Autor: Shejkh Sulejman Ruhejli
Pyetje: Allahu të bekoftë! Ky dyshim ka të bëjë me uljen tek njerëzit e epsheve (bidateve) dhe të devijuarve në rrugët që ata kanë zgjedhur. (Pyetësi) thotë: dikush nga njerëzit ulet me njerëzit e bidateve dhe i dëgjon ata. Nëse të tjerët e paralajmërojnë atë nga dëgjimi i tyre, ai thotë: “Allahu më ka dhënë mend dhe unë bëj dallim midis të saktës dhe gabimit.” Ndoshta edhe e përsërit fjalën e disa dijetarëve se çdokujt i merret dhe i lihet fjala.
Përgjigje: Sikur Allahu të të kishte dhënë mend, nuk do të ishe ulur me ta. Sepse ulja me ta është nga të këqijat më të mëdha. Pasha Allahun o vëllezër! Unë njoh njerëz me emra që ishin njerëzit më të mirë në Sunet, të cilët u treguan tolerantë në uljen me disa që njiheshin për bidate, si rrjedhojë, gjendja e tyre u kthye përmbys.
Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – thotë:
“Kush dëgjon (se ka dalë) Dexhalli, le të ikë larg tij. Njeriu që shkon te ai dhe mendon se do ngelet i njëjti (besimtar siç ishte), atij nuk i ngelet tjetër vetëm se ta pasojë atë për shkak të dyshimeve të shumta që sjell Dexhalli.” Suneni i Ebi Daud-it, 4319.
Andaj, duhet patjetër të kemi kujdes, të largohemi dhe të mos tregohemi tolerantë në uljen me njerëzit e bidateve dhe mos t’i dëgjojmë ata, ngase shpëtimi i fesë nuk krahasohet me asgjë. Kurse, epshi verbon, shurdhon, infekton dhe shkakton fatkeqësi. Andaj, njeriu nuk duhet që të tregohet tolerant në lidhje me çështjet e fesë së tij, por duhet të ketë kujdes të madh dhe të kapet pas Sunetit dhe njerëzve të Sunetit. Ta shtojmë Ehli Sunetin dhe ta shtojmë numrin e tyre. Të përpiqemi për ta nxjerr në pah të mirën që është tek ata, dhe nuk kemi nevojë për uljen me njerëzit e epsheve dhe bidateve.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari