Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Ibën ‘Umer Bazmul

 

 

 

Prej formave të devijimeve është që njeriu të thotë “unë jam selefij”, mirëpo ai ka moral dhe sjellje xhahilijeti në marrëdhënie me njerëzit, e jo moral e sjellje selefizmi, pastaj thotë “unë jam selefi”!!!

 

Nëse merr borxh nga njerëzit, ai nuk ua kthen borxhin!

 

Nëse kalon pranë njerëzve të thjeshtë, nevojtarë, xhahila, në vend që t’i afrojë, t’i udhëzojë dhe t’i nxisë për të mira, ai vrenjt fytyrën përpara tyre, distancohet, nuk ua kthen fare selamin dhe i lë në vështirësi, të cilat më së miri i di vetëm Allahu. Kështu ai jep një imazh të keq për Selefizmin!

 

Botëkuptimi i Selefizmit gjithashtu ka ndryshuar! Njëherë e pyetën Shejkh Ibën ‘Uthejminin për atë që thotë “unë jam selefij” dhe thërret në Selefizëm, kurse ai tha: “Selefizmi nëse bëhet hizbije nuk lejohet, nuk është i saktë!” Ai e fokusoi fjalën e tij te çështja e Selefizmit si emër, por që në brendësi ai është shndërruar në hizbije, e pikërisht kjo bie ndesh me Selefizmin! Pra, ai në të vërtetë ka refuzuar hizbijen në Selefizëm dhe nuk ka refuzuar Selefizmin.

 

Botëkuptimi i Selefizmit ka ndryshuar! Unë i njoh disa njerëz që nuk dinë nga Selefizmi asgjë tjetër përveç se refuzimet. Me këto merren ata, ditën dhe natën! Tek ai njeri dija është vetëm refuzime. Ajo që di ai nga Selefizmi është vetëm që të ulet dhe të flasë për filanin dhe fistekun, me raste e pa raste, edhe mendon se pikërisht ky është Selefizmi! Ky nuk është menhexhi i Selefëve, mos e lër që të tallet me ty! Mos e lër që të tallet me ty! Mos lër njeri që të ta deformojë realitetin, sepse ky nuk është menhexhi i Selefëve, nuk është menhexhi i Selefëve veçse refuzime! Nuk është menhexhi i Selefëve vetëm që të flasësh për filanin dhe fistekun! Me qëllim që të vërtetojë para teje që ai është Selefij, kur ulet në mexhlis, ai fillon e flet për filanin, bën muhabet për filanin, komenton për fjalën që ka thënë filani dhe sjell refuzimin që i ka bërë filani. Me qëllim që të vërtetojë se ai është nxënës i dijes, ai sjell këto refuzimet, i bën kopje dhe t’i jep ty! Ky nuk është menhexhi i Selefëve! Dije se ai që të ka thënë ty se ky është menhexhi i Selefëve, ka gabuar! Menhexhi i Selefëve është që të ndjekësh rrugën në të cilën ka qenë i Dërguari – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dhe Sahabët e tij. Refuzimi ka vendin e vet, e folura për xherrhin dhe ta’dilin ka vendin e vet, kryerja e ibadetit ka vendin e vet, sjellja ka vendin e vet dhe menhexhi ka vendin e vet. Çdo gjë ka vendin dhe masën e vet. Ama kur ti e paraqet Selefizmin me këtë imazh dhe pastaj nuk do që njerëzit të të refuzojnë, jo, pasha Allahun! Je ti ai që e shëmton imazhin e Selefizmit! Jo, pasha Allahun! Je ti ai që e shëmton imazhin e Selefizmit! Kjo është gabim! Kjo është gabim!… Selefizmi është menhexh i përmirësimit dhe thirrjes.

 

Ai që do ta shkatërrojë e ta thyejë në mes njeriun që ka gabuar, direkt, e madje as që i jep mundësinë që të kthehet në hak, ky nuk është selefij, sado që të thotë se ai është selefij.

 

Selefizmi është mëshirë!

 

Unë njoh dikë nga dijetarët tanë, e ka këshilluar kundërshtarin për gjashtëmbëdhjetë vjet, as nuk njoftonte dhe askush nuk dinte gjë për këtë. Kjo është mëshirë! Nuk duhet ta thyesh atë direkt! Jo! Për gjashtëmbëdhjetë vjet, për dhjetë vjet, ai ka këshilluar dhe është treguar i përmbajtur, nuk është ngutur. Unë njoh dijetarë që kanë vepruar kështu. Ama kush mendon se refuzimet, e folura për filanin dhe për fistekun, rrëzimi i filanit, e gjëra të ngjashme si këto, pa pasur balancim, pa mësuar dijen ashtu siç duhet, pa i trajtuar çështjet me metodën e saktë, dije se ky njeri nuk është selefij, edhe nëse ulet nga sabahu e deri në mbrëmje dhe thotë unë jam selefij, edhe nëse ulet e thotë vazhdimisht ajete dhe hadithe që nga sabahu e deri në mbrëmje! Khauarixhët thoshin vazhdimisht ajete dhe hadithe! Ai është kharixhij në emër të Selefizmit, sepse kjo është një prej aspekteve të daljes nga Xhemati Islamik! Kjo është një prej aspekteve të deformimit të Selefizmit! Ky është ai që ulet dhe s’ka punë tjetër vetëm që të flasë për filanin dhe fistekun nga davetçijtë që kanë gabuar, dhe nuk i peshon çështjet me peshoren e drejtë! A ka njeri që ka shpëtuar nga gabimi! Nuk ka asnjë, të gjithë bijtë e Ademit gabojnë.

 

Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – thotë për qafirat:

 

وَلاَ يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ عَلَى أَلاَّ تَعْدِلُواْ

“Mos t’ju shtyjë urrejtja që keni për një popull sa që të mos mbani drejtësi…” [el-Maa`ideh, 8]

 

Kur t’i e trajton këtë person që ka gabuar sikur ai të jetë qafir, sikur ai të ketë dalë nga Feja, a është drejtësi kjo?!

 

Çdo gjë vendose në peshoren e drejtësisë. Prandaj ata u çuditën kur një prej dijetarëve foli për gabimin e filanit, e mbas dy muajsh ai tha: “S’ka problem që të dëgjoni mësimet e tij!” Qysh e nxori në gabim këtu, ndërsa nga ana tjetër thotë kështu!

 

Po, ky është dijetar, ky kupton, ky do që ta afrojë atë njeri, do që ta përmirësojë gjendjen e tij dhe t’i japë mundësi që të kthehet, e në të njëjtën kohë foli për të dhe e refuzoi sipas masës së gabimit që ka bërë ai, ia bëri të qartë çfarë ishte e sakta dhe shpreson – in shaa` Allah – se ai do ta pranojë këtë që është e saktë, e me kaq do mbyllet çështja e tij. Në vend që ta shtojmë më shumë largimin e tij, ne duhet të përpiqemi që ta afrojmë. Dijeni o xhemat, se Selefizmi është nga botëkuptimet në të cilat disa njerëz kanë devijuar, prandaj kijeni mendjen te kjo…!

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj