Autor: Shejkh Ahmed Ibn Jahja en-Nexhmi
Burimi: http://www.ajurry.com/vb/showthread.php?t=29929
Të gjitha lavdërimet janë për Allahun. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, si dhe mbi Familjen dhe Shokët e tij.
Allahu e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim dhe Fenë e vërtetë që ai ta bëjë të qartë atë mbi të gjitha fetë e tjera, ndonëse njerëzit që adhurojnë të tjerë në vend të Allahut mund ta urrejnë atë. Dhe jeta e të Dërguarit të Allahut - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - është një shembull praktik për zbatimin e Ligjit të Allahut. Ai është i njëjti ligj që iu shpall atij dhe që u urdhërua ta ndiqte atë, siç thotë Allahu - Subhanehu ue Te’ala -:
ثُمَّ جَعَلْنَاكَ عَلَىٰ شَرِيعَةٍ مِّنَ الْأَمْرِ فَاتَّبِعْهَا وَلَا تَتَّبِعْ أَهْوَاءَ الَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ ﴿١٨﴾ إِنَّهُمْ لَن يُغْنُوا عَنكَ مِنَ اللَّـهِ شَيْئًا ۚ وَإِنَّ الظَّالِمِينَ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ ۖ وَاللَّـهُ وَلِيُّ الْمُتَّقِينَ ﴿١٩﴾
“Dhe tani, Ne të kemi vendosur ty në rrugën e drejtë të fesë, andaj ndiqe atë dhe mos shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë! Ata nuk mund të të mbrojnë aspak nga zemërimi i Allahut. Pa dyshim, keqbërësit kanë për mbrojtës njëri-tjetrin, kurse Allahu është Mbrojtësi i atyre që i frikësohen Atij e që ruhen nga gjynahet.” [el-Xhathije, 18-19]
Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - e ndalonte pabesinë dhe tradhëtinë, mandej ai urdhëroi ndershmërinë, mirësjelljen dhe besnikërinë. Është transmetuar se sa herë që ai caktonte prijësin e ndonjë ushtrie apo çete, ai e këshillonte atë veçmas që të tregohej i ndërgjegjshëm, t’i frikësohej Allahut dhe të sillej mirë me Muslimanët që ishin me të. Në një rast ai - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë:
“Ec përpara në Emër të Allahut në rrugë të Allahut. Luftoji ata që mohojnë Allahun. Vazhdo përpara, por mos i kalo kufijtë. Mos u bëj tradhëtar, mos gjymto dhe mos i vrit fëmijët.” [Transmetuar nga Muslimi nr 4294]
Kurse teksti i të njëjtit hadith të transmetuar nga Taberani në el-Mu’xhemus-Sagijr (n. 340) është:
“Mos ji frikacak dhe mos i vrit fëmijët, gratë apo të moshuarit.”
Pra, i Dërguari - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - e ndaloi pabesinë dhe tradhëtinë, pikërisht rrugën që ndjekin terroristët. Gjithashtu, ai ndaloi vrasjen e grave, fëmijëve dhe të moshuarve, madje edhe ata të cilët nuk janë të aftë për të luftuar. Ai e ndaloi vrasjen e këtyre njerëzve ashtu siç ndaloi shkatërrimin. Allahu - Subhanehu ue Te’ala - thotë:
وَلَا تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ بَعْدَ إِصْلَاحِهَا وَادْعُوهُ خَوْفًا وَطَمَعًا ۚ إِنَّ رَحْمَتَ اللَّـهِ قَرِيبٌ مِّنَ الْمُحْسِنِينَ ﴿٥٦﴾
“Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.” [el-A’raf, 56]
Në disa ajete të tjera Allahu përmend se Ai nuk i do atë që shkaktojnë çrregullime dhe as nuk e drejton planin e mashtruesve.
