Bismilah...

Shejkh Zejd bin Muhamed bin Hadij el-Medkhalij, Allahu e ruajt, është pyetur:

“Kanë dalë disa njerëz në këtë kohë të cilët thonë se dituria e Xherhit dhe Ta’dilit ka qenë vetëm për një periudhë kohore të caktuar, kurse sot ne nuk kemi më nevojë për të. Çfarë mendimi keni ju, Allahu u dhëntë sukses?”

Përgjigje: “Përpara se të filloj t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, do të doja t’ju kujtoja disa pika të cilat janë të domosdoshme për studentët e dijes, trashëgimtarët e Pejgamberëve, që ata t’i studiojnë dhe t’i kuptojnë këto pika në mënyrën e duhur:

Pika e parë: ajo që është transmetuar nga Selefët në lidhje me rëndësinë e Isnadit (zinxhirit të transmetimit) dhe se ai është nga karakteristikat e këtij Umeti, Umet i cili ka karakteristika madhështore të cilat e dallojnë atë nga umetet e tjera, dhe kjo nuk është e panjohur për atë që posedon kuptimin e Fesë. Vërtet Muhamed bin Sirin ka thënë: “Me të vërtetë kjo dije është prej Fesë, kështu që shikoni se nga kush po e merrni Fenë tuaj.”

 

Dhe ai ka thënë gjithashtu: “Më përpara nuk i kushtohej rëndësi zinxhirit, por kur u shfaqën fitnet, ata thonin, “Na i thoni burrat tuaj (d.m.th. emrat e atyre që u kishin transmetuar). Kështu, nëse ata ishin nga Ehli-Suneti, atëherë hadithet e tyre pranoheshin. Dhe nëse ata ishin nga Ehlul-Bid’ah, atëherë hadithet e tyre refuzoheshin.”

Kështu që, unë them: këto dy thënie e nderojnë Ehli-Sunetin dhe qortojnë haptazi Ehlul-Bidatin. Qofshin të lumtur Njerëzit e Hadithit në çdo kohë e në çdo vend. Qoftë lavdërimi dhe besueshmëria mbi ata që e posedojnë atë (hadithin), dhe qoftë pikëllimi mbi njerëzit e bidatit nga rradhët e Muslimanëve, ata të cilët i kanë marrë çështjet së mbrapthi për shkak të rrugëve të këqia që ndjekin, gjë që duket sheshit nga bidatet që po ringjallin ata, ngase ata po e ndihmojnë bidatin dhe po e bëjnë Sunetin që të vdesë, dhe se ata kanë urrejtje për njerëzit e Sunetit.

Pika e dytë: se shkenca e Xherhit dhe Ta’dilit për çdo brez e për çdo kohë ka njerëzit e saj me cilësitë përkatëse, me dijen e Kur'anit dhe Sunetit dhe shkencat e tyre, të cilët karakterizohen nga ndershmëria dhe vigjilenca.

Imam Malik ka thënë: “Me të vërtetë kjo dije është Feja, kështu që kini vëmendjen se prej kujt po e merrni Fenë tuaj, sepse vërtet unë kam takuar 70 personalitete të shquara, ata të cilët transmetonin duke thënë, “Filani ka thënë se i Dërguari i Allahut ka thënë” - pastaj Imam Malik bëri me shenjë drejt Xhamisë së Pejgamberit dhe tha: “Por unë nuk merrja asgjë prej tyre. Edhe nëqoftëse ndonjëri prej tyre do të ishte caktuar rojtar i arkës së kursimeve (Bejtul-Mal) ai do të kishte qenë me të vërtetë i besueshëm, por ai nuk ishte nga njerëzit që merren me transmetime, mirëpo kur na vinte Ibn Shihab (Zuhriu), ne nguteshin që të shkonim tek ai dhe mblidheshim në oborrin e tij.”

Unë them: e gjithë kjo ka ndodhur për shkak se Ibn Shihabi ishte nga dijetarët e transmetuesve, kishte përsosmëri në kujtesën e tij si dhe kishte ndershmëri e vigjilencë.

