Bismilah...

 

Një njeri i tha Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Më këshillo me diçka!”

Ai i tha: “Mos u zemëro!”

Ai njeri i tha: “Më këshillo me diçka!”

Ai i tha: “Mos u zemëro!”

Ai njeri përsëri i tha: “Më këshillo me diçka!”

Ai përsëri i tha: “Mos u zemëro!”

Në disa transmetime ka ardhur se ai i tha Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Më këshillo me diçka!”

Ai i tha: “Mos u zemëro!”

Pastaj, ai njeri u largua prej aty dhe pas një kohe u kthye përsëri duke dashur të marrë një dobi të re dhe i tha: “Më këshillo me diçka!”

Ai i tha: “Mos u zemëro!”

Pastaj, u largua dhe përsëri u kthye dhe i tha: “Më këshillo me diçka!” Ai përsëri i tha: “Mos u zemëro!”

Përsëritja e kësaj këshille tregon për vlerën dhe pozitën e madhe që ka ajo.

Kjo është baza e edukatës: të mos zemërohesh.

Kuptimi i fjalës “Mos u zemëro!” do të thotë: “Stërvite veten tënde që të jesh i vetëpërmbajtur!”

Vetëpërmbajtja është një veti e cila mund të fitohet.

Ka njerëz që thonë: “O vëlla! Çfarë të bëj unë! Unë jam tip i nxehtë!”

Ti ke mundësi që ta ushtrosh veten tënde saqë të bëhesh i vetëpërmbajtur!

إنَّما الحِلْمُ بالتَّحلُّمِ

“Vetëpërmbajtja fitohet duke e stërvitur me vetëpërmbajtje.” (es-Silsiletu es-Sahiha, 342)

Stërvite veten tënde që të mos nxehesh, kështu do ta ulësh shkallën e zemërimit tek vetja jote. Nëse ti nuk e kontrollon vetën tënde, atëherë mos merr vendime dhe mos thuaj fjalë kur je i nxehur.

Disa Selefë kanë thënë një fjalë të bukur: “Zemërimi im e ka vendin te këpucët. Kur unë zemërohem, i vesh këpucët dhe dal.”

Çfarë do të thotë kjo fjali? Do të thotë: Unë jam njeri që zemërohem, por zemërimi im e ka vendin te këpucët. Sa herë që zemërohem, i vesh këpucët dhe dal nga shtëpia. Me qëllim që mos ta shfryjë zemërimin.

Sikur njeriu ta bënte këtë, do të kishte bërë një jetë të mirë. Sa e sa shtëpia të mira i ka shkatërruar zemërimi. Sa e sa njerëz janë penduar se pse janë zemëruar. Madje arabët kanë një fjalë të urtë që thotë: “Nuk pendohet vetëm se ai që zemërohet shumë.” Ai njeri që zemërohet dhe nxehet shpejtë, ai pendohet shumë dhe shpreh keqardhje. Prandaj, njeriu duhet ta kurojë veten e tij në këtë aspekt.

 

Përktheu: Jeton Shasivari