Burimi: Sherhu Sunen en-Nesaij (Dekhiratu el-ukbaa fi sherhi el-muxhteba), vëll. 26, fq. 199
Shufej el-Asbahij tregon se kishte vajtur në Medine dhe aty kishte parë një burrë rreth të cilit ishin mbledhur njerëzit. Shufej pyeti: “Kush është ky?” Ata i thanë: “Ky është Ebu Hurejra.” Unë (Shufej) iu afrova avash-avash dhe u ula përballë tij, ndërkohë ai u fliste njerëzve. Kur ai mbaroi së foluri, njerëzit u larguan dhe ai mbeti vetëm. Atëherë unë i thashë: “Po të pyes për të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. A nuk më tregon një hadith që e ke dëgjuar nga Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, të cilin e kuptuar mirë dhe e ke mësuar mirë.”
Ebu Hurejra tha: “Po! Do ta bëj këtë gjë! Patjetër që do të të tregoj një hadith të cilin ma ka treguar i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, të cilin e kam kuptuar mirë dhe e kam mësuar mirë.”
Pas kësaj, Ebu Hurejra qau me dënesë dhe ndenji për një kohë të shkurtër pa folur gjë. Pastaj, u qetësua dhe tha: “Do të të tregoj një hadith të cilin ma ka treguar i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, të cilin e kam kuptuar mirë dhe e kam mësuar mirë. Kur ma tha atë, ishim vetëm ne të dy në këtë xhami dhe nuk kishte asnjë tjetër.”
Pastaj Ebu Hurejra përsëri qau me dënesë dhe pastaj u qetësua. E fshiu fytyrën dhe tha: “Do të të tregoj një hadith të cilin ma ka treguar i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, të cilin e kam kuptuar mirë dhe e kam mësuar mirë. Kur ma tha atë, ishim vetëm ne të dy në këtë xhami dhe nuk kishte asnjë tjetër me ne.”
Pastaj Ebu Hurejra përsëri qau me dënesë. Pastaj e fshiu fytyrën dhe tha: “Po! Do ta bëj këtë gjë! Patjetër që do të të tregoj një hadith të cilin ma ka treguar i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, të cilin e kam kuptuar mirë dhe e kam mësuar mirë. Kur ma tha atë, ishim vetëm ne të dy në këtë xhami dhe nuk kishte asnjë tjetër me ne.”
Pastaj përsëri qau me dënesë për një kohë të gjatë. Pastaj e uli kokën dhe unë e mbështeta atë në krahët e mi për një kohë të gjatë. Pastaj ai erdhi në vete dhe tha:
I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, më ka thënë: “Kur të vijë Dita e Gjykimit, Allahu, i Madhëruari dhe i Lartësuari, do të zbresë te robërit që të gjykojë midis tyre. Çdo umet do të jetë i gjunjëzuar. Të parët që do të thirren janë:
(1) Ai që e ka mësuar Kuranin,
(2) Ai që ka luftuar në rrugë të Allahut,
(3) Ai që ka patur shumë pasuri.
Allahu do t’i thotë lexuesit të Kuranit: “A nuk ta kam mësuar atë që i ka zbritur profetit Tim?”
Ai do të thotë: “Po! Ma mësove o Zoti im! “
Allahu do t’i thotë: “Çfarë veprove me atë që mësove?”
Ai do të thotë: “Unë veproja me të ditën dhe natën.”
Allahu do t’i thotë: “Ti gënjen!” Melaiket do t’i thonë: “Ti gënjen!”
Allahu do t’i thotë: “Ti ke dashur që të thuhet për ty se je lexues i Kuranit dhe kështu është thënë.”
Pastaj do të sillet i pasuri dhe Allahu do t’i thotë atij: “A nuk të dhashë pasuri ty saqë nuk të lashë që të kesh nevojë për ndonjë?”
Ai do të thotë: “Po! Ashtu ka qenë o Zoti im!”
Allahu do t’i thotë: “Çfarë bëre me atë që të dhashë Unë?”
Ai do të thotë: “Unë i mbaja lidhjet familjare me të dhe jepja sadaka.”
Allahu do t’i thotë: “Ti gënjen!” Melaiket do t’i thonë: “Ti gënjen!”
Allahu i Lartësuar do t’i thotë: “Ti ke dashur që të thuhet për ty se je bujar dhe kështu është thënë.”
Pastaj do të sillet ai që është vrarë në rrugë të Allahut.
Allahu do t’i thotë atij: “Për çfarë je vrarë ti?”
Ai do të thotë: “Ti më urdhërove që të bëjë xhihad në rrugën Tënde dhe kështu unë luftova derisa u vrava.”
Allahu i Lartësuar do t’i thotë: “Ti gënjen!” Melaiket do t’i thonë: “Ti gënjen!”
