Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij

Burimi: Shkëputur nga kaseta  “Esbabul-Inhiraf”

 

“...O vëllezër, qëndroni të palëkundur, qëndroni të palëkundur në këtë kohë, në këtë epokë kur janë shtuar tej mase fitnet dhe trazirat. Fitnet dhe trazirat janë shtuar dhe po i mbajnë njerëzit larg nga pranimi i të vërtetës, pranimin e Islamit.

 

Njerëzit kanë kaluar situata të ndryshme dhe po kalojnë një jetë me besime të kota, supersticione dhe devijime. Shumë prej njerëzve e kaluan jetën e tyre larg nga Feja e Allahut. Ose ata kanë jetuar si komunistë, bathistë, socialistë, e kështu me rradhë. Shumë shtete u ngritën mbi këto themele shkatërrimtare dhe që të gjitha ato dështuan në realitet, pozita e tyre u zbeh para syve të njerëzve. Aq sa shumë njerëz e kuptuan se lumturia në këtë jetë dhe në jetën tjetër ishte në ndjekjen e Islamit të vërtetë.

 

Kështu, shumë veta nga rinia e këtij Umeti që nga lindja e deri në perëndim, filluan të kërkonin të vërtetën. Ata kërkonin Librin e Allahut, kuptimin e Librit të Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – duke u larguar nga këto besime të kota dhe kështu e pranuan të vërtetën.

 

Sipas mendimit tim dhe asaj që kam dëshmuar, armiqtë e Islamit dhe Sunetit nga mesi i njerëzve të devijimit, prej tyre Rafidat, Sufistët dhe grupet e ndryshme politike e kuptuan rrezikun që u kanosej nga ky kthim për në Islamin e saktë. Sloganet e tyre do të binin dhe do të zhdukeshin, kështu ata përgatitën kurthet dhe planet e tyre që t’i largojnë këta të rinj nëpërmjet rrugëve të ndryshme, me metoda të poshtra, që t’i mbanin të rinjtë larg nga Feja e Allahut, e cila është e vërteta, me qëllim që t’i drejtojnë ata në shtigje të cilat do t’i shpien larg Librit të Allahut. Ata bënë kaq shumë përpjekje për t’i larguar njerëzit nga e vërteta, veçanërisht pasi shumë të rinj ishin kthyer në menhexhin Selefij.

 

Prandaj, e shikon sot të pavërtetën si të vërtetë, kurse të vërtetën si të pavërtetë dhe kjo i ka bërë shumë njerëz që të largohen nga e vërteta. Vetëm Allahu e di numrin e atyre që janë në metodologjinë e Selefus-Salih.

 

Kjo është prej kurtheve dhe planeve të tyre, të cilat të largojnë nga të qënurit i palëkundur në të vërtetën, ta largojnë nga thirrja e vërtetë. Ata (armiqtë e Selefive) hyjnë tek kjo thirrja në mënyrë që të pranohet e pavërteta.

 

Prandaj, librat me refuzime janë dituri. Nuk ke për të gjetur dituri të gjallë, ajo dituri e cila bën dallimin midis të vërtetës dhe të pavërtetës, përveç se në librat e refuzimeve. Pasha Allahun, Kur'ani i refuzon njerëzit e mosbesimit, devijimit, hipokritët, Çifutët dhe Kristianët. Ai nuk ka lënë asnjë devijim pa e kritikuar dhe pa sqaruar devijimin e njerëzve që janë në të. Suneti dhe librat e menhexhit Selefij dhe librat e Xherhit dhe Te’dilit gjithashtu janë përplot me kritika dhe refuzime ndaj njerëzve që ndjekin të pavërtetën.

 

Për arsye se e vërteta nuk do të mund të dallohet nga e pavërteta përveç se nga ky kriticizëm dhe nga këto refuzime.

 

Kështu që, lexojini librat e Shejkhul-Islam Ibn Tejmije dhe Ibnul-Kajjim si dhe librat e Selefive bashkëkohorë të cilët bëjnë Xhihad në Rrugë të Allahut. Ata e parandalojnë fitnen që të mos mbërrijë tek të rinjtë dhe u tregojnë atyre rrugën e saktë të Islamit që është larg rrugëve të devijuara, si dhe nxjerrin në shesh gabimet dhe devijimin e bidatçijve. Kështu që merreni vesh se çfarë kanë për qëllim ata (armiqtë e Selefive) me luftën e tyre kundër librave me refuzime. Merrni dije dhe mos u mjaftoni asnjëherë me dijen që po merrni. Përpiquni me të tërë mundin tuaj. Ajo që do t’ju ndihmojë në kuptimin e dijes së saktë janë librat me refuzime, pasi ata zënë një pjesë shumë të rëndësishme në kërkimin e dijes.

 

Ndërsa ai që nuk i njeh librat e refuzimeve dhe mjaftohet me atë dije që ka mësuar, atëherë ai do të jetë në një gjendje të paqëndrueshme.”

 

 

Përktheu Alban Malaj