Bismilah...

Kush refuzon njerëzit e të pavërtetës (ehlul-batil), kjo s'do të thotë detyrimisht se ai është prej njerëzve të hakut

Shejkh Ahmed Bazmul

Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=140979

Çështja e dytë të cilën po e theksoj është: se ti vëren që njerëzit e të pavërtetës e refuzojnë njëri-tjetrin, kështu që, nuk kuptohet rrjedhimisht nga refuzimi i tyre ndaj njëri-tjetrit se ai që i refuzon njerëzit e të pavërtetës është në hak. Jo!

Si pasojë e kësaj, disa prej Selefijve mund të mashtrohen nga disa kundërshtar të hakut si dhe kryeneç. Për shembull, nëse e sheh se ai refuzon disa kundërshtar. Për shembull, nëse e sheh se ai paralajmëron kundër ‘Abdur-Rahman ‘Abdul-Khalik, nëse sheh se ai paralajmëron kundër Maribiut, mendon se ai është Selefij. Jo!

Ka thënë el-Berbeharij: “Njeriu nuk cilësohet me Sunnet derisa sa të bashkohen tek ai të gjithë cilësitë e Sunnetit.” [1]

Dhe kjo është një çështje e rëndësishme dhe një çështje e përpiktë. Dhe kështu sheh disa prej tyre që i refuzojnë Tekfircat, dhe i refuzojnë politikanët (thirrësat) të cilët janë ithtar të demonstratave dhe grusht shteteve, ai ka të drejtë në refuzimin që ka bërë, porse kjo, s’do të thotë se ai është nga njerëzit e hakut.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari

________________________________________

[1] (Shënim i përkthyesit) Më poshtë kam sjellë fjalën e Imam Berbeharit të cilën e përmend Shejkh Ahmed Bazmul, dhe kam sjellë tre shpjegime të ndryshme të tre dijetarëve të ndryshëm.

Imam el-Berbeharij (rahimehullah) thotë: "Nuk i lejohet njeriut musliman të thotë: filani është pasues i Sunnetit, derisa të ketë dije rreth tij se janë bashkuar tek ai cilësitë e Sunnetit, nuk thuhet për të se është pasues i Sunnetit derisa të mblidhet tek ai i tërë Sunneti".

Shpjegimi i Shejkh Salih el-Feuzan:

Mos jep tezkije për personin e as mos e lavdëro atë përveç se duke patur dije (për të), në mënyrë që njerëzit të mos mashtrohen me lavdërimin tënd që ia bën atij, kurse ai (i lavdëruari) nuk është i tillë. Nëse je vërtetuar për të dhe për rrugën e tij (që ndjek ai), për dijen e tij, për qëndrueshmërinë e tij (istikameh), atëherë, ti e lavdëron atë. Por ama të ngutesh duke e lavdëruar atë dhe duke dhënë tezkije për të dhe ti nuk di ndonjë gjë për të, kjo është një tezkije e rrezikshme, njerëzit mashtrohen me këtë person.

Ah sikur të ndaleshin ata që i lavdërojnë njerëzit, dhe të mos e lavdërojnë përveç se atë tek i cili janë plotësuar kushtet e lavdërimit, sepse lavdërimi është dëshmi. Kështu që, nëse lavdërimi nuk është i vërtetë, atëherë, ai lavdërim është dëshmi e rrejshme.

Dhe fjala e tij: Janë bashkuar tek ai cilësitë e Sunnetit.

Cilësitë e Sunnetit janë në Akideh, në dituri, në pasimin e Selefëve të devotshëm, por nëse ai ka vetëm një cilësi të vetme, atëherë mos gjyko për të se është nga Ehli Sunneti për shkak të një cilësie të vetme apo të një gjëje të vetme, atëherë si është puna me atë që s’ka as edhe një gjë nga ato cilësi?!

Burimi: “Sherhu-Sunneh” të Imam Berbeharit - Allahu e mëshiroftë - me shpjegim të Shejkh Feuzanit, vëll. 2, fq. 222.

________________________________________

Imam el-Berbeharij (rahimehullah) thotë: "Nuk i lejohet njeriut musliman të thotë: filani është pasues i Sunnetit, derisa të ketë dije rreth tij se janë bashkuar tek ai cilësitë e Sunnetit, nuk thuhet për të se është pasues i Sunnetit derisa të mblidhet tek ai i tërë Sunneti".

Shpjegimi i Shejkh Rabij ibn Hadij el-Medkhalij:

Ekzistojnë parime (usul) tek Ehli Sunneti të cilat rrjedhin nga Libri i Allahut dhe Sunneti i të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kush i përmbush ata parime, atëherë ai është prej Ehli Sunnetit, dhe i besohet atij se është i palëkundur në atë që ishte i Dërguari i Allahut – sal-Allahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe shokët e tij, dhe kush e injoron një parim prej këtyre parimeve, atëherë ai nuk është nga Ehli Sunneti.

