Autor: Muhamed bin Umer Salim Bazmul
Nëse ndodhin mosmarrëveshje, secili prej atyre që ka rënë në këtë mosmarrëveshje nuk duhet të kërkojë hakun e tij deri në fund, porse duhet të lëshojë disi nga haku i tij, edhe ai tjetri duhet të lëshojë disi nga haku i tij, e kështu arrihet pajtimi. Kjo është në rastin kur mosmarrëveshja është ndërmjet dy personave për hesape dhe gjëra personale.
Ama për sa i përket mosmarrëveshjeve që ndodhin për çështje fetare, për shembull: dikush ka gabime në fe dhe ne kemi mosmarrëveshje me të për shkak të këtyre gabimeve fetare, në këtë rast nuk bëjmë lëshim, kur bëhet fjalë për gabime fetare, e as nuk pajtohemi me ty sepse kjo është feja e Allahut nuk është feja ime, nuk është diçka që e kam unë në dorë. Mirëpo ti duhet të kesh frikë Allahun. Ajo që të ofroj ty - me qëllim që të arrijmë pajtimin - është se unë po ta pranoj atë që shfaq ti (si pendim), kurse të fshehtat i di Allahu.
Për shembull, nëse ti je në gabim, duhet të deklarosh haptazi pendimin dhe kthimin tënd nga ky gabim, kurse unë do ta pranoj këtë që shfaqe ti dhe in shaa Allah do ta mbaj gjuhën time e s'do flas për ty, përveç nëse ti shfaq prapë diçka të kundërt me pendimin tënd, sepse kjo është fe, e unë s'kam asgjë në dorën time që të bëj lëshime në ndonjë çështje të fesë apo në sheriatit.
Për shembull: të të them ty se ty të lejohet që të shoqërohesh me ata bidatçijtë, vetëm kaq. Jo, unë s'ta them dot këtë sepse nuk është në dorën time kjo. Kjo është feja e Allahut dhe është sheriati i Allahut. Mirëpo mua ma obligon sheriati që të pranoj nga ty atë që shfaq ti, kurse të fshehtat i di Allahu. Unë nga ana ime po e mbaj gjuhën time dhe nuk flas për ty, po ndalem e po të jap mundësi, nuk po paralajmëroj kundër teje dhe po të lë derisa të shoh se sa i sinqertë je në pendimin dhe kthimin tënd. Kjo është ajo që mund të të ofroj ty, më shumë se kaq s'të ofroj dot. Pra, s'ka kufij te kjo temë.
Një tjetër këshillë që po e jap është: asnjeri të mos futet nëpër probleme. Ka dijetarë të mëdhenj që flasin për këto tema. Asnjeri të mos nxjerrë sqarime, asnjeri të mos thotë: “unë jam me filanin apo jam me fistekun,” asnjeri të mos thotë “unë përkrah këtë apo atë shejkh.” Lërini dijetarët se i mbyllin ata këto probleme. Ama që të dalin çdo ditë sqarime, siç po ndodh sot, njëri nxjerr sqarim thotë se ai përkrah filanin kurse tjetri nxjerr sqarim dhe thotë se ai përkrah fistekun...jo! Kjo është gabim! Kjo është gabim! Lërini dijetarët që vet ata t'u japin fund këtyre problemeve, derisa të mbarojnë çështjet, të sqarohen dhe të zgjidhen. Ama kështu siç bën ti, ti veçse po e ndez më shumë zjarrin e fitnes. Heshtni, rrini qetë, rrini urtë e butë me njëri-tjetrin dhe lërini dijetarët që ta zgjidhin problemin.
Përktheu: Alban Malaj