Bismilah...

Autor: Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh

Burimi: Mexhmu’ul-Fetaua, vëll. 11, fq. 472-474, botimi i Kompleksit të mbretit Fehd për botimin e Kuranit

(Ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – tregon për debatin që u zhvillua në prani të emirit, midis tij dhe disa njerëzve të bidateve nga sekti Rufaijeh, sh.p.)

Më tha: “Bidati është si zinaja.” Dhe transmetoi një hadith për qortimin e zinasë.

Unë i thashë: “Ky hadith është shpikur (meuduë) për të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu te’ala ‘alejhi ue sel-lem. Zinaja është gjynah, kurse bidati është më i keq se zinaja. Siç ka thënë Sufjan eth-Theurij:

البدعة أَحَبُّ إلى إبليس من المعصية؛ فإنّ المعصية يُتاب منها والبدعة لا يُتاب منها

“Bidati është më i dashur për Iblisin se mëkati, sepse nga mëkati (njeriu) pendohet, kurse nga bidatet nuk pendohet.”

Njëri nga ata tha: “Ne i bëjmë njerëzit që të pendohen.”

Unë i thashë: Prej ç’gjëje i bëni që të pendohen?

Më tha: “Nga kusaria, vjedhja dhe gjëra të tilla.”

Unë i thashë: “Gjendja e tyre para pendimit që u bëtë shkak ju, ishte më e mirë se gjendja pas pendimit që i nxitët ju. Ata ishin fusak (njerëz që bënin mëkate të mëdha); besonin se ajo që bënin ishte e ndaluar dhe shpresonin në Mëshirën e Allahut dhe pendoheshin tek Ai apo synonin të pendoheshin. Kështu që, ju me këtë pendimin e tyre që u bëtë shkak ju, i keni bërë ata të devijuar, mushrik, të dalë nga Sheriati i Islamit; e duan atë që e urren Allahu dhe e urrejnë atë që e do Allahu.” Po ashtu, sqarova se këto bidate në të cilat janë ata dhe të tjerët, janë më të këqija se gjynahet. Duke iu drejtuar emirit dhe të pranishmëve, thashë: “Ndërsa gjynahet janë ashtu siç ka përcjellë Buhariu në Sahihun e tij nga Umer bin Khatab se një person e thërrisnin gomar, se ai pinte alkool. Ky e bënte të qeshë Pejgamberin – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Çdoherë që e sillnin te Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ai e ndëshkonte atë. Njëherë, një person e shau atë duke i thënë: “Allahu e mallkoftë. Sa shumë herë e kanë sjellë te Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem! E Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:

“Mos e mallko atë! Sepse ai vërtetë e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”

Pastaj thashë: “Ky njeri pinte shumë alkool, megjithëkëtë, përderisa e kishte besimin e saktë, e donte Allahun dhe të Dërguarin e tij, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dëshmoi për këtë dhe ndaloi që ai të mallkohet. Kurse bidatçiu është ashtu siç e kanë nxjerrë në Dy Sahihat nga Alij bin Ebi Talib, nga Seid el-Khudrij dhe nga të tjerë, se (në kohën e Pejgamberit) filloi të përflitet se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – po ndante (plaçkën e luftës padrejtësisht), kështu erdhi një njeri ballëdalë, sythellë, mjekërdendur, kokërruar, në ballë kishte gjurmë të sexhdes, dhe tha atë që tha. Dhe Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:

“Do të dalin njerëz nga soji i këtij, që njëri nga ju (sahabët) do ta zhvlerësojë namazin e tij në krahasim me namazin e tyre, agjërimin e tij në krahasim me agjërimin e tyre, leximin e tij të Kuranit në krahasim me leximin e tyre. Ata e lexojnë Kuranin, por ai nuk kalon poshtë gurmazit të tyre. Ata do të dalin nga Islami ashtu siç del shigjeta përtej gjahut. Nëse do t’i kisha arritur ata, do t’i kisha vrarë si popullin e Adit.”

Në një transmetim tjetër thuhet:

“Sikur ta dinin se çfarë u është premtuar (si shpërblim) nga gjuha e Muhamedit atyre që i luftojnë ata (Hauarixhët), do ta kishin lënë punën (do të ishin mjaftuar vetëm me këtë punë).”

(Pas kësaj) thashë: “Ata, me gjithë namazin e shumtë që bënin, agjërimin, leximin e Kuranit, adhurimin dhe largimin e tyre nga dunjaja (asketizmin), Pejgamberi – sal-lAllahu te’ala ‘alejhi ue selem – urdhëroi që ata (Hauarixhët) të vriten. Alij bin Ebi Talib dhe ata që ishin me të nga Sahabët e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, i vranë ata, për shkak se dolën nga Suneti dhe Sheriati i tij. Mendoj se e përmenda edhe fjalën e Shafiut:

“Është më mirë për një rob që të sprovohet me çdo gjynah përveç shirkut ndaj Allahut, sesa të sprovohet me diçka nga këto epshe (bidate).”

Kur u shfaq ndyrësia e bidateve në Islam, duke qenë se ato janë më të errëta se zinaja, vjedhja, pirja e alkoolit, dhe duke qenë se ata shpikën bidate të urryera, gjendja e tyre u bë më e rëndë se gjendja e atij që bën zina, vjedhësit, pirësit i alkoolit.

Shejhu i tyre i quajtur Abdullah, filloi të thotë: “O Meulana (mbrojtësi, ndihmësi jonë)! Mos iu kundërvë këtyre njerëzve fisnik e të fuqishëm d.m.th. pasuesve të Ahmed bin Rufait.”

Unë ia ktheva duke e kundërshtuar me fjalë të ashpra: “Mjerë për ty! Kush janë ata njerëz fisnik e të fuqishëm? Njerëzit fisnik e të fuqishëm (që janë nga Ehli Sunneti) e që e kundërshtojnë atë (Ahmed bin Rufain) janë më parësorët për këtë fuqi.”

Përktheu: Jeton Shasivari