Burimi: Sherh Usuul el-Iman, fq.351-353 [Daar el-Kelim et-Tajjib]
Për hadithin “nuk kanë bërë asnjë vepër të mirë”, dijetarët kanë thënë disa fjalë, e ndoshta më e afërta tek haku është se hadithi flet për ata që nuk kanë arritur të bëjnë asnjë vepër, ose për njërëzit që i humbën veprat e tyre të mira në pershore, për shkak të veprave të këqija që kishin punuar, prandaj u shndërruan në njerëz që s’kanë bërë asnjë vepër të mirë, domethënë nuk kanë bërë asnjë vepër të mirë që të shpërblehen për të, ngaqë veprat e tyre të këqija u shpaguan me veprat e mira.
Ose ata kanë për të paguar të drejtat që ua kanë marrë të tjerëve, kështu që ata do t’ua marrin veprat e tyre të mira, prandaj nuk do t’u mbesin më vepra të mira, nuk kanë bërë asnjë të mirë tjetër që ajo të bëhet sebep për të dalë nga Zjarri i Xhehenemit.
Pra, më i famshëm është mendimi i parë, që ata janë njerëz të cilët nuk kanë punuar asnjë vepër të mirë, domethënë nuk iu dha mundësia, si shembulli i atij Sahabiut që hyri në Xhenet pa bërë asnjë sexhde për Allahun, sapo hyri në Islam u vra.
Dikush prej dijetarëve përmend ngjarjen e atij Sahabiut apo ngjarje të tjera të ngjashme me të, por ama ka një vërejtje këtu sepse parimisht xhihadi që bëri ai ishte vepër. A është për qëllim me veprën këtu shtyllat e Islamit? Ky hadith bashkë me hadithin e kartës së shehadetit, janë prej haditheve të paqarta apo janë prej haditheve që kanë nevojë për referim (te hadithet e tjera të qarta), sipas Ehli Sunetit që thonë se vepra është shtyllë e Imanit. Dhe fjala më e afërt është ajo që ju përmenda juve nga ato tre përgjigjet: që thuhet se nuk kanë vepruar asnjë vepër të mirë ngaqë nuk patën mundësi, dikush hyri në Islami po s’bëri dot asnjë vepër. Kjo gjë ndodh shumë shpesh, një person hyn në Islam dhe pastaj vdes.
Ose: nuk kanë bërë asnjë vepër të mirë, që të shpëtojnë nga Zjarri për shkak të tyre, ngaqë veprat e tyre të mira i morën njerëzit e tjerë, për shkak të padrejtësive që ua kishin bërë atyre si dhe për arsye të tjera të ngjashme.
Te kjo pikë duhet të kesh kujdes gjithmonë. Kur ke diçka të paqartë, kur ke tekste që nuk janë plotësisht të qarta, atëherë ktheje atë që është e paqartë tek ajo që është e qartë. Çfarë është e qarta në këtë rast? Që vepra është shtyllë e Imanit, gjë të cilën e vërtetojnë argumente të shumta fare. Qysh ta lëmë ne këtë për shkak të këtij hadithi? Hadithi mund të shpjegohet me disa këndvështrime, por ai nuk është tekst i prerë në këtë çështje që tregon se vepra nuk është shtyllë e Imanit. Ky hadith ka ardhur si lajm tjetër shtesë, për të sqaruar se çfarë do të ndodhë në ditën e Kijametit. Do të dalin nga Zjarri njerëz që s’kanë bërë asnjë vepër të mirë, kjo s’do të thotë që vepra nuk është shtyllë e Imanit. Nëse kuptimi i tij i jashtëm duket i tillë, atëherë ky është hadith i paqartë, domethënë është hadith që ka nevojë të kuptohet mirë, prandaj duhet të referohet tek tekstet e qarta që të jetë në përputhje me to. Kështu veprojnë komentuesit e hadithit.
Dijetarët kur duan të komentojnë një hadith, shikojnë me vëmendje, qysh është kuptimi i këtij hadithi? A mund të mbartë këtë kuptim? Sepse ai ka një bazë dhe ka çështje të tjera, prandaj ai ose komentohet sipas kuptimit të jashtëm që ka, nëse nuk bie ndesh me tekstet e qarta. Ose nëse bie ndesh, nuk është i qartë, atëherë e interpreton hadithin në përputhje me tekstin e qartë. Pra, puna e të gjithë dijetarëve kështu është.
Tani, për sa i përket veprës, ajo e cila është kusht për Imanin, është vepra e shfaqur e gjymtyrëve (xhins el-‘amel), sipas konsensusit, ose është namazi, sipas atyre që janë të mendimit që lënësi i namazit është qafir. Nëse njeriu bën një vepër me të cilën afrohet tek Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm, me këtë vepër sipas tyre është vërtetuar Imani i tij, çfarëdo vepre që të bëjë.
Ata që janë të mendimit se lënësi i namazit nuk është qafir thonë se ky person që nuk falet, nuk agjëron e nuk jep zekat, mirëpo ai ka qenë bamirës me prindërit e tij, për t’u afruar me këtë tek Allahu, sipas atyre, kjo që ka bërë ai konsiderohet vepër, kështu që Imani i tij ka ardhur me vepër, e cila është vepër trupore, me të cilën ai iu afrua Allahut.
Kurse ata që janë të mendimit se lënësi i namazit është qafir thonë se ai duhet patjetër që të falë namazin, kjo është më e pakta që duhet të bëjë nga veprat, e nëse vjen me ndonjë vepër tjetër përveç namazit, atëherë nuk vërtetohet Imani i tij.
Gjithashu, disa të tjerë thonë se duhet t’i kryejë patjetër të pesta shtyllat e Islamit. Kjo është fjalë që e kanë thënë disa imamë të hadithit. Domethënë që, kush falet por nuk jep zekat e as nuk agjëron e as nuk e bën haxhin, qysh mund të bëhet musliman?
Mirëpo, të gjithë ata kanë unanimitet se vepra është shtyllë e Imanit.
Allahu ju dhëntë sukses!
Përktheu: Alban Malaj