Transmeton Alij ibën Ebi Talibi, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Do të vijë së shpejti një kohë për njerëzit ku Islami do të mbetet vetëm si emër, Kurani do të mbetet vetëm si shkrim; xhamitë e këtyre njerëzve do të jenë të gjera, porse janë të zbrazura nga udhëzimi. Dijetarët e tyre janë njerëzit më të këqij që jetojnë nën kupën e qiellit. Nga ata dijetarë do të dalë fitneja dhe tek këta njerëz do të kthehet.” [1]
يُوشِكُ أَنْ يَأْتِيَ عَلَى النَّاسِ زَمَانٌ لَا يَبْقَى مِنَ الإِسْلَامِ إِلَّا اسْمُهُ، وَلَا يَبْقَى مِنَ الْقُرْآنِ إِلَّا رَسْمُهُ، مَسَاجِدُهُم عَامِرَةٌ وَهِيَ خَرَابٌ مِنَ الْهُدَى، عُلَمَاؤُهُمْ شَرُّ مَنْ تَحْتَ أَدِيم السَّمَاءِ، مِنْ عِنْدِهِمْ تَخْرُجُ الْفِتْنَة وَفِيهِمْ تَعُودُ
💠 Shejkh Feuzan, Allahu e ruajttë, thotë:
🔹 Fjala e tij: “Do të vijë së shpejti një kohë për njerëzit ku Islami do të mbetet vetëm si emër.”
Do të thotë është afruar koha që Islami të mbetet vetëm si emër dhe kjo po ndodh në kohën tonë që po jetojmë ne, sepse ata që i atribuohen Islamit janë shumë, por islami i vërtetë është i huaj, siç ka thënë Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
بدأ الإسلام غريبًا وسيعود غريبًا، فطوبى للغرباء
“Islami filloi si i huaj dhe përsëri do të kthehet i huaj ashtu siç filloi.” (Muslimi, 145)
Pra, ata që pretendojnë Islamin janë shumë, por nuk e njohin Islamin me dituri dhe nuk kanë njohuri të sakta. Ata thjesht i atribuohen Islamit. Shumë nga ata që i atribuohen Islamit, adhurojnë dikë tjetër krahas Allahut. Ata u luten eulijave dhe të devotshmëve, ndërtojnë tyrbe dhe teqe mbi varre, saqë i kanë bërë ato idhuj që adhurohen krahas Allahut.
Ka nga ata që e adhurojnë Allahun me bidate dhe gjera të shpikura, nga ana tjetër i braktisin Sunetet. Ata i sheh duke e festuar Mevludin dhe duke festuar festa të shpikura. Ata i quajnë festa fetare.
Ka nga ata që merren me kamatë, lozin bixhoz, e nuk e vrasin mendje fare se çfarë është haram apo hallall. Ata jetojnë bashkë me pabesimtarët dhe nuk e konsiderojnë haram atë që Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë bërë haram, të njëjtën kohë pretendojnë Islamin, por nuk sillen sipas Islamit dhe nuk i trajtojnë gjërat sipas Islamit.
Ka nga ata që s’janë fare Muslimanë, madje janë mushrikë dhe janë të dalë nga Islami për shkak të shirkut të tyre.
Ka nga ata që janë Muslimanë, porse kanë iman të dobët dhe veprat e tyre nuk janë të sakta sepse bazohen në bidate dhe gjera të shpikura në fe, kurse Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:
مَنْ عَمِلَ عَمَلًا لَيْسَ عَلَيْهِ أَمْرُنَا؛ فَهُوَ رَدٌّ
“Kushdo që bën një vepër e cila nuk bën pjesë në fenë tonë, ajo vepër është e refuzuar.” (Transmetojnë Bukhariu 2697, Muslimi 1718, nga hadithi i Aishes).
Akoma më keq se kjo – e cila radhitet pas shirkut – është gjendja e atyre të cilët nuk e falin namazin dhe thonë: “Feja nuk është vetëm të falesh!” E vërteta është se lënia e namazit është kufër i cili të nxjerr prej Islamit.
