Autor: Shejkh Muhamed bin Salim Bazmul
Burimi: Shpjegim i “Kitabu Nikah (Libri i Martesës)” nga libri “ed-Durerul Behijjeh fi Mesail el-Fikhijeh” të Sheukanit, mexhlisi i parë, min. 16:19.
Çështja e pestë:
Cilat janë tiparet e preferuara që burri duhet t’i kërkojë te një grua, nëse dëshiron të martohet me të?
Autori (Sheukanij) – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Gruaja duhet të jetë e dashur, të lind shumë fëmijë, të jetë virgjëreshë, të jetë e bukur, të ketë pozitë, të jetë fetare dhe të ketë pasuri.”
Them:
Fjala e autorit “e dashur” do të thotë: t’i shfaqë dashuri burrit të saj dhe të jetë e dashur me të; gruaja të përkujdeset dhe të përzgjedhë fjalët që ai i pëlqen dhe t’ia thotë atij. Ajo interesohet që të ketë stolitë me të cilat afrohet te burri dhe bëhet më e dashur për të, kështu zbukurohet me to për burrin e saj. Ajo interesohet që gatimi, shtëpia dhe edukimi, të jenë në përputhje me shijet e burrit dhe kështu bën atë që do burri.
Kjo është prej dashurisë, pra prej shfaqjes së dashurisë. Pra, ajo shfaq dashuri për burrin e saj me ato gjëra që e kënaqin atë. Kur burri e shikon gruan e tij, lumturohet dhe gëzohet. Pra, ajo është e dashur në fjalë, në veten e saj dhe me shakatë që bën me të.
Fjala e autorit “që lind fëmijë” do të thotë: që lind shumë fëmijë. Si e kupton që kjo grua do të lind shumë fëmijë? Dijetarët kanë thënë: duke e shikuar nënën e saj, tezet e saja, motrat e saja dhe të afërmet e saja që janë martuar. Përmes kësaj ti e kupton që ajo – me lejen e Allahut – do të jetë sikur ato. Pra, grua që lind shumë fëmijë.
Faja e autorit “të jetë virgjëreshë” do të thotë virgjëreshë është ajo e cila nuk është martuar më përpara. Pra, gruaja që nuk është martuar është virgjëreshë. Me fjalën “martesë” është për qëllim që të jetë bërë një akt i vlefshëm martese.
Fjala e autorit “të jetë e bukur, të ketë pozitë, të jetë fetare dhe të ketë pasuri”.
Me fjalën “pozitë” është për qëllim prejardhja. Pra, që ajo të ketë një pozitë në mesin e njerëzve dhe popullit të saj; që ka një prejardhje të mirë. Fetaria dhe pasuria janë të njohura se çfarë është për qëllim me to.
Cili është argumenti për këtë çështje? Sa i përket fjalës së autorit “gruaja duhet të jetë e dashur dhe që lind shumë fëmijë,” ka ardhur nga i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ka thënë:
“Martoni gratë që janë të dashura dhe që lindin shumë.”
Po ashtu ka thënë:
“Martohuni, lindni shumë fëmijë dhe shtohuni, sepse unë do të krenohem me ju para popujve Ditën e Gjykimit.”
Ky hadith është tekst që gruaja preferohet të jetë e dashur dhe që lind shumë fëmijë.
Fjala e autorit “të jetë virgjëreshë” argument për këtë është se kur të Dërguarit – sal-Allahu ‘alejhi ue sel-lem – i treguan se Xhabir bin Abdullah është martuar me një grua që ka qenë e martuar më parë, i tha atij:
“Sikur të kishte martuar një virgjëreshë, që ti të dëfrehesh me të dhe ajo të dëfrehet me ty.”
Pra, ai e nxiti të martohet me grua të virgjër. Po ashtu, është transmetuar nga i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ka thënë:
“Martoni virgjëreshat! Sepse ato lindin shumë dhe janë fjalëpakë e gojëmbël.”
Ky hadith dhe ai tjetri para këtij, tregojnë se gruaja preferohet të jetë virgjëreshë. Ky hadith nuk ka kuptimin se gruaja jo e virgjër s’duhet të martohet. Jo, nuk është kështu! Sepse gratë e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – të gjitha kanë qenë të martuara më përpara përveç Aishes – radijAllahu ‘anha. Allahu u dha përparësi grave të martuara përpara virgjëreshave. Gratë e Sahabëve shumica kanë qenë të martuara më përpara. Njeriu zgjedh për grua atë që është më e mirë dhe më lehtë për nevojën dhe gjendjen e tij. Sepse i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kur e pyeti Xhabirin se pse je martuar më një grua që ka qenë e martuar më parë dhe nuk ke martuar një virgjëreshë, Xhabiri tha: “Babai im ka vdekur dhe më ka lënë motra të vogla në moshë, dhe unë kam nevojë për dikë që të kujdeset për to.”