Përpara thënies së Imam Malikut: Muxhahid ka thënë se Beshir el-Adauij erdhi tek Ibn ‘Abbasi dhe Beshiri filloi të transmetonte dhe tha: “I Dërguari i Allahut ka thënë, I Dërguari i Allahut ka thënë.” Por Ibn ‘Abbasi nuk po ia vinte veshin dhe as që po e shikonte atë, kështu që ai tha: “O Ibn ‘Abbas, ku qëndron problemi që nuk po më dëgjon ndërsa unë po të transmetoj. Unë po të transmetoj nga i Dërguari i Allahut kurse ti nuk dëgjon.” Ibn ‘Abbasi tha: “Vërtet, kur dëgjonim ndonjë njeri të thoshte, “I Dërguari i Allahut ka thënë” ne nxitonim që ta shihnim atë dhe afroheshim tek ai për ta dëgjuar. Mirëpo kur njerëzit filluan të pranonin nga çdo soj e sorollop, atëherë ne nuk merrnin nga njerëzit, me përjashtim të atyre që ne i njihnim.”

Pika e tretë: Obligimi për t’u marrë me zbatimin e parimit të pastrimit dhe edukimit (et-Tesfije uet-Terbije) dhe qëllimi i Tesfijes siç e kuptoj unë është: të bërit dallim midis haditheve të sakta dhe haditheve të dobëta dhe të bërit dallim në hadithet e dobëta që mund të përforcohen dhe ato që nuk mund të përforcohen; të bërit dallim mes Sunetit dhe Bidatit; të bërit dallim midis Akijdes dhe menhexhit të Selefëve dhe besimeve dhe metodologjive të Njerëzve të Bidatit (Ehlul-Bid’ah), nga ata që kanë shkuar apo nga ata që janë sot; të bërit dallim midis njerëzve të mirë nga kriminelët; të bërit dallim se prej kujt duhet ta marrësh dijen dhe ku duhet të kthehesh për të marrë fetva - dhe ata janë Dijetarët Edukatorë (‘Ulema er-Rabanijun) që janë në menhexhin e Selefëve me dije dhe vepra - dhe atyre që nuk u merret dija - çdo bidatçiu që bëhet grup, duke ftuar për në devijim dhe duke i këshilluar njerëzit që ta pranojnë devijimin e tij.

Kurse për sa i përket Terbijes: qëllimi i saj është edukimi i individëve dhe mendjeve me tekstet e Kur'anit dhe Sunetit, dhe me kuptimin e Selefus-Salih, Allahu i mëshiroftë ata. Kështu, nëse njerëzit janë edukuar në duart e Dijetarëve të tyre që të ndjekin Librin e Zotit të tyre dhe Sunetin e saktë të Pejgamberit të tyre, atëherë ata do të jenë të suksesshëm me një jetë të mirë e të begatë; dhe nëse ata janë edukuar me idetë e ‘mendimtarëve’, ata të cilët thithin shumë pak nga kuptimi i Fesë, dhe me opinionet e Njerëzve të Bidatit që nuk shtjellohen me tekstet e qarta Sheriatike, atëherë ata i kanë bërë zullum veteve të tyre... kanë zgjedhur rrugën e shkatërrimit, janë ngarkuar me gjynahe dhe çfarë përfundimi i keq që është ky.

Për sa i përket përgjigjes për tekstin e pyetjes, atëherë unë them duke u mbështetur në ndihmën dhe korrigjimin nga Allahu, i Cili na ka mësuar që të kërkojmë ndihmë prej Tij, siç është përmendur në thënien e vërtetë: “Ty të vetëm të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.

Vërtet thënia e pyetësit rreth dijes së Xherhit dhe Ta’dilit që ajo ishte vetëm për një periudhë kohe të caktuar e cila ka kaluar dhe ka mbaruar, dhe se pena e saj është ngritur, letra e saj është tharë dhe personalitetet e kësaj dituria kanë vdekur, atëherë kjo është gabim, dhe këtu ka marrëzi të qartë dhe pengim nga interesimi për tekstet e Kur'anit dhe Sunetit dhe shkencat e tyre, dhe është devijim i studentëve të dijes Sheriatike që të mos i shohin transmetuesit e haditheve dhe tekstet e tyre, dhe ky është rreziku i mundshëm që vjen prej saj, rrezik që nuk është i panjohur nga njerëzit e dijes dhe Imamët e Fesë.

