Bismilah...

Argumentimi me tezkijet e disa dijetarëve për njerëzit e bidatit

Autor: Shejkh Rabij' Ibën Hadij el-Medkhalij

Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=140538

Pyetje:

Pyetësi thotë: Janë disa thirrësa që nuk janë të njohur për ndjekjen e menhexhit Selefij dhe ka paralajmërim kundër tyre. Mirëpo disa njerëz vazhdojnë të ulen tek ata thirrësa me argumentin se ata nuk janë kritikuar me një kritikë të detajuar dhe se ata kanë tezkije nga Shejkh 'Abbadi etj. Kështu, vëllezërit u ndanë mes veti për shkak të atyre thirrësave: disa janë me ata që i kritikojnë kurse disa janë me ata që i lavdërojnë. Atëherë, cila është fjala juaj për ata?

Përgjigje nga Shejkh Rabij' Ibën Hadij el-Medkhalij:

Fjala ime është se ky person për të cilin njerëzit janë ndarë mes veti dhe nuk i bën tezkije vetes së tij, ai e ka detyrë që ta shfaqë qartazi, haptazi Menhexhin Selefij, porse ai mbështetet tek tezkija e filanit dhe fistekut. Filani dhe fisteku nuk janë të pagabueshëm në tezkijet që japin, sepse ata i japin tezkijet duke u bazuar në pamjen e jashtme të personit, i cili mund të serviloset dhe të shtiret para atyre gjoja ai është në Selefizëm dhe është në menhexhin e saktë, ndërsa nga ana tjetër mban të fshehur të kundërtën e asaj që shfaq.

Edhe sikur ta fshehte atë që ai e shfaq, ajo do t'i shfaqej në shkarjet e gjuhës së tij, kudo që ai ulet, në mësimet e tij dhe mexhliset e tij sepse ena nxjerr veçse atë që ka përbrenda. Vërtet, çdo enë do të derdhë atë që mban përbrenda. Kështu që, nëse ai është Selefij, sikur të japë mësim çfarëdolloj lënde, edhe sikur të japë mësim gjeografi apo matematikë, patjetër që do të shikosh Menhexhin Selefij - Allahu u bekoftë – që të shpaloset në mësimet e tij, në vendet ku ai ulet etj.


Prandaj, unë e këshilloj këtë njeri që nuk e ka shfaqur Selefizmin e tij dhe mjaftohet me tezkijet, që ai t'i bëjë tezkije vetes së tij duke e shfaqur qartazi këtë menhexh në mësimet e tij dhe në çdo vend tjetër ku të jetë e mundur, sepse me të vërtetë Umeti ka nevojë emergjente për thirrjen drejt këtij Menhexhi Selefij.


Dhe nëse ky person - Allahu u bekoftë - është nga ky lloj njerëzish, për të cilin the se i mbështetet tezkijeve (që ia kanë dhënë disa dijetarë [sh.p.]) dhe ai nuk i bën tezkije vetes së tij (me pasimin dhe shfaqjen e Menhexhit Selefij [sh.p.]), atëherë ai e dëmton veten e tij duke fshehur dijen, duke fshehur akijden dhe duke fshehur këtë menhexh. Dhe unë kam frikë se ato ajete që i përmendëm më përpara për fshehjen e dijes dhe mos urdhërimin e të mirës dhe mos ndalimin e të keqes, mund të bien mbi të.

Dhe prej të këqiave më të mëdha, më të shëmtuara dhe më të liga tek Allahu janë bidatet në Fe, të cilat po përhapen në mesin e këtij Umeti. Pastaj, shumë njerëz synojnë tezkijet pa u përballur me këtë realitetin e errët në të cilin ndodhen, dhe ata pretendojnë se janë në Menhexhin Selefij.

Një rast i thashë Shejkh Ibën Bazit – rahimehullah - kur kishin dalë disa fjalë nga ai, domethënë ato ishin si njëfarë tezkije për xhematin Tablig, edhe pse deri diku ajo përmbante shenja për të mençurit rreth devijimit dhe injorancës që kanë ata në Fe. Kështu, ata i shfrytëzuan ato fjalë që përmbanin njëfarë lavdërimi për ta dhe zvogëluan çdo gjë që ishte qortim i nënkuptuar për ta, në lidhje me akijden dhe menhexhin e tyre. Pra, ata nxjerrin në pah vetëm lavdërimin, kurse kritikën zbehin.

Kështu që, unë u ula me Shejkhun dhe i thashë: “O Shejkhu ynë, tani ti ke në Umet pozitën e Imam Ahmed Ibën Hanbel dhe e Ibën Tejmijes - Allahu pastë mëshirë për të gjithë -; me të vërtetë që ti ke pozitë tek njerëzit. Me këtë dua të them se, nëse nga ty del ndonjë fjalë, ata do ta marrin atë si të vërtetë. Dhe tani kanë dalë disa fjalë nga ty, të cilat njerëzit i konsiderojnë tezkije për xhemat Tablig, ndonëse ti u tregove i rezervuar gjatë fjalës tënde, mirëpo ata janë dinakë dhe ata kanë plan dhe e shfrytëzojnë tezkije dhe lavdërimin [...fjalë të paqarta në inçizim…] pa treguar fjalët që nxjerrin në shesh injorancën dhe devijimin e tyre.”

Unë vazhdova të flisja me të derisa thashë: “O Shejkh!” Ai tha: “Po.” Unë i thashë: “A të ka ardhur ndonjë prej Ehli-Hadithit nga India dhe Pakistani apo ndonjë prej grupit Ensarus-Sunneh të Egjiptit dhe Sudanit?” Atë kohë grupi Ensarus-Sunneh në Egjipt dhe në Sudan ishin tejet të palëkundur në Menhexhin Selefij, pastaj më vonë plasën stuhitë e fitneve dhe politikës dhe ato depërtuan në radhët e tyre dhe ndodhën lëkundje.

Pra unë i thashë (Shejkh Ibn Bazit): “A të ka ardhur ndokush nga Ehli-Hadithi në Indi dhe në Pakistan apo ndokush nga Ensarus-Sunneh në Egjipt dhe në Sudan që të kërkojnë nga ty që ata janë në hak dhe në Sunet?” Ai tha: “Jo.” Unë i thashë: “E përse jo?” Ai tha: “Ç’mendoni ju?” Unë i thashë: “Sepse për ata dëshmojnë veprat e tyre dhe ato janë tezkije për ta që ata janë në hak. Kurse sa i përket xhematit Tablig dhe të ngjashmëve me ta, veprat e tyre nuk nuk u bëjnë tezkije atyre, përkundrazi, veprat e tyre i dënojnë ata se ata janë në devijim dhe në bidate. Atëherë qeshi Shejkhu - Allahu pastë mëshirë për të - qeshi.

Pra, disa njerëzve nuk u bëjnë tezkije as veprat e tyre dhe as qëndrimet e tyre dhe as që dëshmojnë se ata janë Selefijunë, prandaj ata mbështeten tek këto metoda të ulta, duke i mashtruar disa njerëz dhe duke u servilosur tek ata për të marrë tezkije. Pastaj, ata mjaftohen me kaq.

Ah sikur t'i jepnin fund dëmit dhe sherrit të tyre ndaj njerëzve të Hakut dhe Sunetit! Përkundrazi, ata shkojnë dhe shtijnë në gracka njerëzit e Suneti me këto tezkije. Kështu, ato janë grackë, nëpërmjet të cilës ata shpien në humbje shumë nga të rinjtë dhe i devijojnë nga Menhexhi Selefij.

Unë njoh shumë nga këta lloj njerëzish që ndjekin këtë rrugë të keqe.

Prandaj ne i i kërkojmë Allahut që të na japë mirëqënie, dhe Ai u dhëntë sukses atyre që t'u bëjnë tezkije veteve të tyre me veprat e tyre dhe t'i bëjë veprat që të dëshmojnë për ta për mirësinë, për drejtësinë dhe për Menhexhin Selefij.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj