Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/1942

Pyetje: A është prej metodologjisë së Selefëve kritikimi i udhëheqësve nga minberet, të folurit kundër tyre haptazi dhe përgojimi i tyre? Cila është metodologjia e Selefëve në këshillimin e udhëheqësve?

Përgjigje: Nuk është prej metodologjisë së Selefëve nxjerrja në shesh e gabimeve të udhëheqësve dhe përmendja e tyre nëpër minbere, sepse kjo të shpie në kaos, në mosdëgjim dhe mosbindje në atë që është e mirë, si dhe të fut në gjëra që të dëmtojnë dhe nuk kanë dobi. Mirëpo, rruga që kanë ndjekur Selefët ishte këshillimi mes tyre dhe udhëheqësit, i shkruanin atij ose lidheshin me dijetarët të cilët më pas ia përcillnin atij, derisa ai të drejtohej tek mirësia. Kurse kundërshtimi i të keqes pa përmendur vepruesin e saj, kundërshtimi i zinasë, kundërshtimi i pijeve alkoolike, kundërshtimi i kamatës mund të bëhen pa u përmendur ai që i bën ato dhe kjo është obligim, për shkak të argumenteve të përgjithshme. Dhe mjafton për kundërshtimin e gjynahut dhe paralajmërimit kundër tij pa përmendur se kush e ka bërë atë, qoftë ai udhëheqësi apo të tjerë përveç tij.

Dhe kur ndodhi fitneja në kohën e ‘Uthmanit - radij-Allahu ‘anhu -, disa njerëz i thanë Usameh Ibën Zejdit - radij-Allahu ‘anhu -: “A nuk do t’i flasësh ‘Uthmanit?” Kurse ai tha: “Ju mendoni se unë nuk i flas atij vetëm për shkak se nuk më keni dëgjuar që ta bëj këtë? Vërtet, unë i flas atij në privat, pa hapur një çështje të cilën nuk do të doja që të isha unë i pari që ta hapja.” Dhe Khauarixhët injorantë e hapën derën e sherrit në kohën e ‘Uthmanit - radij-Allahu ‘anhu - dhe e kundërshtuan ‘Uthmanin publikisht, fitneja u bë akoma më e madhe dhe u shtuan vrasjet dhe shkatërrimi, gjurmët e të cilave njerëzit po i përjetojnë deri më sot. Dhe kjo shkaktoi fitnen që ndodhi midis ‘Aliut dhe Mu’auijes dhe si pasojë e këtyre fitneve u vra ‘Uthmani dhe ‘Aliu - radij-Allahu ‘anhuma -, si dhe u vranë një numër i madh Sahabësh dhe të tjerë përveç tyre, nga shkaqet e kundërshtimit në publik dhe përmendjes së gabimeve në publik, derisa njerëzit filluan ta urrenin udhëheqësin e tyre dhe pastaj e vranë.

Dhe ka transmetuar ‘Ijjad Ibën Ganem el-Esh’arij se i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë:

من أراد أن ينصح لذي سلطان فلا يبده علانية، ولكن يأخذ بيده فيخلو به، فإن قبل منه فذاك وإلا كان قد أدى الذي عليه

“Kush do që të këshillojë udhëheqësin të mos e bëjë haptazi, porse ta marrë për dore dhe të veçohet me të. Nëse ai e pranon këshillën është mirë, e nëse jo, atëherë ai e bëri detyrën e tij.” [Transmetuar nga Ahmedi në Musnedin e tij (3/403-404) dhe Ibën Ebij ‘Asim në librin es-Sunneh (2/521).]

Lusim Allahun që të na japë neve dhe vëllezërve tanë Muslimanë mirëqënie dhe siguri nga çdo e keqe. Me të vërtetë Ai është Dëgjuesi dhe Ai i përgjigjet duasë. Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë për zotërinë tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe Shokët e tij.

Përktheu: Alban Malaj