Autor: Shejkh Salih el-Feuzan
Burimi: Sherh Mesa`ilil-Xhahilijjeh li Shejkhul-Islam el-Muxhedid esh-Shejkh Muhamed Ibn ‘Abdul-Uehab fq. (279-280) – Shpjegimi i Aspekteve të Xhahilijetit nga Shejkhul-Islam Muhamed Ibn ‘Abdul-Uehab, libër i cili do të publikohet së shpejti me lejen e Allahut të Lartësuar
Aspekti n. 113: Veshja e të vërtetës me të pavërtetën.
Shpjegimi: Prej zakoneve të mosbesimtarëve, njerëzve të Xhahilijetit, Çifutëve, Kristianëve etj, ishte: Veshja e të vërtetës me të pavërtetën, dhe veshja është përzierja. Pra, ata e përziejnë të vërtetën me të pavërtetën, në mënyrë që të përhapnin të pavërtetën, sepse nëse e pavërteta është e vetme, atë nuk e pranon askush. Por, nëse ajo vishet me të vërtetën, atëherë besimtarët e papërvojë dhe ata që kanë shkurtpamësi do ta pranojnë dhe do të thonë: “Këtu qenka e vërteta!” Kështu do ta pranojnë të tërën. Sikur ata të pranonin vetëm të vërtetën dhe të refuzonin të pavërtetën kjo do të ishte e mirë, por nëse e pranojnë atë të tërën, atëherë kjo është gabim. Prandaj, detyra e njerëzve që kanë largpamësi dhe atyre që kanë logjikë të shëndoshë është të mos i pranojnë gjërat menjëherë sapo dalin, por duhet t’i shqyrtojnë e t’i vënë në provë, pastaj të pranojnë atë që është e vërtetë në to dhe të refuzojnë atë që është e pavërtetë.
Kështu, mosbesimtarët mund ta përmendin të vërtetën jo ngaqë e dëshirojnë dhe e duan të vërtetën, por e përmendin atë që të përhapin të pavërtetën në këtë mënyrë. Prandaj është detyrë të qënurit i vëmendshëm në këtë çështje, që është dallimi i gjërave dhe mosngutja në pranimin e tyre ngaqë ajo shfaqet me shkëlqimin e të vërtetës, deri sa ta vënë në provë dhe ta verifikojnë, pastaj merret prej tyre ajo që është e vërtetë dhe refuzohet e pavërteta e tyre. Dhe në të vërtetë këtë e bëjnë njerëzit e dijes dhe largpamësisë, kurse njerëzit e thjeshtë dhe injorantët dhe ata që kanë shkurtpamësi mashtrohen nga të tilla çështje dhe janë të padallueshme nga ata. Mirëpo detyra e tyre është që të pyesin njerëzit e dijes dhe të këshillohen me ata që i verifikojnë ato çështje përpara se t’i pranojnë, në mënyrë që të jenë të ruajtur nga maskimi.