Bismilah...

Burimi: Likaul-Babil-Meftuh, 132

 

Pyetësi: A i lejohet gruas që ta kushtëzojë burrin për të jetuar vetëm ata dy në një shtëpi tjetër, pasi që ajo fillimisht ka jetuar me prindërit e burrit të saj?

Shejkh Uthejmini: Që ajo të kushtëzojë apo të kërkojë?

Pyetësi: Të kushtëzojë dhe të kërkojë.

Shejkh Uthejmini: Jo! Ka dallim midis tyre. Që të vendosë kushte, kjo bëhet në aktin e kurorëzimit.

Pyetësi: Që ajo të kërkojë, Allahu ju dhëntë të mira? A e ka detyrë që burri  ta plotësojë kërkesën e saj?

Shejkh Uthejmini: Nëse gruaja e ka vendosur si kusht në aktin e martesës që të mos jetojë në një shtëpi me familjen e burrit dhe burri e ka pranuar këtë kusht, atëherë ai e ka detyrë që t’ia plotësojë asaj këtë kusht. Për shkak se Pejgamberi ka thënë:

إِنَّ أَحَقَّ الشُّرُوطِ أَنْ تُوفُوا بِهِ مَا اسْتَحْلَلْتُمْ بِهِ الْفُرُوجَ ‏

Një nga kushtet që më shumë meriton ta përmbushni është ai përmes të cilit ju e keni të lejuar marrëdhënien intime.” (Sunen Ebi Daud, 2139)

Por, nëse ajo nuk e ka vënë këtë si kusht dhe është zakon i popullit që gruaja të jetojë me familjen e burrit, atëherë ajo nuk ka të drejtë të kërkojë atë gjë. Nëse kjo është traditë. E nëse gjendet në një vend ku është bërë traditë që burri të jetojë me gruan te familja e tij, atëherë ajo që është bërë traditë është kusht në të njëjtën kohë.

Për shembull: Te ne në këtë kohë, është traditë që kur burri martohet, të jetojë me gruan te familja e tij. Por sot, ka një turmë të madhe të njerëzve në shoqëri dhe njerëzit e dinë këtë, se kur një çift martohet, ata largohen dhe jetojnë në shtëpinë e tyre private. Kështu, kjo martesë është e kushtëzuar me këtë largim.

Tani, t’i qasemi çështjes tjetër që nëse kjo nuk është as kusht as traditë, dhe burri e vendos gruan në shtëpinë e prindërve, atëherë gruas i takon që të kërkojë të jetojnë të ndarë nga prindërit e burrit nëse nuk është e mundur jetesa me ta. Ngase ka raste kur familja e burrit sillet tepër keq me nusen, sidomos nëse shohin se djali e do dhe ka dashuri ndaj nuses, do të shohësh se prindërit e burrit e dëmtojnë nusen dhe nuk e duan në mesin e tyre. Në këtë rast, pa dyshim që gruaja ka të drejtë të kërkojë që të jetojnë të ndarë nga prindërit e tij.

Pyetësi: A nuk e zbeh kjo respektin ndaj prindërve, sepse ata do të preken nga ky gjest?

Shejkh Uthejmini: Falënderimi i takon Allahut! U thua prindërve të tu: Nëse silleni mirë me nusen time, atëherë unë do të qëndroj me ju. E nëse nuk silleni mirë, atëherë nusja e shkretë a do qëndrojë në zjarr gjithë jetën?! Pastaj, edhe nëse jetojnë vetëm, prapë ekziston mundësia që t’u bëjë mirë prindërve dhe t’i respektojë ata. Djali shkon dhe i viziton ata në mëngjes dhe në mbrëmje, apo kur ata kanë nevojë, rri tek ata një ditë dhe një natë, në varësi të nevojës.

 

Përktheu: Jeton Shasivari