E vërteta është insha`Allah se dituria e Xherhit dhe Ta’dilit do të vazhdojë të qëndrojë për sa kohë që ka dije dhe Dijetarë, dhe kjo për arsye se në përgjithësi në çdo periudhë kohore ka Imamë që janë të kualifikuar në dhënien e Ta’dilit (lavdërim, dëshmi për diturinë, drejtësinë dhe ndershmërinë e njerëzve) për këdo që e meriton Ta’dilin, dhe t’u japin Xherh (kritikë) atyre që e meritojnë Xherhin, për shkak të thënies së Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Do vazhdojë të jetë një grup nga Umeti im që janë në përputhje me urdhërin e Allahut, ata nuk do të dëmtohen nga ata që i tradhëtojnë dhe as nga ata që i kundërshtojnë derisa të vijë urdhëri i Allahut dhe ata janë të shfaqur në mes njerëzve.

Dhe në një transmetim tjetër: “Do vazhdojë të jetë një grup nga Umeti im të patundur nën urdhërin e Allahut, ata nuk do të dëmtohen nga kushdo që i kundërshton.

Me të vërtet një grup i madh dijetarësh kanë thënë: “Nëse ky grup nuk janë dijetarët e hadithit, atëherë ne nuk e dimë se kush janë ata”, dhe në realitet dijetarët e hadithit janë ata që njohin me imtësi zinxhirët dhe tekstet (e haditheve), saktësinë dhe dobësinë e tyre, pranimin dhe refuzimin e hadithit, arsyet për pranimin e hadithit dhe arsyet për refuzimin e tij, si dhe aspektet e tjera studimore në shkencat e hadithit që janë të shkruajtura nëpër libra. Sakaq, edhe sot ka - siç ka patur më përpara dhe do të ketë edhe më mbas - Ulema që kanë ixhaze (autorizim, leje) nga Shejkhat e tyre me zinxhirë transmetimi që lidhen me Pejgamberin. Dhe i shikon ata duke transmetuar gjashtë librat që janë nëna e hadithit, si dhe çdo libër tjetër me zinxhir transmetimi të pashkëputur, dhe ky është një argument i fortë që tregon ekzistencën e diturisë së Xherhit dhe Ta’dilit në këtë kohë dhe më mbas.

Ndoshta Allahu i zbulon diçka dikujt që vjen më mbas nga njerëzit e dijes rreth temës së Xherhit dhe Ta’dilit, diçka që ka qenë e paqartë për dikë që ishte para atij, edhe nëse periudha midis këtyre të dyve kalon përtej shumë brezave. Dhe kjo çështje është e pranueshme. Mirëpo, kjo nuk e zvogëlon aspak vlerën e atyre që kanë paraprirë dhe as nuk i ul ata. Dhe ajo që duhet patjetër të jetë në qendër të vëmendjes është se Xherhi dhe Ta’dili ndodh në transmetimin e lajmeve tek njerëzit e tjerë. Dhe ai që po transmeton ose është i besueshëm ose është i pabesë, siç ndodh në dëshminë rreth pasurisë, nderit dhe gjakut. Kjo është ajo që unë e kam të qartë dhe e përmenda këtë në një formë të përmbledhur. Dhe Allahu e di më së miri.

Më e mira që mund të themi për ata që thonë se çështja e Xherhit dhe Ta’dilit ka mbaruar dhe se transmetuesit e kësaj diturie kanë vdekur shumë vjet më përpara, është se ata kanë parë librat që janë shkruajtur për këtë fushë dhe vëllimet e tyre të panumërta, cilësitë e tyre të ndryshme në varësi të shpjegimeve, disa prej tyre janë me madhësi mesatare ndërsa të tjerë janë të përmbledhur, dhe ata e kanë pohuar në mënyrë të prerë mungesën e asaj që quhet Xherh dhe Ta’dil në kohën e sotme dhe mungesën e njerëzve të kësaj diturie, ashtu siç ata kanë pohuar se njerëzit nuk kanë nevojë për asgjë nga shkenca e Xherhit dhe Ta’dilit. Dhe Allahu e di më së miri.” [1]

Imami i Xherhit dhe Ta’dili në këtë kohë, Shejkhu i nderuar Rabij' Ibn Hadi el-Medkhalij, [2] Allahu e ruajt, është pyetur:

“Disa dijetarë kanë thënë se shkenca e Xherhit dhe Ta’dilit ka qenë specifike vetëm për periudhën e transmetuesve (të hadithit), kurse tani në vitin 1420 (sipas Hixhretit) nuk ka një gjë të tillë që quhet Xherh ue Ta’dil. Kush është qëndrimi i saktë në lidhje me këtë çështje?”

