Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

Burimi: Fikhul-Mu’amelat el-Malijeh el-Mu’asirah, fq. 131-132

 

Nxënësit e dijes dhe ndjekësit e menhexhit të mirë e të bekuar selefij, janë njerëz dhe ndodhin nga ata gjëra që ndodhin nga njeriu; ata gabojnë njësoj siç gabojnë njerëzit e tjerë. Ndodh që mes tyre mund të plasin kundërshtime dhe përplasje për shkaqe të caktuara. E nga fjalët më të bukura që kam dëgjuar për këtë çështje është porosia e Shejkhut tonë, Shejkh Salih el-Feuzanit, dhe unë këtë porosi e kam përsëritur herë pas here dhe ne kemi nevojë shumë të madhe për këtë porosi. Sepse ne iu ankuam atij (Shejkh Feuzanit) për gjërat që ndodhin midis nxënësve të dijes dhe unë po i përcjell fjalët e tij me kuptim. Shejkhu tha:

 

“E gjithë ajo që ndodh midis nxënësve të dijes është dy lloje:

 

Lloji i parë: janë gjëra që mund të varrosen dhe ato duhet që të varrosen. Ato fjalë që thuhen, si për shembull filani mund të ketë thënë një fjalë për filanin, apo ato që quhen “gjëra personale”, është prej logjikës së shëndoshë, burrërisë dhe urtësisë, që këto gjëra të varrosen e të mos përhapen, si dhe të mos mbahen qëndrime në bazë të këtyre gjërave. Përkundrazi, uniteti dhe njëshmëria e safit (radhëve), ruajtja e menhexhit dhe pastrimi i brendësisë shpirtërore, janë më të mëdha sesa të mbash qëndrim për ato gjëra.”

 

(Lloji i dytë): Ai (Shejkh Feuzani) tha: “Kurse gjërat që nuk mund të varrosen, ato duhet patjetër të kurohen në atë mënyrë që të mos i gëzojë armiqtë. Nëse është mospajtim nga ana e diturisë, atëherë ky mospajtim duhet që të kurohet me metodën e saktë sheriatike, me të cilën nuk gëzohen armiqtë apo nuk e dobëson besueshmërinë që kanë nxënësit e dijes selefij te njerëzit e thjeshtë.”

 

Ne po flasim për nxënësit e dijes që janë të kapur për Sunnetin dhe janë të njohur për Sunnet. Këtë këshillë – pasha Allahun! – duhet të përpiqemi që ta zbatojmë atë në vetët tona dhe t’i porosisim vëllezërit tanë me këtë. Ato që mund të varrosen, ato duhet që të varrosen. Kurse ato që nuk mund të varrosen, atëherë duhet që t’i kurojmë ato me urtësi, në mënyrë që të arrihet qëllimi dhe që të mos shkaktojë ndonjë dëm ky qëllim; të mos vijë ndonjë shkatërrim si pasojë e këtij qëllimi, sa të jetë e mundur për të arritur këtë gjë. E nëse këto gjëra nuk kurohen me metodë të saktë, atëherë do të ketë prej tyre dëme shumë të mëdha.

 

Përktheu: Jeton Shasivari