se të veçohesh me një grua vetëm për vetëm është shumë e rrezikshme.

As besimtarit nuk i lejohet të veçohet me të dhe as asaj nuk i lejohet të veçohet me të, edhe nëse është e nevojshme për gjëra që lidhen me të apo me punën e saj.

Dhe nëse duhet patjetër që të veçohet me të, atëherë dera e zyrës duhet të lihet hapur në rast se nuk ka dikush tjetër që të jetë bashkë me ta, pra lihet dera hapur dhe jo mbyllur, në mënyrë që ta shohin ata që kalojnë aty. Dhe nëse është e mundur që të jetë edhe dikush i tretë aty me ta, edhe sikur në distancë që të mos dëgjojë çfarë thuhet, por e rëndësishme të jetë aty dhe të shohë; kjo është detyra, në mënyrë që të mos ketë veçim të ndaluar mes burrit dhe gruas. Pra, të thërrasë një person të tretë dhe të qëndrojë larg tyre, që të mos dëgjojë fjalët që kanë të bëjnë me punën, duke qenë se është sekret, në mënyrë që të mos i lihet vend shejtanit.

E lusim Allahun që të na japë të gjithëve mirëqënie dhe udhëzim! Nuk ka ndryshim dhe as fuqi veçse me Allahun!

Prezantuesi i programit: Allahu u shpërbleftë me të mira! Parimisht a janë haram të gjitha këto aspekte që i përmendi vëllai ynë?

Shejkhu: Po, nuk lejohen.

Prezantuesi i programit: Parimisht?

Shejkhu: Në parim nuk i lejohet atij që të qëndrojë në zyrë apo shkollë apo universitet ku ka përzierje mes gjinive. E lusim Allahun të na japë paqe!

 

Përktheu: Umm ‘Akil

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org