Ai u përgjigj: “Betohem në Allah që kjo është tallje, kjo është nga ato gjëra që të bëjnë të qeshësh dhe të bëjnë të qash. Fjalëve të këtilla duhet t’u thuash: Kur bidati po shtohet, kufri po shtohet, Sekularistët, Komunistët, Rafidat, Sufistët dhe grupet e devijuara po shtohen, ata e pengojnë Islamin dhe njerëzve u është dhënë dorë e lirë që të bëjnë ç’tu vijë për mbarë dhe ata mund të thonë ç’tu vijë për mbarë, atëherë nuk nuk paska asnjë që të thotë se kjo është e gabuar apo kjo është e keqe, apo ndonjë që të thotë se ky është fitnexhi kurse ky është punëmirë?

Kjo është humbje dhe mungesë e kuptimit në fenë e Allahut ‘Azze ue Xhel. Kështu, Selefët shkruajtën libra rreth Akijdes dhe në këto libra ata kritikuan njerëzit e bidatit dhe devijimit duke përmendur emrat e tyre, qofshin individë dhe grupe; atëherë a ka marrë fund edhe kjo poashtu?

Dhe ne themi: vërtet bidatçijtë që ishin në kohën e Selefëve qenë kundërshtuar dhe kritikuar dhe devijimi i tyre ishte bërë i qartë, kurse tani nuk qenka e lejuar, qenka harram... tani të flasësh kundër njerëzve të bidatit qenka harram dhe fjalët kundër sekularistëve janë harram, fjalët kundër heretikëve qenkan harram, fjalët kundër Rafidave qenkan harram dhe fjalët kundër Sufive qenkan harram? Masha`Allah, a mos është kjo një thirrje për bashkimin e të gjitha feve apo çfarë? Allahu na faltë dhe tek Ai pendohemi. Ky është devijim! Është obligim që Xherhi dhe Ta’dili të mbeten për të mbrojtur fenë e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Allahut deri në Ditën e Gjykimit. Dhe të zhvishet shpata më shumë se kaq, me qëllim që fjala e Allahut Tebarake ue Te’ala të jetë më e larta dhe për t’u mbrojtur nga kufri dhe e pavërteta.

Selefët thonin, “Vërtet, të mbrosh Sunetin është më mirë sesa të luftosh me shpatë (në Xhihad)” dhe mbrojtja e Sunetit bëhet me Xherh dhe Ta’dil.

Dhe duke qenë në përputhje me këtë, unë po ju them: vërtet, Hakimi (Ebu ‘Abdullah Muhamed Ibn ‘Abdullah el-Hakim en-Nisaburi), Allahu e mëshiroftë, në librin e tij ‘Dija e shkencës së hadithit’ ka thënë - dhe fjalët e tij janë të vërteta: ‘Xherhi dhe Ta’dili janë dy shkenca’; dhe shkenca e Xherhit është një shkencë më vete dhe kjo refuzon menhexhin e pabazë të përmendjes së të mirës bashkë me të keqen (el-Muwazanat). Shkenca e Xherhit është një shkencë më vete dhe prandaj shumë nga Imamët kanë shkruajtur libra që përmbajnë vetëm Xherh. Ata i shkruajtën enkas këta libra vetëm për Xherh, siç bëri Bukhariu në librin e tij rreth transmetuesve të dobët ‘Kitab ed-Du’afa’ dhe Nesaiu në librin e tij ‘el-Metrukin’ (transmetuesit e braktisur). Edhe Ibn Hibbani në librin e tij ‘el-Mexhruhin’ dhe Ibn ‘Adij në librin e tij ‘el-Kamil’. Dhe në të njëjtën mënyrë edhe Dhehebiu, Ibn Haxheri dhe të tjerë kanë shkruajtur libra specifikë për fushën e kriticizmit sepse ajo është një shkencë më vete. Dhe kjo shkencë e këput në mes menhexhin e muwazanatit [4] dhe ua thyen shpinën njerëzve që ndjekin këtë menhexh.

