Autor: Shejkh Salih el-Feuzan
Burimi: el-Ixhabetul-Muhimmeh (vëll. 1, fq. 144-145)
Merr të mirën që kanë bidatçijtë dhe lëre të keqen e tyre !
Pyetje: Kur japim këshillë kundër një dijetari të keq atyre që merren me edukimin e të rinjve, ata thonë: “Merr të mirën e tyre dhe lër atë që është e keqe.” A është e saktë kjo?
Përgjigje: Lavdi Allahut ka Dijetarë të Sunetit dhe që janë të drejtë. Allahu i Lartëmadhëruar nuk ju ka lënë që të keni nevojë për dijetarët e këqinj dhe librat e devijimit, ndërkohë që ne kemi libra të saktë. Andaj, ne mbahemi pas këtyre çështjeve, ne nuk shkojmë as tek dijetarët e devijimit, as tek bidatçijtë dhe as tek librat që janë të përzier (me të pavërtetën). Dhe lavdia i takon Allahut, ne kemi libra dhe dijetarë të pastër e të mirë, andaj ne mbahemi pas dijetarëve dhe librave të saktë.
Ai është bidatçi, mirëpo ai ka të mira në këtë fushë !
Pyetje: Çfarë gjykimi ka ai i cili mbron një njeri të bidatit dhe thotë, “(Ky person) ka vepra të mira dhe i ka shërbyer Islamit në këtë fushë” ngase këto fjalë janë përhapur mjaft tek disa davetçinj. Çfarë gjykimi ka kjo?
Përgjigje: Ne sqarojmë gabimin me qëllim që njerëzit të rrijnë larg prej tij. Kurse sa i përket veprave të mira, atëherë kjo është tek Allahu, ne nuk kemi dije për të. Sido që të jenë veprat e tij të mira, ato nuk do të humbasin nga Allahu, kurse ne nuk jemi peshore në të cilën peshohen veprat e mira e të këqija. Veprat e mira e të këqija kanë peshoren e tyre në Ditën e Gjykimit tek Allahu i Lartësuar.
Qëllimi ynë nuk është që të ulim individin, por qëllimi ynë është që të sqarojmë të vërtetën dhe të nxjerrim në shesh gabimet që njerëzit të mos bien në to. Ndërsa (sa u përket çështjeve private të personit), ne nuk hyjmë në to. Nëse ai ka vepra të mira, atëherë veprat e tij të mira nuk do të humbasin nga Allahu. Ne as nuk flasim për veprat e tij të mira dhe as nuk themi që ai nuk ka vepra të mira. Allahu është më i ditur për veprat e tij të mira, kurse qëllimi ynë është që të sqarojmë gabimet, në mënyrë që njerëzit të mos anojnë nga ato...
Përktheu Alban Malaj