Bismilah...

Autor: Shejkh Alij ibn Jahja el-Haddadij

Burimi: http://www.haddady.com

 

 

Transmeton Ebu Hurejrah – RadijAllahu anhu – se një grua e zezë apo një djalë –ishte që kujdesej për xhaminë. Kur i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nuk e pa atë, pyeti për atë grua apo për atë djalin , dhe i thanë: ka vdekur!

I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –  tha: “Sikur të më lajmëronit!”

Tha (Ebu Hurejrah): Sikur ata e nënvlerësuan çështjen e saj apo të tij.

I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha: “Më çoni te varri i saj!”

E çuan dhe ia fali asaj namazin (e xhenazes), pastaj tha:

“Me të vërtetë që këto varre janë të mbushura me errësirë për banorët e tyre, por Allahu – ‘Azze ue Xhel – i ndriçon ato për shkak të namazit tim për ta.”

[Transmeton Buhariu dhe Muslimi]

 

 

Domethënia e fjalëve:

“Një grua apo një djalë,” ky është dyshim prej transmetuesit. Ka ardhur transmetim nga Ebu Hurejrah dhe Burejdeh se ajo ishte grua. Gjithashtu, ka ardhur transmetim se ajo quhej Kharka, dhe epiteti i saj ishte Ummu Mihxhen.

 

“Kujdesej për xhaminë,” d.m.th. e  pastronte atë.

 

“Të më lajmëronit,” të më njoftonit.

 

“E nënvlerësuan çështjen e saj,” nuk e çmuan pozitën e saj, sepse ajo kishte vdekur natën dhe ata nuk donin ta zgjonin Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që të prezantonte në xhenazen e saj.

 

 

Prej dobive të hadithit:

1 – Vlera e kujdesit për xhamitë dhe pastrimi i tyre nga plehrat, papastërtitë, degët e drunjve, pecetat e përdorura, leckat si dhe gjëra të tjera që preferohen të fshihen dhe të hiqen.

 

2 – Të falësh namaz me këpucë të veshura, është sunnet i vërtetuar prej Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Por, nëse xhamia është e shtruar me tapet, siç janë në përgjithësi në kohën tonë, atëherë nuk falesh me këpucë në to, pasi kështu e bën pis xhaminë, i dëmton ata që falin namaz, përshpejton në prishjen e tapetit dhe shpërdorimin e parave të shumta që janë shpenzuar.

 

3 – Përderisa është legjitimuar të largohen prej xhamive këto gjëra që janë të neveritshme dhe bien ndesh me higjienën, atëherë kujdesi për heqjen e atyre gjërave që kundërshtojnë Sheriatin është më parësor dhe më mirë. Prej atyre gjërave është: obligimi i heqjes së varreve, tyrbeve dhe teqeve, të cilat janë ndërtuan nëpër xhamia. Pasi ato janë rrugë që të çojnë në shirk të madh, Allahut i kërkojmë mbrojtje.

Po ashtu është ligjësuar shmangia nga dekorimi i tepërt dhe zbukurimi i xhamive, sepse kjo është përngjasim me Çifutët dhe të Krishterët; dhe shpërqendrohen ata që falin namaz; shpërdorohet pasuri e shumtë, e cila nëse do të shpenzohej në vendet e duhura, Muslimanët do të përfiton shumë prej kësaj pasurie.

 

4 – Ndër shumë njerëz është përhapur se mehri (prika) i largimit të gjërave që i pengojnë (njerëzit) në xhami, janë hyritë e Xhennetit si shpërblim. Kjo ka ardhur në një hadith që e ka transmetuar Taberani në “Mu’xhem el-Kebijr”, por e ka bërë të dobët el-Mubarekfuri dhe el-Albani – Allahu i mëshiroftë.

 

5 – Legjitimiteti i lajmërimit për vdekjen e Muslimanit, në mënyrë që të kërkojnë falje për të vëllezërit e tij apo të prezantojnë në xhenazen e tij.

 

6 – Modestia e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem; kujdesi i tij për çështjet e Muslimanëve dhe interesimi i tij për gjendjet e tyre, krahas angazhimeve të tij të shumta – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –, saqë pyeti edhe për robëreshën e zezë. Pastaj shkoi te varri i saj dhe ia fali xhenazen, dhe kjo (vepër) tregon për rëndësinë e madhe  që ka pastrimi i xhamisë.

 

7 – Legjitimiteti i të pyeturit për shokun, komshiun apo të tjerë, nëse mungon për një kohë.

 

8 – Varret janë shtëpitë e para të Botës së Përtejme, dhe ato ose janë kopsht prej kopshteve të Xhennetit ose gropë prej gropave të Zjarrit, të cilat janë të mbushura me errësirë për banorët e tyre!

 

E lusim Allahun e Lartësuar që t’i bëjë ato për ne – kur të na e marrë shpirtin – kopsht prej kopshteve të Xhennetit dhe të na i mbushë ato me dritë, gëzim dhe hare, deri Ditën e Ringjalljes. Me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirues.

 

 

Përktheu: Servet Mata