Në këtë rrugë dhe në këtë metodologji jetuan dhe ndoqën Sahabët. (Kur ishin në pushtet) ata shkonin tek populli mosbesimtar (me të cilin ishin në gjendje lufte) dhe fillimisht i ftonin ata në Islam. Nëse ata nuk pranonin dhe ishin Kristianë apo Çifutë, atëherë ata u bënin ftesën që të paguanin taksën (Xhizjen) që të jetonin në tokat e Muslimanëve. Nëse ata nuk pranonin, atëherë Sahabët u shpallnin luftë atyre. Ata i njoftonin në mënyrë të qartë se do të ndesheshin ushtarakisht; ata luftonin vetëm pasi që të ishte bërë deklarata e hapur për luftë. Kurse atyre që adhuronin idhujt i linin që të zgjidhnin nëse donin të hynin në Islam apo të luftoheshin; edhe ata luftoheshin mbasi që u ishte bërë e qartë deklarata për luftë.
Kurse ata që po bëjnë akte terroriste në ditët e sotme, ata që vënë rrip me eksploziv apo përdorin makina të mbushura me eksplozivë - ata futen aty ku janë mbledhur njerëzit dhe i aktivizojnë ato pajisje apo makina (të mbushura me eksploziv) duke u hedhur edhe vetë në erë. Një akt i tillë bazohet vetëm në pabesi dhe tradhëti; Islami është i pastër nga kjo gjë dhe kurrë nuk i mbështet këto akte në asnjëfarë rrethane.
Aktet e kryera këto ditë - siç janë sulmet vetëvrasëse në Britani apo edhe në vende të tjera - kryhen dhe projektohen nga ata që i shpallin njerëzit mosbesimtarë, Khaurixhët. Janë pikërisht këta njerëz që janë dënuar nga i Dërguari - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - kur ai ka thënë:
“Kah fundi i kohës do të shfaqen disa njerëz të rinj në moshë dhe të papjekur. Ata do të flasin me fjalët më të mira, por do të dalin nga Islami ashtu siç del shtiza tejpërtej presë së saj. Besimi i tyre nuk i kalon fytet e tyre. Kudo që t’i gjeni vritini, sepse në vrasjen e tyre ka shpërblim në Ditën e Ringjalljes.”
Gjithashtu, është transmetuar saktësisht se ai ka thënë:
“Ata (Khauarixhët) janë njerëz më të këqinj që janë vrarë nën këtë qiell.”
Dhe:
“I vrari më i mirë është ai që e kanë vrarë ata (Khauarixhët).”
Dhe ai - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë:
“Tuba (një pemë në Xhenet) është për këdo që i vret ata.”
Dhe:
“Kudo që t’i gjeni, vritini sepse për këtë ka shpërblim tek Allahu.”
Dhe ai ka thënë për ata:
“Ata janë qentë e Xhehenemit.”
Dhe:
“Sikur t’i takoja, unë do t’i kisha vrarë ashtu siç u vranë populli i ‘Adit.”
Dhe në një tekst tjetër: “...siç u vranë populli i Themudit.”
Dhe ai ka thënë:
“Ata do të dalin përtej Fesë ashtu siç del shtiza tejpërtej presë së saj, dhe nuk do të kthehen më kurrë tek ajo aq sa ç’mund të kthehet shtiza në harkun e saj.”
Dhe kuptimi i fjalëve: “ata do të dalin përtej Fesë”, është se ata do ta lënë Fenë duke shkuar në drejtimin e kundër të saj. Kështu bëjnë Khauarixhët, ata futen në Fe dhe dalin nga ajo duke mos u mbetur asgjë prej saj.
Në bazë të kësaj, ne e pranojmë se Islami është i pastër nga kjo sjellje e dalldisur dhe e dhunshme. Dhe kjo i dëshpëron dhe i pikëllon autorët e këtyre krimeve. Pra, sido që të jetë, veprimet e tyre janë të refuzuara.