Pastaj, nëse ne e shohim me hollësi shumë njerëz në botën tonë Islame, do të shohim të gjitha këto raste që i përmendëm më lart. Kështu që, Islami mbetet vetëm si emër.
🔹 Fjala “...Kurani do të mbetet vetëm si shkrim...”
Edhe pse Kurani vazhdon të jetë i pranishëm si shkrim nëpër fletë dhe nuk ka ndryshuar asgjë nga ai. Pra, Kurani do të vazhdojë të ekzistojë ashtu siç i ka zbritur Muhamedit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Si shkrim ai vazhdon të ekzistojë, por dituria dhe puna me të është humbur.
Nuk është qëllimi i ekzistimit të Kuranit që njerëzit ta mësojnë atë përmendësh, ta lexojnë atë dhe t’i mësojnë rregullat e leximit të tij (texhuidi), por qëllimi është që të studiohet rreth Kuranit dhe të punohet me atë që përmban ai. Nëse nuk studiohet rreth Kuranit dhe nuk punohet me të, Kurani mbetet i shkruar në fleta si Mus’haf. E kjo nuk bën dobi. Kjo është e ngjashme me rastin kur njeriu ka një armë të cilën nuk di ta përdorë. Kur t’i sulet armiku atij, ai nuk do ta përdorë atë. Kjo armë nuk do t’i bëjë dobi atij. Kjo e ngjashme me atë që e ka Kuranin, por nuk punon me atë që përmban ai dhe nuk i kuptojnë domethëniet e Kuranit.
🔹 Fjala e tij “Xhamitë e këtyre njerëzve do të jenë të gjera, porse janë të zbrazura nga udhëzimi.”
Kjo është edhe një cilësi tjetër e atyre njerëzve. Pra, ata ndërtojnë xhami dhe i zbukurojnë ato, porse në këto xhami nuk përmendet Allahut dhe aty nuk mësohet dituria fetare, madje as që falet dikush në ato xhami. Ka xhami që janë të mbyllura dhe askush nuk falet në to. Në këto xhami mungon udhëzimi, edhe pse janë shumë të gjera si ndërtesa. Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar thotë:
إِنَّمَا يَعْمُرُ مَسَاجِدَ اللَّهِ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ وَأَقَامَ الصَّلاةَ وَآتَى الزَّكَاةَ وَلَمْ يَخْشَ إِلا اللَّهَ
“Xhamitë e Allahut i mirëmbajnë ata që besojnë Allahun dhe Ditën ë Fundit, duke e falur namazin, duke e dhënë zekatin dhe nuk ia kanë frikën askujt tjetër përveç Allahut.” Et-Teubeh, 18
Kjo është mirëmbajtja e xhamive (pra që të mbushet me njerëz për faljen e namazit).
فِي بُيُوتٍ أَذِنَ اللَّهُ أَن تُرْفَعَ وَيُذْكَرَ فِيهَا اسْمُهُ يُسَبِّحُ لَهُ فِيهَا بِالْغُدُوِّ وَالْآصَالِ رِجَالٌ لَّا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلَا بَيْعٌ عَن ذِكْرِ اللَّهِ وَإِقَامِ الصَّلَاةِ وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ ۙ يَخَافُونَ يَوْمًا تَتَقَلَّبُ فِيهِ الْقُلُوبُ وَالْأَبْصَارُ
“Allahu ka urdhëruar që të ndërtohen xhamitë dhe të përmendet emri i Tij në to si dhe të madhërohet ai në mëngjes dhe në mbrëmje. Këta (që shkojnë në xhami) janë burra të cilët nuk i largon shitblerja që ta përmendin Allahun, të falin namazin dhe të japin zekatin. Ata kanë frikë një Ditë ku zemrat dhe shikimet do të tmerrohen.” En-Nur, 36-37
Këto në realitet janë ato xhamitë e gjera dhe të mbushura (duke u frekuentuar nga njerëzit për faljen e namazit), prej çfarëdo materiali qofshin të ndërtuara ato. Nëse xhamitë janë të mbushura me udhëzim, dritë dhe përmendet Allahu në to, atëherë këto janë xhami të “mirëmbajtura”.
