Bismilah...

Autor: Shejkh Muhammed bin Salih el-Uthejmin

Burimi: Seria e fetvave Nurun alad-darb, keseta nr 227, pastërtia, prishësit e abdesi

Pyetje: Allahu u begatoftë, thotë (pyetësi): Cili është gjykimi i daljes së gjakut nga goja pas marrjes së abdesit, qoftë për shkak të misvakut apo të diçkaje tjetër?

Përgjigje: Dalja e gjakut pas marrjes së abdesit nuk e prish abdesin, madje edhe sikur të dalë nga ndonjë vend tjetër përveç gojës qoftë shumë apo pak, nuk e prish abdesin. Përveç nëse del nga dy vend-daljet para dhe mbrapa, në këtë rast ajo e prish abdesin, por nëse gjaku del nga goja atëherë nuk lejohet të gëlltitet, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë:

حُرِّمَتْ عَلَيْكُمُ الْمَيْتَةُ وَالدَّمُ

“U është ndaluar juve e ngordhura dhe gjaku” El-Maide,3

Dhe duhet ditur se çdo gjë që del nga trupi, përveç urinës, jashtëqitjes dhe erës, të cilat dalin nga dy vend-daljet, kam për qëllim këto të treja, dhe çdo gjë tjetër përveç këtyre të trejave nuk e prish abdesin. Njeriu mund të bëjë hixhame dhe abdesi i tij nuk prishet. Mund t’i dalë gjak nga hunda dhe abdesi nuk prishet. Mund të plagosë këmbën dhe abdesi nuk i prishet, për shkak se nuk ka argument për prishjen e abdesit nga dalja e diçkaje nga trupi, përveç atyre që dalin nga dy vend-daljet. Dhe nëse nuk ka argument, atëherë origjina është se ai vazhdon të jetë në pastërtinë që ishte, sepse ajo është e vërtetuar me argument sheriatik, dhe ajo që vërtetohet me argument sheriatik shfuqizohet vetëm me argument sheriatik.

Përktheu: Umm ‘Akil