Edhe autorë të tjerë kanë shkruajtur libra rreth transmetuesve të besueshëm, siç janë transmetuesit e besueshëm nga el-‘Ixhli dhe transmetuesit e besueshëm nga Ibn Hibbani. A e kuptuat këtë? Nëse Selefët besuan se Xherhi dhe Ta’dili ishin dy shkenca të mëvetësishme, atëherë si mundet të përmendet e mira bashkë me të keqen. Ndonjëri prej tyre shkruante libër të veçantë me kriticizëm dhe në të nuk ka vend përmendja e të mirës përkrah të keqes. A e kuptuar këtë? Allahu ju bekoftë.

Xherhi dhe Ta’dili do mbetet deri në Ditën e Gjykimit. Kështu që, kur njerëzit duan të përfitojnë nga ky dijetar ne themi: Ky dijetar është në Sunet, duke dhënë tezkije për të. Allahu ju bekoftë. Kurse ky dijetar është Rafidi, ky tjetri është Sufi, i cili thotë se Allahu dhe gjithësia janë një (el-Uadetul-Wuxhud), ky tjetri është sekularist, ky tjetri është komunist që fshihet pas Islamit, ky tjetri është kështu... e kështu me rradhë.

Është obligim për ju që ta bëni të qartë këtë çështje. Ky është një obligim dhe është prej Xhihadit që nuk ka për të pushuar dhe që nuk është i veçantë vetëm për transmetuesit (e hadithit).

Dhe kur Tirmidhiu përmendi në ‘el-Ile’ atë që është në fund të ‘Sunenit’ të tij, ai tha se kjo dituri, dm.th. që njerëzit po dënonin Dijetarët që kritikojnë hadithin, ai tha: “Sigurisht, filani është kritikuar, filani ka kritikuar Ma’bad el-Xhuhejnin dhe filani ka kritikuar Xhabir el-Xhafin.” Prandaj, ai filloi me njerëzit e bidatit. Përse? Sepse kjo ishte për të kritikuar bidatin e tij e jo ngaqë ai ishte transmetues.

Pastaj Selefët shkruajtën libra për të refuzuar njerëzit e bidatit siç përmendëm më parë dhe ata nuk e specifikuan Xherhin dhe Ta’dilin vetëm për transmetuesit e hadithit. Bidatçiu nuk është asnjëherë nga Ehlul-Hadithi. Ai që është Mu’tezil, Xhehmi, Murrxhi’ dhe pjesa tjetër e bidaçtijve nuk kanë lidhje me transmetuesit e hadithit, por ata janë bidatçij, kështu që u kritikuan.

Atëherë nga e nxorrën ata që dera e Xherhit dhe Ta’dilit është mbyllur? Kjo është njësoj si thirrja e atyre që janë të verbër karshi medh’hebeve. Ata thonë se dera e Ixhtihadit është mbyllur që në brezin e dytë, disa prej tyre thonë që në brezin e tretë dhe disa prej tyre thonë që në brezin e katër, që do të thotë se ai ka mbaruar. Allahu ‘Azze ue Xhel i paralizoi mendjet e Muslimanëve që nga ajo kohë e deri më sot, mendjet e tyre janë të paralizuara dhe ata nuk janë të aftë që të kuptojnë fjalët e Allahut dhe fjalët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Ky gjykim nuk është i drejtë, por është një gënjeshtër ndaj Allahut Tebarake ue Te’ala.

Dhe po kështu, e njëjtë me të është edhe shpifja e atij që thotë se Xherhi dhe Ta’dili ka mbaruar dhe dyert e tij janë mbyllur tashmë. Ky - betohem në Allah - është një krim ndaj Islamit. Kijeni frikë Allahun o ju vëllezërit e mi dhe mos e bllokoni derën e Xherhit dhe Ta’dilit ngase njerëzit e Hakut dhe njerëzit e Sunetit nuk do ua vënë veshin.”

 

Fundnota:
[1] Shkëputur nga libri i tij ‘el-Exhuibetus-Sedide ‘ala el-Es’iletir-Rashide’ (fq. 44-49).
[2] Është e rëndësishme që të kihet parasysh fakti që Shejkh Rabij' el-Medkhalij e hedh poshtë këtë emërtim ‘Imami i Xherhit dhe Ta’dilit’ dhe e distancon veten e tij nga ky titull. Por, ne e cilësojmë këtë Dijetar të nderuar si Imamin e shkencës së Xherhit dhe Ta’dilit në bazë të deklaratës së Muhadithit më të madh të kësaj kohe, Imami i Umetit, Muhamed Nasirud-Din el-Albani (rahimehullah), i cili ka thënë: “Me të vërtetë Mbajtësi i Flamurit të Xherhit dhe Ta’dilit sot, në kohën e tashme - dhe me Hak - është vëllai ynë Doktor Rabij', kurse ata që e refuzojnë atë nuk e refuzojnë duke qenë të bazuar në dije, kurrë! Përkundrazi, dija është me të.” Poashtu, dijetari i madh nga Egjipti, Shejkh Muhamed Ibn ‘Abdul-Uehab Merzuk el-Bena ka thënë: “Shejkh Rabij' është Jahja Ibn Me’ini i kohës sonë!” Dhe në të vërtetë Jahja Ibn Me’in ka qenë Imami i Xherhit dhe Ta’dilit në kohën e Imam Ahmedit. Poashtu, këtë e kanë pranuar madje edhe disa nga pasuesit e epsheve që më herët janë njohur si Selefijinë, të tillë si Ebul-Hasen el-Maribi, Usama el-Kusi, Falih el-Harbi, Feuzi el-Etheri... etj.
[3] Shiko: [www.rabee.net/show_fatwa.aspx?id=128]
[4] Menhexhi i Muwazanatit konsiston në obligueshmërinë e përmendjes së anëve pozitive të një personi kur kritikohen anët negative të tij. Këtë menhexh Ulematë e kanë quajtur ‘Bidati i Kohës’. Fillimisht ai u kultivua mes rradhëve të sektit ‘el-Ikhuanul-Muslimin’ nga Hasan el-Bena dhe më vonë u infiltrua edhe mes rradhëve të Ehli-Sunetit nga persona si ‘Abdur-Rrahman ‘Abdul-Khalik, Selman el-‘Aude etj.

Imam el-Albani (rahimehullah) është pyetur për këtë menhexh të ri: “Allahu ju ruajt o Shejkhu ynë. Ata përdorin si argument disa thënie, si për shembull thëniet e dijetarëve tanë për Shijat, si ‘Filani është thikat (i besueshëm) në hadith, por është Rafidi i ndyrë’. Ata i përdorin thënie të tilla si argument. Dhe pastaj duan të ngrejnë mbi këtë një rregull të plotë mbi ata (që kritikohen) pa marrë parasysh me mijëra deklarata të tjera ku thuhet, ‘Gënjeshtar’, ‘i Braktisur’, ‘i Ndyrë’.”

Imam el-Albani u përgjigj: “Kjo është rruga e Bidatçijve. Kur një dijetar i hadithit flet për një njeri të mirë i cili është dijetar dhe fekih, duke thënë për të, “Ai ka kujtesë të dobët” a thotë ai poashtu, “Ai është Musliman, njeri i mirë dhe fekih dhe tek ai duhet të kthehesh për çështjet e nxjerrjes së argumenteve për gjykimet Sheriatike”? Allahu Ekber! E vërteta është se rregulli i lartpërmendur është shumë i rëndësishëm [por] ai përfshin një numër çështjesh dytësore shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me kohën tonë. Prej nga e nxorrën ata këtë se kur del nevoja për të shpjeguar gabimet e një Muslimani - qoftë ai davetçi apo jo - është i domosdoshëm një leksion kur të përmenden që nga fillimi e deri në fund veprat e tij të mira? Allahu Ekber! Gjë e çuditshme! Pasha Allahun! Gjë e çuditshme!” [Shkëputur nga kaseta numër 850 e serisë së titulluar, ‘Silsiletul-Huda uen-Nur’]

 

Përktheu: Alban Malaj