Autor: Imam Muhamed Nasirud-Din el-Albani
Pyetje: “Vërtet, Muslimanët sot janë ndarë në grupe e parti, ndërkohë që Allahu -Subhanehu ue Te’ala - na ka ndaluar që të ndahemi e të kemi mospajtime. Kështu, Muslimanët sot janë, ky është Selefij, ky tjetri është Esh’ari, ky tjetri është Sufi dhe ky tjetri është Maturidi. Pyetja është: A është e mundur që të mos e marrim në konsideratë Akijden në el-Uelaa dhe el-Beraa (Miqësia dhe Armiqësia), për hir të bashkimit të fjalës në përballjen me armiqtë e Allahut?”
Përgjigje nga Shejkhul-Albani:
“Kjo pyetje është e çuditshme dhe e pazakontë. Ajo tregon se shumë nga Muslimanët - edhe sikur të mos themi shumica e Muslimanëve - nuk e dinë akoma se si do të jetë e mundur që Muslimanët t'i luftojnë armiqtë e Allahut. Ata janë ashtu sikurse i përshkruajti edhe vetë pyetësi: të ndarë në fraksione dhe parti të shumta.
Si mundet të logjikojë ky pyetës që ne ta braktisim studimin rreth Allahut (‘Azzeue Xhel), që është pikënisja jonë në Akijde, me të cilën u urdhërua i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – në Fjalën e Tij:
وَرَبَّكَ فَكَبِّرْ ﴿٣﴾
“Dhe madhëroje Zotin tënd!” [Muddethir, 3]
dhe në Fjalën e Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -:
فَاعْلَمْ أَنَّهُ لَا إِلَـٰهَ إِلَّا اللَّـهُ
“Dhe dije se La ilahe il-lAllah (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut)!” [Muhamed, 19]
Kështu që, kur Muslimanët kanë mospajtim në kuptimin e kësaj Fjale të Mirë, ata si do të mund të jenë një dorë e vetme për t'u përballur me armiqtë e Allahut dhe për t'i luftuar ata? Pyetësi dhe ata që janë si ai, sikur duan nga ne që ta shfuqizojmë Sheriatin e Allahut – 'Azze ue Xhel-le – dhe kështu, me shfuqizimin e Sheriatit të Allahut ne do të mund të përballemi me armiqtë e Allahut. Ky është medh`hebi i Ebu Neuasit, i cili ka thënë: “Ai më mjekoi me atë që ishte vetë sëmundja.”
Zoti ynë - ‘Azze ue Xhel-le - ka thënë:
فَإِن تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّـهِ وَالرَّسُولِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّـهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ۚ ذَٰلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا
Dhe është gjithashtu ajeti të cilin ne e kemi përmendur vazhdimisht më përpara:
وَمَن يُشَاقِقِ الرَّسُولَ مِن بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُ الْهُدَىٰ وَيَتَّبِعْ غَيْرَ سَبِيلِ الْمُؤْمِنِينَ نُوَلِّهِ مَا تَوَلَّىٰ وَنُصْلِهِ جَهَنَّمَ ۖ وَسَاءَتْ مَصِيرًا ﴿١١٥﴾
Si mund të kënaqet ky pyetës dhe ata që janë si ai, që ne të largohemi nga të gjitha këto ajete të qarta, dhe si mund ta përfytyrojë ai mundësinë që këta Muslimanë të bashkohen, megjithë mospajtimet e rënda që kanë ndërmjet veti. Ato nuk janë - ashtu siç thonë - vetëm në çështje dytësore, porse janë edhe në bazat e Fesë. Përkundrazi, jo vetën në baza, por edhe në bazën e të gjitha bazave, që është Allahu, Zoti i të gjitha Botëve - Tebarake ue Te’ala -.
Dhe mua më vjen shumë keq, që po ia përmend këtij pyetësi bashkë me ata që janë si puna e tij, se ne fluturonim nga gëzimi kur na mbërrinin lajmet për fitoren e vëllezërve tanë Muslimanë Afganë kundër komunistëve Rusë dhe ndjekësve të tyre. Pastaj, po aq sa u gëzuam, u trishtuam dhe u pikëlluam kur ata (Afganët) u ndalën (nga luftimi i Rusëve) vetëm përpara dy qyteteve në të gjithë Afganistanin (dhe filluan luftën kundër njëri-tjetrit). Dhe shkaku ishte se komandantët dhe prijësat e tyre u kundërshtuan dhe u grindën me njëri-tjetrin, ndërkohë që Zoti jonë thotë:
وَرَسُولَهُ وَلَا تَنَازَعُوا فَتَفْشَلُوا وَتَذْهَبَ رِيحُكُمْ
“Dhe mos u grindni me njëri-tjetrin që të mos humbni kurajon dhe të mos ju lënë fuqitë.” [Enfal, 46]
Kështu që, ky pyetës nuk i ka kushtuar vëmendje ndarjes që ka patur për qëllim i Dërguari - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - në hadithin e 73 sekteve. Dhe se ai përmendi se grupi i shpëtuar është ai që ndjek rrugën që ndoqi i Dërguari - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - dhe Sahabët e tij. Atëherë kur Muslimanët do të bashkohen në këtë metodologji të Kur'anit dhe Sunetit, dhe rrugën në të cilën ishin Sahabët e Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, atëherë, ata do të jenë të aftë që të përballen me armiqtë e Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -.
Ndërsa, kur ne ia lëmë të shkuarën të shkuarës dhe përpiqemi të bashkohemi dhe të takohemi që të luftojmë kundër armiqve, atëherë kjo është një çështje e pamundur! Dhe ajeti që flet për Betejën e Hunejnit dhe për ato që janë ngjashme me të, janë nga shembujt më madhorë për domosdoshmërinë e unifikimit të fjalës së Muslimanëve. Dhe kjo nuk do të jetë kurrë e mundur, përveç se mbi bazat e Kur'anit dhe Sunetit. Dhe ajeti i mëparshëm ju mjafton insha`Allah si argument:
فَإِن تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّـهِ وَالرَّسُولِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّـهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ۚ ذَٰلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا