Autor: Shejkh Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij
Kapuni fort të gjithë ju mbas Litarit të Allahut! Për këtë gjë ju ndihmon juve dhe ju bën të jeni të qartë si dielli, kthimi tek kuptimi i Selefëve të devotshëm, të cilin siç ju thashë, e gjeni të shpallur përpara duarve tuaja. Dhe kjo është një sfidë për ata që e kundërshtojnë këtë! Prandaj ne i sfidojmë njerëzit e bidateve dhe epsheve - i sfidojmë bidatçijtë në akide dhe në politikë - dhe u themi atyre: Mes nesh dhe jush janë Selefët! Mes nesh dhe jush janë librat! Imam Ahmedi thoshte: “Mes nesh dhe jush janë xhenazet!” Edhe ne themi po ashtu: Mes nesh dhe jush janë librat! Librat janë mes nesh. Allahu i Lartësuar i ka thënë të Dërguarit të Tij:
قُلْ فَاتُواْ بِٱلتَّوْرَاةِ فَاتْلُوهَا إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينْ
“Thuaj: Hajdeni silleni Teuratin dhe lexojeni, nëse po thoni të vërtetën!” Al-Imran, 92
Ata e sollën Teuratin por Teurati i përgënjeshtroi ata! Edhe atyre ne po u vijmë me librat e Selefëve! Po u vijmë me Kur`anin dhe Sunetin, po u vijmë me librat e Bukharit, Muslimit, Ebu Davudit, Tirmidhiut, Nesaiut, me librat që ka shkruar Ahmedi, po u vijmë me librat që kanë shkruar imamët e tjerë dhe librat e atyre që janë në rrugën e tyre. Pastaj do ta shohim se kush i braktis dhe i kundërshton ata!
Ashtu siç i sfidoi Allahu çifutët që të sillnin Teuratin, pastaj erdhi Teurati dhe i demaskoi ata, po ashtu i sfidojmë edhe ne ata bidatçijtë, që të sjellin librat e Selefëve, në mënyrë që të demaskohet bidatçiu, ose ne ose ata, që të dalë në shesh se kush është i devijuari, jemi ne apo janë ata!
A guxojnë ata që të na sfidojnë neve? A guxojnë ata që të hapin gojët e tyre dhe të flasin kështu siç flasim ne? Ne po e hapim gojën dhe po i sfidojmë me gjithë trimërinë, të gjithë ata që thonë se po e kundërshtojmë menhexhin e Selefëve të devotshëm!
Ne – pasha Allahun – i ftojmë të tjerët te menhexhi i Selefëve, i ftojmë te Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut – ‘alejhis-salatu ues-selam. Ne argumentohemi me Librin e Allahut dhe me Sunetin e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – për akiden tonë, për ibadetin tonë, për qëndrimet që mbajmë ndaj udhëheqësve dhe popujve, ndaj xhemateve dhe sekteve. Kurse ata të tjerët bazohen në hiletë dhe mashtrimet e tyre, si dhe tallen me mjekrat, siç i thonë. Betohem në Allahun se s’ke për të gjetur tek ata veçse hile dhe manipulime me ndjenjat e rinisë.
Tani, përse i grisin ata lajmërimet kur vjen dikush që fton në Kur`an dhe Sunet? Përse i grisin ata lajmërimet e ligjëratës së tij?! A nuk tregon kjo se kemi të bëjmë me një komplot të fshehtë, kemi të bëjmë me grupime të fëlliqura që janë infiltruar në radhët e muslimanëve dhe dalin krejt papritur sikur nëpërkat që injektojnë helmin e tyre?! Përse i prenë lajmërimet e ligjëratës? Kurrë nuk e kisha menduar që do të grisen lajmërimet që ftojnë në Kur`an dhe Sunet! Në cilin vend jemi ne? A mos vallë jemi në Iran?! Ky vend ku jemi ne u themelua me Kur`an e me Sunet dhe i fton muslimanët që të kapen fort mbas Kur`anit dhe Sunetit! Kush janë ata që i grisin lajmërimet e ligjëratave selefije? Me çfarë feje e kanë bërë këtë? Me çfarë menhexhi? Cila është akideja e tyre? Cili është menhexhi i tyre? Përse fshihen nëpër strofulla?! Përse fshihen ata? Po e pyete ndonjërin prej tyre: A je ti në menhexhin selefij? Ai të thotë ty rrejshëm e duke mashtruar: “Unë jam selefij!” Atëherë përse sillesh kështu? A nuk është kjo prej veprave më të këqija? A nuk është kjo sjellje prej argumenteve më të qarta që vërtetojnë se ka ca njerëz që po tallen me mendjet e rinisë?! Ndoshta po të mos ishin grisur lajmërimet e ligjëratës, kjo xhami s’do t’i kishte zënë dot të gjithë njerëzit që do të kishin ardhur!
Por, ku është rinia tani? Ku janë? Kush i largon ata nga ne? Kush janë ata? A nuk ka davete tani që po përziejnë bashkë bestytnitë me filozofitë dhe lajthitjet e Perëndimit? Betohem në Allahun që librat e tyre janë të mbushura plot me bidate, devijime dhe filozofi të fëlliqura, të cilat kundërshtojnë thirrjen e të Dërguarve fisnikë – ‘alejhimus-salatu ues-selam – dhe i përhapin këto filozofi e bidate e devijime në mesin e rinisë sonë, kinse ato janë Islami. Kurse që të thërrasësh në Selefizëm sot, kjo s’bën! Se librat e Shejkhul-Islam Ibën Tejmijes janë për kohën e shkuar! Hë? Se thirrja dhe veprat e Muhamed Ibën ‘Abdul-Uehabit janë për beduinët dhe nuk bëjnë për sfidat e sotshme, nuk bëjnë për t’u përballur me sfidat e sotshme! Kurse librat e filanit dhe fistekut bëjnë! Ju po luftoni varret, kurse ne po luftojmë fronet! A nuk ngriti daveti selefij këtë shtetin e Teuhidit? Po, e ngriti këtë shtetin e Teuhidit! Dhe e gjithë bota ka nevojë për këtë vend, për dynjanë dhe për fenë e këtij vendi! U mbush toka me mirësitë e këtij vendi, me libra e me qendra daveti…”
Përktheu: Alban Malaj