Xhamia e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ishte e ndërtuar nga trungjet e palmave të hurmës dhe nga degët e palmave. Kur kishte reshje të shiut, uji depërtonte në xhami, kështu i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe Sahabët bënin sexhde mbi baltë. Xhamia e Pejgamberit nuk kishte dyer dhe ndriçim natën, madje edhe qentë kalonin nëpër xhami. Megjithëkëtë, ajo xhami ishte pishtari ndriçues për tërë botën dhe prej kësaj xhamia u përhap drita anembanë botës. Nga kjo xhami dolën muxhahidët dhe trimat; nga kjo xhami dolën dijetarët dhe eruditët.
Pra, nuk është puna te lloji i ndërtimit të xhamisë dhe madhësia e saj, por puna është se sa adhurim bëhet në xhami dhe sa mësimdhënie ka aty.
🔹 Fjala e tij “Dijetarët e tyre janë njerëzit më të këqij që jetojnë nën kupën e qiellit.”
Sepse këta dijetarë nuk do ta thonë të vërtetën dhe do të shkojnë pas tekave dhe epsheve të njerëzve, kështu do të japin fetva sipas asaj që u konvenon njerëzve dhe të mos i hidhërojnë udhëheqësit. Këta dijetarë do të bëjnë kërkime për t’ua bërë të lejuara disa gjëra udhëheqësve me “argumentin” se çështjet duhet shikuar më gjerë për ta dhe për njerëzit në përgjithësi. Pra, këta dijetarë nuk do të japin fetva me të vërtetën dhe me dije të saktë. Prandaj, këta dijetarë janë njerëzit më të këqij poshtë qiellit, edhe në qoftë se janë dijetarë.
Allahu i ka përngjasuar këta me shembullin e gomarit dhe të qenit. Allahu i Lartësuar ka thënë:
مَثَلُ الَّذِينَ حُمِّلُوا التَّوْرَاةَ ثُمَّ لَمْ يَحْمِلُوهَا كَمَثَلِ الْحِمَارِ يَحْمِلُ أَسْفَارًا
“Shembulli i atyre të cilëve u është dhënë Teurati dhe ata më vonë nuk punuan me të, i ngjan shembullit të gomarit që mbart libra.” El-Xhumu’ah, 5
I Lartësuar ka thënë:
وَاتْلُ عَلَيْهِمْ نَبَأَ الَّذِي آتَيْنَاهُ آيَاتِنَا فَانسَلَخَ مِنْهَا فَأَتْبَعَهُ الشَّيْطَانُ فَكَانَ مِنَ الْغَاوِينَ وَلَوْ شِئْنَا لَرَفَعْنَاهُ بِهَا وَلَٰكِنَّهُ أَخْلَدَ إِلَى الْأَرْضِ وَاتَّبَعَ هَوَاهُ ۚ فَمَثَلُهُ كَمَثَلِ الْكَلْبِ
“Lexoju atyre lajmin e atij që Ne i dhamë argumentet tona, kurse ai ua ktheu shpinën atyre, kështu edhe shejtani e ndoqi atë dhe ai ishte prej të humburve. Sikur të donim Ne, do ta kishim ngritur atë (me dituri), porse ai u dha pas dunjasë dhe e ndoqi ëndjen e tij; shembulli i tij është si shembulli i qenit.” El-Araf, 175-177
Pra, këta janë njerëzit më të këqij që jetojnë nën kupën e qiellit të dunjasë.
🔹 Fjala e tij “Nga ata dijetarë do të dalë fitneja dhe tek këta njerëz do të kthehet.”
