Bismilah...

 

Nga Shejkh, Doktor Muhamed Ibn ‘Umer Bazmul
Marrë nga libri i tij: Ibaratun Muhimetun (Deklarata Devijuese)

Ky Shejkh nuk është nga dijetarët e mëdhenj

Kjo deklaratë është thënë nga disa njerëz të cilët duan të refuzojnë fjalët e ndonjërit prej dijetarëve, ose duan të largojnë dikë që të mos i dëgjojë fjalët e këtij dijetari ose që të mos marrë gjë prej tij. Veçanërisht, kur kjo ka të bëjë me çështjen e ndalimit të së keqes, paralajmërimin kundër bidatit dhe nxjerrjen në shesh të gabimeve.

Kjo është nga të pavërtetat (batil) dhe nga frazat e Shejtanit të cilat shërbejnë për t’i ndalur njerëzit që të e mos dëgjojnë të vërtetën apo ta pranojnë atë.

Kjo deklaratë refuzohet nga këto këndvështrime që vijojnë më poshtë:

• Parimi bazë është se ne nuk e refuzojmë fjalën thjesht për shkak të një personi, por fjala pranohet ose refuzohet sipas përputhshmërisë që ka ajo me të vërtetën apo me kundërshtimin e saj. Nëse ajo përputhet me të vërtetën, atëherë ne e pranojmë atë; dhe nëse bie në kundërshtim me të vërtetën, atëherë ne e refuzojmë atë. Ndërsa që ta refuzosh atë thjesht për arsye se ai që e ka thënë atë nuk është prej dijetarëve të mëdhenj, atëherë kjo në mënyrë absolute nuk lejohet pasi kjo bie në kundërshtim me parimin themelor se: E vërteta nuk njihet nëpërmjet burrave.

 

• Kur ai që flet është nga dijetarët e mëdhenj, kjo nuk do të thotë se e gjithë ajo ç’ka thotë ai është e vërtetë (hak); dhe poashtu, kur ai është nga dijetarët të cilët nuk kanë arritur gradën e “dijetarëve të mëdhenj”, kjo nuk do të thotë se e gjithë ajo ç’ka thotë ai është e pavërtetë (batil). Ka ardhur nën autoritetin e Imam Malikut (rahimehullah) se ai ka thënë: “Çdonjërit prej nesh i pranohen ose i refuzohen fjalët, përveç atij që është tek ai varr (duke iu referuar të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Kështu që, çështja duhet të kthehet tek kërkimi i argumentit që posedon ai i cili e ka thënë atë deklaratë dhe gradën që ka ai në përputhje me të vërtetën apo në kundërshtim me të.

• Në këtë deklaratë ka një përpjekje për t’i mbajtur njerëzit larg prej dijetarëve si dhe ka një nënvlerësim të të drejtave të tyre për sa kohë që dijetari është i panjohur tek ata, nuk mund të japë kontributin e tij për ta apo nuk gëzon popullaritet mes tyre.

• Kjo deklaratë përmban moral të lig ndaj të drejtave që kanë dijetarët. Është detyrë ruajtja e të drejtave të tyre, duke patur parasysh pozitën që kanë ata në lidhje me Kur'anin dhe Sunetin dhe atë ku kanë qenë të Parët tanë të Mirë (es-Selefus-Salih).

• Kjo deklaratë është kthyer në një mjet shkatërrimi në duart e njerëzve të bidatit që kanë për qëllim zhvlerësimin e fjalëve të Ehli-Sunetit dhe Xhematit (Ehlus-Sunne uel-Xhema’a). Për rrjedhojë, sa herë që një dijetar paralajmëron kundër bidatit, ata e shajnë atë; dhe nëse ai paralajmëron kundër gabimeve, ata i bëjnë padrejtësi dhe i hedhin poshtë fjalët e tij. Pastaj, ata i paralajmërojnë të tjerët që të ruhen prej tij vetëm për shkak se ai nuk është nga “dijetarët e mëdhenj”! Prandaj, është detyrë që të kundërshtohen njerëzit e bidatit dhe të paralajmërohet kundër ideologjive që kanë ata, të cilat shërbejnë vetëm për të luftuar të vërtetën dhe njerëzit e saj.

