Bismilah...

 

Autor: Shejkhul-Albani (rahimehullah)


Pyetje: “Vërtet, Muslimanët sot janë ndarë në grupe e parti, ndërkohë që Allahu (Subhanehu ue Te’ala) na ka ndaluar që të ndahemi e të kemi mospajtime. Kështu, Muslimanët sot janë, ky është Selefij, ky tjetri është Esh’ari, ky tjetri është Sufi dhe ky tjetri është Maturidi. Pyetja është: A është e mundur që të mos ua vëmë veshin Akijdes në el-Uela dhe el-Bera (Miqësia dhe Armiqësia) për hir të bashkimit të fjalës në përballjen me armiqtë e Allahut?”

Përgjigje (nga Shejkhul-Albani):

“Kjo pyetje është e çuditshme dhe e pazakontë. Ajo vërteton se shumë nga Muslimanët - edhe sikur të mos themi shumica e Muslimanëve - nuk e dinë se si do të bëhet e mundur që Muslimanët të luftojnë armiqtë e Allahut dhe t’u shpallin luftë atyre. Ata janë - sikurse i përshkruajti edhe pyetësi - të ndarë në fraksione dhe parti të shumta.

Si mundet të mendojë ky pyetës se nëse ne e braktisim studimin rreth Allahut (‘Azze ue Xhel), që është pikënisja jonë në Akijde, të cilën Ai ia urdhëroi të Dërguarit me thënien:

Dhe madhëroje Zotin tënd!” [Muddethir, 3]

dhe thënia e Allahut (‘Azze ue Xhel):

Dhe dije se La ilahe il-lAllah (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut)!” [Muhamed, 19]

Kështu që, kur Muslimanët kanë mospajtim në kuptimin e kësaj fjale të mirë, atëherë si do të mund të jenë të aftë ata që të bëhen një fuqi e vetme, të ndeshen me armiqtë e Allahut dhe t’u shpallin luftë atyre? Pyetësi dhe ata që janë si puna e tij duan që ne ta shfuqizojmë Sheriatin e Allahut dhe kështu që të mund të ndeshemi me armiqtë e Allahut. Ky është medh`hebi i Ebu Neuasit, i cili ka thënë: “Ai më mjekoi me atë që ishte vetë sëmundja.” Zoti ynë (‘Azze ue Xhel) ka thënë:

Dhe nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtohuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij nëse besoni në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Kjo është më e mirë dhe më e përshtatshme për përcaktimin e fundit.” [Nisa, 59]

Dhe është gjithashtu ajeti të cilin ne e kemi përmendur vazhdimisht në të shkuarën:

Dhe kushdo që kundërshton të Dërguarin pasi që rruga e drejtë iu bë e qartë dhe ndjek rrugë tjetër në vend të rrugës së Besimtarëve, Ne do ta mbajmë atë në rrugën të cilën ai e ka zgjedhur dhe pastaj do ta djegim në Xhehenem - e sa përfundim i keq!” [Nisa, 115]

Si mund të jetë i kënaqur ky pyetës dhe ata që janë si puna e tij, që ne të largohemi nga të gjitha këto ajetet të qarta dhe si mund ta përfytyrojë ai mundësinë që këta Muslimanë të ndeshen me mosbesimtarët megjithë mospajtimet e rënda që kanë ata ndërmjet veti. Ato nuk janë - ashtu siç thua ti - vetëm në çështje dytësore e jo në bazat e Fesë. Përkundrazi, ka mospajtime në bazën e të gjitha bazave, e që ky është Allahu, Zoti i të gjitha Botëve (Tebarake ue Te’ala).

Dhe me keqardhje të madhe po ua përmend këtu dhe këtij pyetësi bashkë me ata që janë si puna e tij, se të gjithë ne fluturonim nga gëzimi kur na mbërrinin lajmet për fitoren e Afganëve kundër komunistëve Rusë dhe ndjekësve të tyre. Pastaj, po aq sa u gëzuam, u trishtuam dhe u pikëlluam kur ata (Afganët) u ndalën përpara dy qyteteve. Shkaku ishte se udhëheqësit dhe prijësat e tyre nuk u pajtuan me njëri-tjetrin për atë çfarë kishin mes veti, ndërkohë që Zoti juaj thotë:

Mos u kundërshtoni me njëri-tjetrin që të mos humbni kurajon dhe të mos ju lënë fuqitë.” [Enfal, 46]

Kështu që, ky pyetës nuk i ka kushtuar shumë vëmendjen ndarjes që ka patur për qëllim i Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në hadithin e 73 sekteve. Dhe ai përmendi se sekti i shpëtuar është ai që ndjek rrugën që ndoqi i Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe Sahabët e tij. Në atë kohë, Muslimanët iu mbështetën kësaj metodologjie të Kur'anit dhe Sunetit dhe rrugën në të cilën ishin Sahabët e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Atëherë, ata ishin të aftë që të ndesheshin me armiqtë e Allahut (‘Azze ue Xhel).

Ndërsa, kur ne ia lëmë të shkuarën të shkuarës dhe përpiqemi të bashkohemi dhe të ndeshemi duke shpallur luftë kundër armiqve tanë, atëherë kjo është një çështje e pamundur! Dhe ajeti me Betejën e Hunejnit dhe me ato që janë të kësilloji, janë nga shembujt më madhorë për bashkimin e fjalës së Muslimanëve. Kjo nuk do të jetë kurrë e mundur përveç se mbi bazat e Kur'anit dhe Sunetit. Dhe ajeti i mëparshëm ju mjafton insha`Allah.

Dhe nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtohuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij nëse besoni në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Kjo është më e mirë dhe më e përshtatshme për përcaktimin e fundit.” [Nisa, 59]

 

Përktheu Alban Malaj