Ai që ka devijuar në çështjen e kaderit, apo në çështjen e Emrave dhe Cilësive (të Allahut), apo thotë (fjalë) të Xhebrijve, apo thotë (fjalë) të Murxhijve dhe Sufistëve, apo se ka rënë në lajthitjet e Sufsitëve që adhurojnë varret, apo ka rënë në hulul (doktrinë e cila thotë se Allahu është i bashkuar me krijesat e tij, në brendi të çdo krijese, i shkrirë me ta, andaj çdo gjë që sheh – sipas pretendimeve të tyre – është Allahu, sh.p), apo në uahdetul-uxhud (doktrinë që thotë se Allahu është në çdo vend dhe kudo, sh.p), apo ka rënë në Hizbijeh, apo në fanatizëm ndaj të pavërtetës (batil), apo ka rënë ndonjë gjë që e mohon një parim prej parimeve të Ehli Sunnetit, atëherë ky nuk është nga Ehli Sunneti. Kështu që, nga ajo që duket – Allahu e di më së miri – se ai (Imam Berbeharij, Allahu e mëshiroftë) ka këtë për qëllim, autori ka këtë për qëllim.

Do të thotë: të mos dëshmojmë për një njeri se është prej Ehli Sunnetit, përpos nëse e di se ai është nga Ehli Sunneti, apo se ai i ka plotësuar parimet e Ehli Sunnetit, dhe ai (Imam Berbeharij, Allahu e mëshiroftë) ka për qëllim atë që e thyen një parim të vetëm prej parimeve të Ehli Sunnetit, atëherë ai nuk është prej tyre. Dhe prej këtyre parimeve janë: nderimi i Sahabëve dhe respektimi i tyre, andaj, ai që i fyen Sahabët, nuk është nga Ehli Sunneti, dhe ai që i urren apo i armiqëson apo bën tekfir mbi ta – Allahu na ruajttë – nuk e bën këtë përveç se një i devijuar i fundosur në devijim apo një zindik - Allahu na ruajttë.

Me një fjalë, dëshmia për një person se është nga Ehli Sunneti ka nevojë për verifikim, ka thënë i Lartësuari:

إِلَّا مَن شَهِدَ بِالْحَقِّ وَهُمْ يَعْلَمُونَ

“Përveç atyre që dëshmuan të vërtetën dhe e dinë.” Ez-Zukhruf, 86

Dhe ka thënë i Lartësuari:

وَلَا تَقْفُ مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ ۚ إِنَّ السَّمْعَ وَالْبَصَرَ وَالْفُؤَادَ كُلُّ أُولَـٰئِكَ كَانَ عَنْهُ مَسْئُولًا

“Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” El-Isra, 36

Është për të ardhur keq, se ka njerëz të cilët dëshmojnë për njerëz se janë prej Ehli Sunnetit pavarësisht se ata i ndihmojnë dhe i përkrahin bidatet e mëdha e të qarta sikur dielli, dhe kjo vepër është prej argumenteve të qarta se njerëzit e Sunnetit dhe Sunneti janë të huaj.

Burimi: “Sherhu-Sunneh” të Imam Berbeharit – Allahu e mëshiroftë - me shpjegim të Shejkh Rabij ibn Hadij el-Medkhalij, vëll. i dytë, fq. 924 – 925.

________________________________________

Imam el-Berbeharij (rahimehullah) thotë: "Nuk i lejohet njeriut musliman të thotë: filani është pasues i Sunnetit, derisa të dijë për të se janë bashkuar tek ai tiparet e Sunnetit, nuk thuhet për të se është pasues i Sunnetit derisa të mblidhet tek ai i tërë Sunneti".

Shpjegimi i Shejkh Ahmed en-Nexhmit, Allahu e mëshiroftë:

Unë them: Pasues i Sunnetit është ai të cilin e ka shpëtuar Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – nga këto ëndje (ahua), dhe ai është i kapur pas Sunnetit i cili ka ardhur nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - dhe shokët e tij, sipas metodës së Muhadithëve dhe ata njerëz të rëndomtë që i pasuan ata. El-Berbeharij – Allahu e mëshiroftë – ka përmendur se pasues i Sunnetit është ai tek i cili janë bashkuar cilësitë e Sunnetit, që të jetë i shpëtuar nga të gjitha ëndjet e përmendura. Është e njohur se bazat e bidateve janë pesë, e ato janë:

1. Xhehmijtë

2. Shi’at.

3. Khauarixhët.

4. Murxhi’at.

5. Kaderijtë.

Burimi: “Sherhu-Sunneh” të Imam Berbeharit – Allahu e mëshiroftë – me shpjegim të Shejkh Ahmed bin Jahja en-Nexhmit, fq. 237.

Përktheu: Jeton Shasivari