Shejkh Ubejd el-Xhabirij
Burimi: http://ar.miraath.net/fatwah/7804
Pyetje:
Allahu ju shpërbleftë më të mira o shejkhu jonë, kjo është pyetja e trembëdhjetë dhe e fundit. Pyetësi thotë: "Isha duke u falur dhe pas ngritjes nga rukuja, m'u kujtua se lexova lutjet e sexhdes (në ruku) nga harresa, çfarë kam për detyrë të veproj? A duhet ta kompensoj këtë rekat apo të kompensoj gjithë namazin?
Përgjigje, Shejkh Ubejd el-Xhabirij:
O biri im! Ti ke dy raste:
Rasti i parë: që të jesh i vetëm në namaz (pa xhemat).
Rasti i dytë: që të jesh me xhemat.
Nëse je vetëm në namaz, atëherë ke dy raste:
Rasti i parë është: që të të kujtohet rasti i ngritjes (nga rukuja), atëherë dispozita për këtë është që të kthehesh në ruku dhe të bësh tesbihun e rukusë, (duke thënë): Subhane Rabbijjel-'Adhim apo Subhane Rabbijel-'Adhim ue bi Hamdihi dhe nëse i shton asaj: Subhaneke Allahumme Rabbena ue bi Hamdike Allahumme gfir lij. Kjo (du'a) është në sahihun e Bukharit, që transmetohet nga 'Aisheja - radijAllahu 'anha - :
"Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem - thoshte shpesh në rukun dhe në sexhden e tij dhe e përmendi du'anë (Allahumme Rabbena ue bi Hamdike Allahumme gfir lij), dhe ajo tha: në mënyrë që ta shpjegojë dhe komentojë Kuranin."
Kjo aludon tek Fjala e Tij, të Lartësuarit:
فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ ۚ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا
Atëherë lavdëroje Zotin tënd dhe kërko falje prej Tij. Vërtetë, Ai e pranon tej mase pendimin."
en-Nasr, 3
E deri në fund të asaj që transmetohet për këtë hadith.
Rasti i dytë është: nëse ti ke shkuar në sexhde apo je afër shkuarjes në sexhde, atëherë në këtë rast mos u kthe në rekatin (e mëparshëm), përfundoje namazin, bëj sexhde dhe mbaro së faluri ato shtylla të namazit që të kanë ngelur. Pra, bëji dy sexhdet dhe uljen në mes tyre, pastaj i fal rekatet që të kanë ngelur në namazin tënd. Pastaj e bën sexhden e harresës (sehui sexhde), në të dyja rastet. Edhe në qoftë se do ktheheshe në ruku - siç e përmendëm në rastin e parë - duhet patjetër që të bëhet sexhdeja e harresës.
Por nëse je (duke u falur) me xhemat, atëherë unë mendoj se në këtë rast, nuk mund ta kundërshtosh imamin tënd, nëse mbaron imami, atëherë bëje sexhden e harresës. Allahu e di më së miri.
Përktheu: Jeton Shasivari