Autor: Shejkh Sulejman er-Ruhajlij
Pyetja thotë: A lejohet aborti i fëmijës së deformuar, (deformim) i cili është i sigurtë se shkakton vdekje?
Përgjigje: Aborti i fetusit ka tre raste:
Rasti i parë: Kur ai është para dyzetë ditëve. Në këtë rast lejohet aborti i tij nga nevoja. Për shembull, si në rastin kur gruaja pi ilaçe të cilat nuk bën t’i marrësh gjatë shtatzënisë apo gjëra të këtij lloji. Kështu që, lejohet heqja e fetusit para dyzetë ditëve, nga nevoja, dhe nuk lejohet nëse nuk është e nevojshme.
Rasti i dytë: Kur është mbas dyzetë ditëve dhe para se t’i vijë shpirti, përpara se të bëjë katër muaj. Në këtë rast lejohet aborti nga domosdoshmëria (li darurah). Dhe kjo bëhet nëse thonë tre a më shumë mjekë të besueshëm se qëndrimi i tij në barkun e nënës është me rrezik; ata anojnë më shumë nga ky mendim, kur ai nuk i ka bërë akoma katër muaj, kështu që lejohet aborti i tij nga domosdoshmëria.
Rasti i tretë: Kur është pasi që i ka ardhur shpirti. Në këtë rast nuk lejohet aborti i tij për asnjë lloj arsyeje, as për shkak të deformimit të tij. Pra, edhe nëse mjekët thonë se është i deformuar, ai duhet të lihet të jetojë aq sa do Allahu të jetojë. Familja e tij (fëmijës) nuk e dinë që kujdesi i tyre për këtë të sëmurë të deformuar është sebep për hyrjen e tyre në xhenet. Apo nëse (mjekët) thonë se kihet frikë për nënën se mos vdes, sepse duke e nxjerrë atë nga barku i nënës është e sigurtë që ai do të vdesë dhe duke qëndruar në barkun e nënës, shkakton vdekjen e saj, me hamendje, dhe asnjë nuk mund ta thotë me bindje dhe siguri se nëna do të vdesë. Sa herë ka ndodhur që mjekët kanë thënë se ka rrezik dhe nuk ka ndodhur asgjë. Nuk lejohet bërja e një dëmi të sigurtë (që do të ndodhë) për të shmangur një dëm të supozuar (që s’është e sigurtë që do të ndodhë). Por, nëse mjekët kanë mundësi që ta nxjerrin fëmijën të gjallë dhe ta vendosin në inkubator, që të plotësojë ato ditë që i kanë ngelur, si për shembull nëse është në muajin e shtatë dhe mjekët thonë se mund t’i bëjmë operacion që ta nxjerrim atë dhe ta vendosim në inkubator dhe të qëndrojë derisa të plotësojë ditët, dhe kështu bashkojmë midis dy dobive, atëherë lejohet. Ama, të tjera përveç këtyre nuk lejohen. Dhe nuk lejohet që të lësh në jetë një njeri duke vdekur tjetrin. Dhe nuk lejohet të vritet një njeri për shkak të diçkaje që është e sigurtë që do të ndodhë, nga frika e vdekjes së një njeriu, bazuar në hamendësime.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Umm ‘Akil