Bismilah...

 

“…Gjithashtu, ne duhet të nxisim vëllazëri midis nesh, o vëllezërit e mi të dashur. Kurrë nuk kemi përjetuar ndarje e përçarje të tillë! Pasha Allahun, fitneja që ka plasur tani dhe që ka rrethuar da’uetin Selefij dhe ndjekësit e tij kurrë nuk ka ndodhur më parë!

 

Kjo ka ndodhur për shkak se udhëheqësit janë shtuar dhe fatkeqësisht është përhapur dëshira për të qenë udhëheqës (në fushën e Da’uetit Selefij). Kurth-ngritësit që gjenden brenda rradhëve të Selefijinëve janë të shumtë. Ata i kanë përçarë Selefitë dhe i kanë bërë që të ndahen në të gjitha drejtimet. Prandaj ju duhet të ruheni nga ndarja dhe të kini kujdes nga ata që duan të fusin përçarje në rradhët tuaja. Nxisni lidhje vëllazërore ndërmjet veti dhe bëhuni si një trup i vetëm, siç ka thënë Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Do të shikoni se besimtarët në dhembshurinë që kanë për njëri-tjetrin janë si puna e një trupi: nëse një pjesë e tij ndien dhimbje, pjesa tjetër e trupit vuan nga pagjumësia dhe ethet.

 

Dhe ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Besimtarët në raport me njëri-tjetrin janë sikur ndërtesa, ku secila pjesë e saj mban pjesët e tjera.” Pastaj ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) gërshetoi gishtat e tij.

Po e ndiej se sot shumë prej Selefive, nëse ndonjë nga vëllezërit e tyre do të bëhej keq apo do të goditej nga ndonjë fatkeqësi, ata do të gëzohen dhe nuk do të ndiejnë dhimbje! Pse kështu? Kjo është për shkak të sprovave dhe të shumta dhe përvojave të hidhura që kanë kaluar me njëri-tjetrin, të cilat njerëzit e epsheve i kanë përhapur gjithandej. E kam thënë në shumë raste se ne kemi takuar Selefij në Lindje dhe në Perëndim të botës dhe kemi parë se ata të gjithë kishin dashuri dhe vëllazëri me njëri-tjetrin, ndërkohë që ndiqnin një menhexh, pa patur kundërshtime mes veti. Dhe ky ishte shkaku përse Da’ueti Selefij u përhap në të gjithë botën, që nga Lindja e deri në Perëndim, pavarsisht njerëzve të këqinj nga Çifutët, Kristianët dhe Evangjelistët, bashkë me krerët e devijimit si puna e Rafidave dhe Sufive, të cilët bashkëpunojnë me armiqtë dhe të devijuarit, prandaj kijeni parasysh këtë.

 

Pasha Allahun, ata bashkëpunojnë me armiqtë dhe mbajnë lidhje të fshehta me ta. Ata bashkëpunojnë me ta veçse kundër Menhexhit Selefij. Andaj, ata i kanë përhapur helmet e ndarjes mids Selefive kur këta të fundit u shtrinë në Lindje dhe në Perëndim të botës. Ata përhapën farën e përçarjes mes rradhëve të Selefive duke shkaktuar përçarjet më të këqia midis tyre. Kjo solli si rezultat një grup njerëzish të cilët nuk ishin rritur me kuptimin e saktë të Menhexhit Selefij. Prandaj sot shikon që dikush që pretendon se është Selefij, mirëpo e gjithë ajo që bën ai është përçarja e Selefive me sjelljet e tij të poshtra, me metodat dhe rrugët e tij të këqija që janë përhapur dhe që synojnë të shkaktojnë ndarje dhe përçarje midis Selefive. Menhexhi i Selefëve ka nevojë për njerëz me urtësi. Dhe përpara kësaj, Menhexhi Selefij ka nevojë për Ulema. Dhe nëse këto nuk gjenden midis Selefive, atëherë çfarë do të bëhet me Da’uetin Selefij? Ai do të humbasë – Allahu ju bekoftë!

 

Andaj merrni dije. Kush nga ju e shikon veten të aftë për të kërkuar dije, Allahu do t’i japë atij aftësinë e të mësuarit përmendësh dhe dhuntinë e kuptimit të Fesë. Robi duhet të bëjë çdo përpjekje për të marrë dije, në mënyrë që Allahu t’u sjellë dobi njerëzve nëpërmjet tij. Ai duhet të përpiqet me të gjitha forcat e tij që të bashkojë grupet e hallakatura të Selefive në Fenë e vërtetë të Allahut, të vendosë vëllazëri dhe unitet midis tyre. Kërkojini këta njerëz të tillë dhe mbështetini ata në studimet e tyre dhe në përhapjen e vëllazërisë dhe dashurisë ndërmjet Selefive.

 

Kurse sa u përket të gjithë të tjerëve, pavarsisht nëse ata janë Çifutë apo Kristianë, përhapeni thirrjen tuaj mes rradhëve të tyre me urtësi dhe këshillë të bukur. A nuk e keni lexuar thënien e Allahut:

 

ٱدۡعُ إِلَىٰ سَبِيلِ رَبِّكَ بِٱلۡحِكۡمَةِ وَٱلۡمَوۡعِظَةِ ٱلۡحَسَنَةِ‌ۖ وَجَـٰدِلۡهُم بِٱلَّتِى هِىَ أَحۡسَنُ‌ۚ

Thirr në Udhën e Zotit tënd me Urtësi dhe me këshillë të ndershme dhe të bukur dhe bisedo me ta në mënyrën më të mirë.” [en-Nahl, 125]

 

 

Allahu i tregon këtu të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që të përdorë këtë thirrje (me këto tipare) me mosbesimtarët, sepse nëse thirrja nuk përmban urtësi dhe këshillë të bukur, ajo do të marrë fund. Nëse ne përdorim vrazhdësi në sjelljen tonë dhe i largojmë njerëzit, atëherë ky do të jetë fundi i da’uetit Selefij. Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

 

Vërtet, mes jush ka të atillë që i largojnë njerëzit.