Dhe njerëzit që akuzojnë Selefitë - ndjekësit e Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, të cilët kanë qëndruar në rrugën e Sahabëve - ata që i akuzojnë Selefitë kinse këta janë autorët e shpërthimeve në Britani apo në vende të tjera, që vrasin njerëz, që shkatërrojnë pronat, që derdhin gjak, që tmerrojnë njerëzit, që heqin dorë nga të bindurit qeverive; ata që i akuzojnë Selefitë për të tilla veprime janë pikërisht ata që po i bëjnë këto krime. Por ata duan t’ia mveshin këto akte dikujt tjetër; faktikisht ata janë njerëz të organizatës el-Kaida, ndjekës të Usama Ibn Laden, el-Mas’ari, Sa’d el-Fakijh etj. Këta njerëz janë rritur me librat e autorëve që kishin tendenca Tekfiri, siç ishte Sejjid Kutb dhe njerëz të tjerë që bashkoheshin me të në metodologjinë e tyre të devijuar. Ata i shpallin mosbesimtarë njerëzit e Umetit të Muhamedit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - pa kurrëfarë të drejte. Ata bëjnë tekfir mbi ndonjë person vetëm për shkak se ai ka bërë gjynahe, kur në të vërtetë nuk ka njeri që s’bën gjynahe.
Në të vërtetë, është e ndaluar që të deklarosh ndonjë Musliman si mosbesimtar derisa ta ketë deklaruar Allahu si të tillë, ashtu sikurse Allahu i ka deklaruar mosbesimtarë ata që adhurojnë të tjerë në vend të Tij, të cilët bëjnë Shirk të madh. Allahu - ‘Azze ue Xhel-le - thotë:
وَلَقَدْ أُوحِيَ إِلَيْكَ وَإِلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكَ لَئِنْ أَشْرَكْتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ ﴿٦٥﴾
“Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.” [ez-Zumer, 65]
Dhe Allahu - Subhanehu ue Te’ala - thotë:
وَمَن يَدْعُ مَعَ اللَّـهِ إِلَـٰهًا آخَرَ لَا بُرْهَانَ لَهُ بِهِ فَإِنَّمَا حِسَابُهُ عِندَ رَبِّهِ ۚ إِنَّهُ لَا يُفْلِحُ الْكَافِرُونَ ﴿١١٧﴾
“Ai që pos Allahut, adhuron zot tjetër, duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të japë llogari vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit.” [el-Mu’minun, 117]
Dhe Ai thotë:
فَلَا تَدْعُ مَعَ اللَّـهِ إِلَـٰهًا آخَرَ فَتَكُونَ مِنَ الْمُعَذَّبِينَ ﴿٢١٣﴾
“Prandaj, mos adhuro tjetër zot, përveç Allahut, që të mos bëhesh nga ata që do të dënohen.” [esh-Shu’ara, 213]
Pastaj Ai përmend Isain, të birin e Merjemes, i cili thotë:
يَا بَنِي إِسْرَائِيلَ اعْبُدُوا اللَّـهَ رَبِّي وَرَبَّكُمْ ۖ إِنَّهُ مَن يُشْرِكْ بِاللَّـهِ فَقَدْ حَرَّمَ اللَّـهُ عَلَيْهِ الْجَنَّةَ وَمَأْوَاهُ النَّارُ ۖ وَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ أَنصَارٍ ﴿٧٢﴾
“O bijtë e Israilit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj. Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.” [el-Ma’ide, 72]
Ky është realiteti (i mosbesimtarëve) dhe askush nuk duhet të provojë ta ndryshojë atë. Dhe kushdo që pretendon diçka ndryshe nga kjo, atëherë ai është një gënjeshtar tamam si ata që janë të trullosur me bërjen e Tekfirit, të cilët i deklarojnë mosbesimtarë ata që besojnë Allahun e adhurojnë Atë, ata që falen e agjërojnë. Njerëz të tillë bëjnë propagandë dhe thërrasin në gjëra të kota e në mashtrime.
Kjo është e vetmja e vërtetë dhe askush nuk duhet të dyshojë apo ta injorojë atë. Dhe suksesi është nga Allahu. Allahu dërgoftë paqe dhe bekime mbi Pejgamberin tonë Muhamed, si dhe mbi Familjen dhe Shokët e tij.
Diktuar nga: Shejkh Ahmed Ibn Jahja en-Nexhmi, 7/22/1426 Hixhrij
Përktheu Alban Malaj