Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij ibën Hadi ‘Umejr el-Medkhali

Burimi: el-Lubab min Mexhm’ui Nasaihi ue Teuxhihaati Shejkh Rabij li Shebab, fq. 491-492

 

 

Pyetje: Disa njerëz që i përkatësohen dijes, këshillojnë që mos të lexohen librat e refuzimeve. Cili është mendimi juaj për këtë o Shejkh?

 

Përgjigje: Këta iu kundërvunë Ehli Sunetit me sharje, prishje të imazhit, shpifje e gënjeshtra. Ata kaluan – Allahu e di më së miri – dekada duke qenë në këtë gjendje, kurse Ehli Suneti heshti ndaj tyre. Kur Ehli Suneti filloi t’i refuzojë këto padrejtësi, armiqësi dhe shpifje, ata ndryshuan intonacionin e zërit, e ajo ishte: largimi i të rinjve nga librat e refuzimeve duke u thënë atyre që të mos lexojnë libra me refuzime.

 

Në rregull! Po librat me shthurje, sharje, zullum, pse nxisni që këto libra të lexohen?! Pse i nxisni njerëzit për leximin e librave që i kundërvihen Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – menhexhit të Selefëve dhe atyre që përfaqësojnë këtë menhexh? I nxisni njerëzit për leximin e tyre dhe i largoni njerëzit nga ai që e refuzon këtë të pavërtetë.

 

Librat me refuzime janë libra të xhihadit. Selefët kanë thënë: “Ai që refuzon bidatçijtë është më i mirë se ai që godet me shpatë (armë).”

Ibën Tejmijeh ka thënë: “Ai që refuzon bidatçijtë është muxhahid.” 

 

Pasha Allahun, me të vërtetë shoh se dija e shëndoshë është në librat e refuzimeve. Për këtë arsye, shumica e librave të Ibën Tejmijes ishin me refuzime dhe Allahu i bëri dobi umetit me këto refuzime. Ai refuzoi Esharijt në shumë libra të tij, refuzoi Rafidijt, të Krishterët, Jehudët, refuzoi fetë dhe besimet e ndryshme. Kështu Allahu i bëri dobi umetit me këto refuzime.

 

Refuzimet në këtë kohë, janë nga librat më të dobishme. Shumë njerëz nuk mund ta mbrojnë veten e tyre nga e pavërteta, përveç nëse i lexon këto libra. Nuk e kupton realitetin e shumë thirrjeve të prishura e të lajthitura vetëm nëse lexon librat me refuzime, sepse në to gjendet kuptimi i saktë i fesë, besimi i saktë dhe aty sqarohen metodologjitë. Por, ata duan që të rinjtë të jetojnë në errësira dhe t’i drejtojnë ashtu siç drejtohen kafshët. Allahu na ruajtë.

 

Andaj, sheh shumë nga të rinjtë që janë bërë si ushqim i bagëtive, tërhiqen kështu, derisa të kapen pas rrjetit të merimangës – fatkeqësisht. Vëren shumë prej të rinjve që nuk bëjnë dallim midis Sunetit dhe bidatit, të vërtetës dhe të pavërtetës, devijimit dhe udhëzimit. Sikur Allahu t’ua donte të mirën atyre, do t’i kishin lexuar librat e refuzimeve dhe do të kuptonin realitetin e tyre që bëjnë pështjellime duke vënë pengesa midis tyre dhe midis njohjes së vërtetës përmes librave të refuzimeve.

 

Andaj thuaju të rinjve, përcillua selamin tim dhe thuaju që t’i lexojnë librat e refuzimeve, duke filluar me librat e Shejkhul-Islam Ibën Tejmijes dhe ato refuzime që janë shkruar në këtë kohë kundër njerëzve të pavërtetës.

 

Përktheu: Jeton Shasivari