 

Dhe ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

 

Lehtësojini gjërat dhe mos i vështirësoni. Përgëzoni dhe mos i largoni njerëzit.

 

Përdorini këto norma të edukatës. Nëse ua doni të mirën veteve tuaja dhe njerëzve, atëherë ndiqni udhëzimet e Kur'anit dhe Sunetit se si të bashkëveproni me njëri-tjetrin për të përhapur këtë thirrje.

 

مُّحَمَّدٌ۬ رَّسُولُ ٱللَّهِ‌ۚ وَٱلَّذِينَ مَعَهُ ۥۤ أَشِدَّآءُ عَلَى ٱلۡكُفَّارِ رُحَمَآءُ بَيۡنَہُمۡ‌ۖ

 

Muhamedi është i Dërguari i Allahut dhe ata që janë me Të janë të ashpër me mosbesimtarët dhe të mëshirshëm mes veti.” [el-Fet’h, 28]

 

Dhe Ai thotë:

 

وَٱخۡفِضۡ جَنَاحَكَ لِلۡمُؤۡمِنِينَ

 

Ji i butë me besimtarët.” [el-Hixhr, 88]

 

Dhe Ai thotë:

 

وَلَوۡ كُنتَ فَظًّا غَلِيظَ ٱلۡقَلۡبِ لَٱنفَضُّواْ مِنۡ حَوۡلِكَ‌ۖ

 

Dhe sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të ishin larguar prej teje.” [Ali-Imran, 159]

 

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ishte më i miri dhe më i përsosuri, elokuent dhe më i dituri i njerëzimit. Sikur të mos i kishte patur këto cilësi, njerëzit do të ishin larguar dhe do ta kishin braktisur atë dhe thirrjen e tij. Por si është puna me ju që jeni të varfër (nga këto cilësi)! Ne mbi të gjitha kemi nevojë për edukatë dhe sjellje të mira ndërmjet nesh. Përveç kësaj, kur të thërrasim, ne duhet të përdorim urtësi dhe këshillë të bukur.

 

Të ashpër kundër mosbesimtarëve.” Kjo është në rast se ata nuk e pranojnë thirrjen tonë, d.m.th. ne luftojnë kundër atyre që meritojnë të luftohen. Por sigurisht, kjo vjen mbasi që janë ndërmarrë hapat prezantues të ftesës dhe sqarimit, pra mbas të gjitha këtyre gjërave, Allahu ju bekoftë. Të jesh i ashpër dhe i rreptë kundër munafikëve do të thotë që t’u ngresh argumentin atyre, por jo me sjellje të këqia.

 

Çështja është se ne sot nuk kemi ndonjë shpatë me vete përveç shpatës së argumenteve, fakteve dhe sjelljeve të mira. Përdorimi i normave të duhura është arma më efektive për t’i dhënë fund devijantëve, për t’i hequr qafe ata me argumente dhe për të refuzuar mosbesimtarët. Dhe këtu gjendet udhëzimi për cilindo, Allahu ju bekoftë.

 

Ne i lutemi Allahut që të na udhëzojë ne dhe ju në atë që Ai do dhe kënaqet dhe shpresoj se Allahu do të më bëjë mua dhe ju prej atyre që kur i dëgjojnë fjalët, ndjekin atë që është më e mira. Përgatituni mendërisht që të përfitoni nga e mira dhe e vërteta që dëgjoni dhe përgatituni fizikish që t’i zbatoni dhe të veproni në përputhje me to. Dhe në dashtë Allahu, ky fenomen i keq do të marrë fund me anë të urtësisë dhe armiqtë do t’i humbin shpresat se do arrijnë të na ndajnë e të na përçajnë. Por nëse nuk dëgjojmë dhe nuk i përdorim këto norma të sjelljes, të rinjtë Selefijinë do të vazhojnë të jenë një lodër në duart e kundërshtarëve dhe armiqve të tyre. Ju duhet të keni urtësi dhe fik’h. Ju duhet të keni durim, dashuri dhe vëllazëri mes veti. Pastaj, nëse e përhapni këtë thirrje duke përdorur sjellje shembullore, atëherë keni për ta parë se si njerëzit do ta pranojnë këtë thirrje. Ne i lutemi Allahut që të na japë ne dhe ju sukses.

 

Unë ju kërkoj leje – Allahu ju bekoftë – që ta mbyll këtu. Qëllimi nuk është që të ketë sa më shumë fjalë ngase robi mund të dëgjojë vetëm një fjalë dhe Allahu do t’i bëjë dobi atij me të. Selefët flisnin pak, d.m.th. fjalët e tyre ishin të pakta, mirëpo efekti i tyre ishte i madh për shkak se ato binin në veshë të hapur e të vëmendshëm.

 

I lutemi Allahut të na japë sukses neve dhe juve.

 

 

 

Përktheu: Alban Malaj