• Kuptimi i një deklarate të tillë është se askush nuk ka të drejtë që ta hedhë poshtë gabimin në të cilin kanë rënë këta thirrësa (du’at), qofshin ata individë apo grupe, përveç atëherë kur ai (sipas tyre) është nga dijetarët e mëdhenj; dhe kjo është e pasaktë. Kjo bie në kundërshtim me thënien e të Dërguarit fisnik (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), kur ai ka thënë: “Secili nga ju që shikon një të keqe (munker), le ta ndryshojë atë me dorën e tij; dhe nëse nuk ka mundësi, atëherë me gjuhën e tij; dhe nëse nuk ka mundësi, atëherë me zemrën e tij dhe ky është imani më i dobët.

• Allahu ka urdhëruar që të kthehemi tek njerëzit e dijes së Kur'anit dhe Sunetit – Ehlu-Dhikri – dhe nuk ka vendosur kusht që ata të jenë të famshëm apo prej dijetarëve të mëdhenj. Ai thotë:

 

“Dhe Ne nuk kemi dërguar ndonjë burrë para teje (O Muhamed) përveç se Ne i frymëzuam ata, kështu që pyetni ata që i dinë Librat e Parë, në qoftë se nuk e dini. (Ne i çuam të Dërguarit) me Shenja të qarta dhe me Libra, ndërsa edhe ty (O Muhammed) me përkujtuesin me këshilla (Kur’anin), që ti të mund t’u sqarosh njerëzve se çfarë u ka zbritur atyre dhe ata të mund të mendojnë.” [Nahl, 43-44]

• Kur një dijetar të thotë për një gjë se ajo është bidat apo gabim dhe filan person ka rënë në të, atëherë, vërtet ai po të njofton për gjendjen e tij dhe transmetimi i një personi që është i besueshëm pranohet, përveç kur vjen një fjalë e ngjashme me të (nga një dijetar) që e hedh poshtë transmetimin e tij. Nuk ka ndonjë kusht që thotë se ky dijetar duhet të jetë nga dijetarët e famshëm apo nga dijetarët e mëdhenj (që t’i pranohet transmetimi). Një kusht i tillë nuk është përmendur asnjëherë nga ndonjë prej dijetarëve lidhur me pranimin e transmetimit, kështu që sugjerimi i tij do të ishte braktisje e asaj çfarë kanë pohuar tashmë njerëzit e dijes.

• Realiteti i atij që e ka bërë këtë deklaratë tregon se ai kërkon vetëm që të pranojnë bidatin dhe të heqë dorë nga largimi i të keqes. Edhe sikur të sillje një thënie nga dijetarët e mëdhenj të cilët refuzojnë një bidat, një fjalë të pavërtetë apo gabimin e një filan personi, ai prapë se prapë do ta refuzojë (atë çfarë kanë thënë dijetarët e mëdhenj) me thënie të tilla si:

“O vëlla, ky Shejkh është i ndikuar nga ata që janë reth tij!”

“O vëlla, mos ua vër veshin akides apo gabimeve që kanë njerëzit!”

“O vëlla, rrëzimi i personaliteteve me famë (duke i refuzuar ata) nuk është punë e lehtë!”

“O vëlla, unë nuk e kam obligim që të ndjek fjalën e atij Shejkhut!”

Dhe komente të tjera të ngjashme me to.

Dhe si përfundim: e pavërteta (el-Batil) do të vazhdojë të përhapet, thirrja drejt një personi të caktuar dhe bidatit të tij do të vazhdojë, thirrësat për në batil do vazhdojnë të japin mësim dhe do të shkëlqejnë përmbi Sunetin dhe njerëzit e tij, të cilët kanë për t’u mashtruar. Njerëzit e dijes do të tërhiqen dhe për pasojë, njerëzit nuk do t’i njohin ata dhe nuk do ta kërkojnë të vërtetën që zotërojnë ata. Njerëzit nuk do ta njohin Sunetin dhe kështu, ajo që është e mirë do të konsiderohet e keqe dhe ajo që është e keqe do të konsiderohet e mirë.

Dhe nuk ka fuqi dhe pushtet përveç se nga Allahu!
Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi gjithsesi!

 

Përktheu Alban Malaj