Sepse këta njerëz i fusin njerëzit në fitne me veprat dhe fjalët e tyre. Kështu, i largojnë njerëzit nga feja e tyre. Këta dijetarë japin fetva se nëse i lutesh dikujt tjetër përveç Allahut, kjo është gjë që e bëjnë Muslimanët. Këta dijetarë e harrojnë fjalën e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, që thotë:
لَعَنَ اللَّهُ اليَهُودَ وَالنَّصَارَى اتَّخَذُوا قُبُورَ أَنْبِيَائِهِمْ مَسَاجِدَ
“Allahu i ka mallkuar Jehudët dhe të Krishterët të cilët i shndërruan në xhami varret e pejgamberëve të tyre.” Transmetojnë Bukhariu 1330, Muslimi 529, nga hadithi i Aishes, radijAllahu anha.
Si dhe fjalën tjetër:
ألا وإنَّ من كان قبلَكم كانوا يتَّخذونَ قبورَ أنبيائِهم وصالِحِيهم مساجدَ ، ألا فلا تتَّخذوا القبورَ مساجدَ إني أنهاكُم عن ذلك
“Ata që jetuan para jush (Jehudët dhe të Krishterët) varret e Pejgamberëve dhe njerëzve të mirë i shndërronin në xhami. Mos i shndërroni varret në xhami. Unë ju ndaloj nga kjo gjë.” Transmeton Muslimi 532 nga hadithi i Xhundub bin Abdullah, radijAllahu anhu.
Dijetarët e devijimit janë më të rrezikshëm për Muslimanët, sepse njerëzit i shohin ata si shëmbëlltyrë. I kemi dëgjuar njerëzit e thjeshtë Muslimanë duke thënë: “Nëse do të ishin shirk lutjet që ia drejtojmë Hasenit, Husejnit dhe Bedeuiut, dijetarët nuk do të kishin heshtur.” Për këtë arsye, dijetarët e devijuar kanë përgjegjësi për devijimin e Muslimanëve të thjeshtë dhe shumë njerëzve të tjerë. [2]
💠 Shejkh Ubejdullah el-Mubarekfurij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
🔹 Fjala e tij “...xhamitë e këtyre njerëzve do të jenë të gjera, porse janë të zbrazura nga udhëzimi.”
Do të thotë se xhamitë e këtyre janë të larta, muret e xhamive janë të stolisura dhe të zbukuruara, xhami që kanë ndriçim natën dhe janë të shtruara me tapete.
🔹 Fjala e tij “...porse janë të zbrazura nga udhëzimi.” Edhe pse këto xhami janë të mëdha dhe të gjera; janë xhami që spikaten dhe bien në sy për madhësinë e tyre, por këtyre xhamive u mungon udhëzimi sepse nuk falet kush në to, nuk ka xhemat në këto xhami, nuk thirret ezani në këto xhami, nuk mësohet për fe në këto xhami dhe njerëzit nuk bëjnë dhikër në këto xhami... [3]
E transmeton Bejhakiu në Shuabul-Iman. Gjithashtu e ka nxjerrë edhe Ibën Adij në “el-Kamil”, e ka nxjerrë el-Hakimi në “Tarikh en-Nejsabur” me një hadith sikur ky i ngjashëm që e transmeton nga Ibën Umeri. Ed-Dulejmi transmeton nga Muadhi dhe Ebu Hurejra. E ka nxjerrë el-Askerij në “el-Meua’idh” nga Aliu dhe hadithi është meukuf (pra hadithi ndalon te Aliu dhe nuk mbërrin zinxhiri te Pejgamberi, alejhi salatu ue selam). [3]
________________________________
📖 [1] “Shuabul-Iman” i Bejhakiut, 2/788
📖 [2] Sherhu Usul el-Iman, fq. 492-497
📖 [3] Mir’atul-Mefatih Sherhu Mishkatil-Mesabih, vëll. 2, fq. 107, nr. i hadithit 278
Përktheu: Jeton Shasivari