Bismilah...

Autor: Abdul-Aziz ibën Baz (1420 h.)

Burimi: Fetaua Nurun ala Derb, 21/14

 

Pyetje: Njëri pyet për gjykimin e martesës me ndërrim? Çfarë këshille keni ju? Si ndodh martesa me ndërrim?

Përgjigje: Martesa me ndërrim është haram, nuk lejohet dhe sipas mendimit më të saktë është e pavlefshme, edhe në qoftë se caktohet mehri (prika). Sepse i Dërguari e ka ndaluar këtë në shumë hadithe. Martesa me ndërrim është që të thotë dikush: më marto ti me dikë, që unë të të martoj ty me dikë; ose ma jep vajzën tënde për martesë, që unë të ta jap vajzën time për martesë; ose ma jep vajzën tënde, që unë ta martoj motrën time me ty; ose ma jep për grua motrën tënde, që unë të të martoj ty me motrën time. Kjo quhet martesë me ndërrim, ku kushtëzohet që martesa e një gruaje të bëhet me martesën e një gruaje tjetër.

Kjo është martesa me ndërrim. Ata vendosin si kusht që të martojnë motrat e njëri-tjetrit apo bijat e njëri-tjetrit. Kjo është martesa me ndërrim. Pejgamberi është pyetur për martesën me ndërrim se çfarë është, ai tha: Martesa me ndërrim është që të thotë dikush: më marto me vajzën tënde, që unë të të martoj ty me vajzën time; ose më marto me motrën tënde që unë të të martoj ty me motrën time.” [1] Kjo është martesa me ndërrim: kushtëzimi i një akti martese me një akt tjetër martese, edhe në qoftë se caktojnë një mehër mes njëri-tjetrit.

Andaj, është obligim që të jemi syçelë për këto gjëra dhe të mos e bëjmë një gjë të tillë. Por nëse dikush e kërkon për martesë një grua dhe nuk i vendos atë kusht, edhe ai tjetri kërkon për martesë dikë dhe kështu martohen, atëherë nuk ka problem këtu. Njëri i kërkon vajzën dikujt për martesë, edhe ai tjetri ia kërkon vajzën apo motrën këtij për martesë, kështu martohen pa e kushtëzuar njëri-tjetri me martesa të ndërsjella, atëherë nuk ka problem dhe nuk ka ndalesë. Por që t’i vënë kushte të ndërsjella njëri-tjetrit, kjo nuk lejohet.  

_______________

[1] Sahihu Muslim, 1416.

 

Përktheu: Jeton Shasivari