Allahu do t’i thotë: “Ti ke dashur që të thuhet për ty se je hero dhe trim dhe kështu është thënë.”
Pastaj i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i mëshoi gjurit të tij dhe tha: “O Ebu Hurejra! Këta tre janë të parët për të cilët do të ndizet Zjarri Ditën e Gjykimit!”
El-Uelidi Ebu Uthmani, ka thënë: më ka treguar Ukbeh bin Muslim se Shufeji e takoi Muauijen dhe ia tregoi këtë hadith. Ebu Uthmani ka thënë: “Më ka treguar el-Ula bin Ebi Hakim i cili ishte farkëtar i shpatave për Muauijen. Një njeri (Shufeji) e vizitoi Muauijen dhe ia tregoi atë që e kishte dëgjuar nga Ebu Hurejra. Muauija tha: “Kjo është ajo që do t’u ndodh atyre. Po si është puna me njerëzit e tjerë?” Pastaj Muauija qau shumë, saqë menduan se u bë njeri i pashpresë dhe i dëshpëruar. Ne thamë me vete se ky njeri na paska ardhur me sherrin me vete.
Pastaj Muauija u qetësua, e fshiu fytyrën dhe tha: “Allahu dhe i Dërguari e kanë thënë të vërtetën:
مَنْ كَانَ يُرِيدُ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا وَزِينَتَهَا نُوَفِّ إِلَيْهِمْ أَعْمَالَهُمْ فِيهَا وَهُمْ فِيهَا لَا يُبْخَسُونَ أُولَئِكَ الَّذِينَ لَيْسَ لَهُمْ فِي الْآخِرَةِ إِلَّا النَّارُ وَحَبِطَ مَا صَنَعُوا فِيهَا وَبَاطِلٌ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ
“Ai që e do jetën e kësaj bote dhe bukuritë kalimtare të saj, Ne do t’i shpërblejmë ata për punët e tyre (në dunja) dhe nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata të cilët në botën tjetër nuk do të kenë asgjë, përveç Zjarrit. Çdo gjë që kanë bërë (në dunja) do t’u asgjësohet dhe do të zhvlerësohet ajo që kanë punuar.” Hud, 15-16
Ebu Isa (Tirmidhi) ka thënë: ky hadith është hasen garib.
Këtë hadith e kanë saktësuar: Ibën Khuzejmeh dhe Ibën Hibbani. Allahu e di më së miri për saktësinë e tij.
Dobitë e hadithit:
[1] Atë që ka sjellë vetë autori, Allahu e mëshiroftë, në titull: Kërcënimi për atë që lufton që të thuhet për të se është trim.
[2] Ky hadith është argument që ndalon rreptësisht syefaqësinë dhe se ajo ka ndëshkim shumë të rëndë.
[3] Nxit që t’i përmbahemi sinqeritetit në vepra, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ata janë urdhëruar që ta adhurojnë Allahun duke iu përkushtuar Atij sinqerisht me adhurim.” El-Bejjineh, 5
[4] Transmetimet e përgjithshme që tregojnë për vlerën që ka xhihadi në rrugë të Allahut, i takojnë vetëm atij që është i sinqertë me Allahun e Lartësuar.
[5] Lavdërimet që kanë ardhur për dijetarët dhe bamirësit të cilët kontribuojnë me mirësi të ndryshme, vlejnë për ata të cilët synojnë Fytyrën e Allahut dhe janë të sinqertë, të cilët nuk janë të njollosur me syefaqësi dhe nuk duan famë.
VËREJTJE:
Fakti se pse këta tre janë krijesat e para të Allahut të Lartësuar për të cilët do të ndizet Zjarri i Xhehenemit, e Allahu e di më së miri, është se këto adhurime kanë vlerë të lartë tek Allahu dhe Allahu i Lartësuar nuk e fsheh këtë lëvdatë në Librin e qartë të Tij, duke e theksuar vlerën e xhihadit, pozitën e lartë të dijetarëve që kanë mbi njerëzit e tjerë dhe veçorinë e gradave të larta që kanë ata që japin në rrugë të Allahut.
Përderisa çdonjëri prej këtyre nuk i bën këto vepra për hir të Allahut të Lartësuar i Cili u ka dhënë vlerë të madhe, pozitë të lartë dhe se Ai është që i shpërblen ata për këto vepra me atë që syri i njeriut nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe askujt nuk i ka shkuar ndërmend (mirësitë e Xhenetit), por çdonjëri prej tyre ka kërkuar me këto vepra përfitimet e kësaj bote duke i dhënë përparësi botës së përkohshme para botës së përhershme, prandaj më në fund Allahu i Lartësuar i shpërbleu duke i bërë ata të parët me të cilët do t'i ndizet Zjarri. Pra, dënimi është në varësi të krimit.
Allahu e di më së miri të saktën dhe tek Ai është kthimi.
Përktheu: Jeton Shasivari