Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz bin Baz
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/node/16170
Pyetje: Ç’gjykim ka imamllëku i gruas në sheriatin Islamik? Dhe cili është argumenti nga Kur`ani dhe Suneti apo nga ixhtihadi i Katër Imamëve?
Përgjigje: Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Allahu dhëntë lavdërime dhe paqe për të Dërguarin e Allahut, si dhe për Familjen e tij, për Shokët e tij dhe për të gjithë ata që ndoqën udhëzimin e tij. E më pas:
Nuk ka problem që gruaja t’u prijë grave të tjera në namaz, kjo s’ka gjë të keqe, lejohet, madje është e pëlqyshme kur është e nevojshme si mësim dhe udhëzim. Ato i përfshin fjala e të Dërguarit - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -:
يؤم القوم أقرؤهم لكتاب الله، فإن كانوا في القراءة سواء فأعلمهم بالسنة، فإن كانوا بالسنة سواءٌ فأقدمهم هجرة
“Njerëzit i prin në namaz ai që di më shumë nga Libri i Allahut. E nëse dinë njësoj, atëherë ai që është më i ditur për Sunetin. E nëse dinë njësoj, atëherë ai që e ka bërë hixhretin më përpara…” [Hadithi i njohur]
Ka ardhur në transmetim të saktë se ‘Aishah dhe Ummu Selemeh dilnin imame kur faleshin me disa. Kështu që, nëse gruas që di Kur`an dhe di nga feja, nëse i bëhet e lehtë që të bëhet imame për gratë e shtëpisë së saj apo kur mblidhen disa motra tek ajo dhe u del imame në namaz, atëherë kjo e gjitha është e mirë dhe në të ka dobi. Është transmetuar nga Umm Uerakah – radij-Allahu ‘anha – se ajo dilte imame për gratë e shtëpisë së saj.
Kështu që, konkluzioni është që imamllëku i gruas për gratë e tjera s’ka problem dhe s’ka gjë të keqe, madje është i pëlqyeshëm, nëse kjo është e nevojshme, që të bëhet imame ajo që ka dije dhe kuptim të saktë të fesë, në mënyrë që t’i mësojë motrat e saj dhe t’u japë kuptimin e saktë, si dhe që ta ndjekin namazin e saj kur këndon Kur`anin, kur bën rukunë, kur bën sexhden, kur ulet mes dy sexhdeve, kur ngrihet mbas rukusë etj., pra që gjithë kjo u bën dobi grave ashtu siç u bën dobi edhe burrave.
Autor: Shejkh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
Burimi: http://binothaimeen.net/content/12296
Pyetje: A lejohet imamllëku në namaz për gratë? Cili është argumenti dhe cili është gjykimi nëse ajo falet me një grup prej grave?
Përgjigje: Po, namazi i gruas me gratë s’ka problem dhe s’ka gjë të keqe në të. E ndaluar është që ajo të falet (imame) me burrat, sepse gruaja nuk mund të jetë imame për burrat, ngaqë burrat janë drejtuesit e grave, dhe imami është drejtues për ata që janë mbas tij, prandaj ajo s’mund të jetë imame për burrat. Kurse me gratë po, bëhet imame. Dijetarët – Allahu i mëshiroftë – kanë mospajtim në lidhje me çështjen se a është sunet që gratë të falen me xhemat të ndara nga burrat apo nuk është sunet, dhe ka dy fjalë për këtë çështje. Mirëpo nëse ato falen si xhemat e kanë detyrë që të rreshtohen në saf ashtu siç rreshtohen burrat, dhe nuk i lejohet gruas që të falet e vetme mbrapa safit të grave, nëse ka vend në saf. Atyre u kërkohet që të bashkohen dhe të drejtojnë safin dhe të plotësojnë safin që nga fillimi, njësoj si burrat. Kurse gruaja që falet e vetme me burrat jo, porse ajo bën saf më vete (mbas burrave), sepse nuk ka vend për gruan në safin e burrave. Po.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Alban Malaj