Autor: Shejkh Muhammed Nasirudin el-Albanij
Burimi: http://www.alalbany.net/4952
Ka thënë Shejkh Muhammed Nasirudin el-Albanij në “Silsiletul-Ehadijthis-Sahijhah”, hadithi nr.335:
“Na ndalonin që të rreshtoheshim në saf midis shtyllave, në kohën e të Dërguarit të Allahut - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - dhe na largonin nga ato.”
Ky hadith është i qartë në lënien e safit midis shtyllave dhe se është obligim të dalësh para tyre ose mbrapa tyre, me përjashtim kur është e domosdoshme, siç u ka ndodhur atyre.
Dhe ka transmetuar Ibnul-Kasim në “el-Mudeueneh” (1/106) dhe Bejhakiu (3/104) nëpërmjet Tarijk Ebij Is`hak, nga Me’adij Kerab, nga Ibën Mes’udi i cili ka thënë: “Mos u rreshtoni në saf midis shtyllave.”
Tha Bejhakiu: “Kjo - dhe Allahu e di më së miri - është për shkak se shtyllat i ndajnë ata nga njëri-tjetri dhe e ndërpresin safin.”
Ka thënë Maliku: “S’ka gjë të keqe në safet që bëhen midis shtyllave nëse xhamia është e ngushtë.”
Kurse në “el-Mugnij” të Ibën Kudames (2/220): “Nuk është e urryer për imamin që të qëndrojë midis shtyllave, porse është e urryer për ata që falen mbas tij, sepse ato i ndërpresin safet. E ka urryer këtë Ibën Mes’udi dhe Nekhaiu, si dhe është transmetuar nga Hudhejfeh dhe Ibën ‘Abbasi, ndërsa e ka lejuar Ibën Sirini, Maliku, ndjekësit e opinioneve (d.m.th. Hanefitë, ngaqë ata ndiqnin opinionet e tyre në kundërshtim me Sunetin [sh.p.]) dhe Ibnul-Mendhuri, sepse nuk ka argument që kjo është e ndaluar. Kurse ne kemi atë që është transmetuar nga Mu’auijeh Ibën Kurrah… sepse ato (shtyllat) e ndërpresin safin. E nëse safi është i vogël sa hapësira midis dy shtyllave, kjo nuk është e urryer, sepse safi nuk ndërpritet nga ato.”
Kurse në “Fet`hul-Barij” (1/477): Ka thënë el-Muhib et-Taberij: “Disa e kanë urryer safin midis shtyllave, për shkak të ndalesës që ka ardhur për këtë, dhe ndalesa është atëherë kur nuk ka ngushtim (në xhami). Urtësia e saj është ose për shkak të ndërprerjes së safit, ose ngaqë ai është vendi i këpucëve.” Mbaroi fjala e tij. Ka thënë Kurtubiu: “Është transmetuar në lidhje me sebepin e urrejtjes së kësaj se ai (vendi midis shtyllave të xhamisë) është vendi ku falen xhindët besimtarë.”
Unë them (Shejkhul-Albanij): në gjykimin e shtyllës hyn edhe minberi i gjatë që ka shumë shkallë, sepse ai e ndërpret safin e parë, e ndonjëherë edhe safin e dytë po ashtu. Ka thënë Gazaliu në “el-Ihjaa`” (2/139): “Vërtet minberi i ndërpret disa safe, kurse safi i parë fare i lidhur është ai që ndodhet përpara hyrjes së minberit, kurse ai që ndodhet midis dy anëve të tij është i ndërprerë. Eth-Theurij thoshte: Safi i parë është ai që ndodhet jashtë, nga ana e përparme e minberit, ai është i drejtuar sepse ai është i lidhur dhe sepse ai që është i ulur në të qëndron përpara hatibit dhe e dëgjon.”
Unë them (Shejkhul-Albanij): në të vërtetë minberi e ndërpret safin nëse ai e kundërshton minberin e Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, sepse ai ka qenë me tre shkallë dhe nuk e ndërpriste safin, ngaqë imami qëndron në anë të shkallës më të ultë në të, dhe nga të këqijat e kundërshtimit të Sunetit në minber është edhe rënia në ndalesën që ka ardhur tek ky hadith. E njëjtë me të në ndërprerjen e safeve është vendosja e ngrohësave në disa xhamia në një mënyrë të tillë që e ndërpret safin, pa i bërë aspak përshtypje kjo gjë e ndaluar imamit të xhamisë apo ndonjërit nga xhemati që falet aty, për shkak të largimit të njerëzve - së pari - nga mësimi i kuptimit të fesë, dhe së dyti nga mosinteresi i tyre nga largimi i atyre gjërave që i ka ndaluar dhe urryer Ligjvënësi.
Gjithashtu, duhet të dihet se çdokush që kërkon të vendosë minber të gjatë që e ndërpret safin apo vendos ngrohës që e ndërpret safin, për të është frikë se mund të marrë mbi krye një pjesë të madhe nga fjala e të Dërguarit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -:
ومن قطع صفاً قطعه الله
“…Allahu e preftë atë që e pret safin.”
E ka transmetuar Ebu Davudi me zinxhir të saktë (sahih), siç e kam sqaruar në “Sahih Ebij Davud” (nr.672).
Përktheu: Alban Malaj