Kështu i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ia aprovoi atë vepër. Pra, hadithi që flet për nxitjen e martesës me virgjëreshë, thjesht tregon se nëse burri nuk e detyrojnë rrethanat dhe nevojat për të martuar një grua që ka qenë e martuar më përpara, atëherë le të martohet me virgjëreshë.
Fjala e autorit “të ketë bukuri, të jetë fetare, të ketë pozitë dhe të ketë pasuri” këto janë marrë nga disa hadithe.
Kurse fjala e tij “ajo që ka bukuri” argument për këtë është fjala e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
“Nëse burri e shikon atë, kënaqet dhe ndjehet i lumtur.”
Gëzimi i burrit kur shikon gruan së pari është për shkak të bukurisë së fytyrës së saj dhe bukurisë së paraqitjes së saj. Kjo në përgjithësi është argument që ta kërkosh atë grua që ka bukuri. Sepse qëllimi i martesës është mbrojtja e vetes nga epshet. Pra, nëse burri martohet me një grua që nuk është shumë e bukur, ka mundësi që ajo të mos jetë mbrojtje për veten e tij.
Është transmetuar nga Imam Ahmed ibn Hanbel se ka thënë: “Gjëja e parë që duhet të bëjë ai që do të martohet është që të pyes për bukurinë e gruas. Nëse i pëlqen bukuria e saj, të pyes për fenë e saj. Nëse e pëlqen atë, e pranon e nëse nuk e pëlqen, e refuzon atë. Kështu, pranimi ose refuzimi i tij bëhet për shkak të fesë.”
Të rinjtë e sotshëm e bëjnë të kundërtën. Gjëja e parë për të cilën pyet është feja e saj. Nëse i thonë se ajo ka fetarizëm, falet, agjëron, e të tjera, pastaj pyet për bukurinë e saj, ata i thonë: “Pasha Allahun, ajo është nuk është aq e bukur.” Si rrjedhojë, ai heq dorë prej saj. Kështu që pranimi dhe refuzimi i tij bëhet për shkak të bukurisë. Jo!
Imam Ahmedi i mësonte njerëzit se kjo çështje nuk qëndron kështu. Së pari pyet për bukurinë, sepse bukuria është gjë e kërkuar. Pyet për bukurinë! Nëse të mahnit bukuria e saj, pastaj pyet për fenë e saj. Nëse të pëlqen feja e saj, e marton atë, e nëse nuk të pëlqen feja e saj, e refuzon atë. Kështu i bie që e ke pranuar për hir të fesë dhe e ke refuzuar për hir të fesë. A e keni të qartë?
Kjo gjë që transmetohet nga Imam Ahmedi tregon se bukuria është gjë e kërkuar dhe vet natyrshmëria e njeriut e kërkon një gjë të tillë.
Por, tek kjo çështje po bëj disa vërejtje:
[1] Vërejtja e parë: Bukuria e tepërt mund të bëhet pengesë për të riun në adhurimin, punën dhe jetën e tij. Kjo bukuri e tepërt, do ta bëjë atë që ta përqendrojë vëmendjen vetëm te ajo. Kjo është ajo që është transmetuar nga Ebu Bekër es-Siddiku – radijAllahu ‘anhu – ose nga Umer ibën Khattab – radijAllahu ‘anhu – se ai e urdhëroi njërin nga bijtë e tij që ta ndajë gruan e tij, sepse ajo e kishte bërë atë që të përqendrojë vëmendjen vetëm tek ajo për shkak të bukurisë së saj. Djali, në këtë rast, nuk do tjetër gjë vetëm se të rri pranë saj. Nuk i ndahet asaj. Nuk lëviz as andej e as këndej. Çfarë do ky? Do vetëm atë. Kur babai pa gjendjen e të birit, urdhëroi që ta ndante atë grua, sepse ai pati frikë për fenë e djalit të tij nga ajo. Ngaqë ajo ishte e bukur dhe bukuria e saj e hutonte atë.
Nga kjo mësojmë se ajo që kërkohet në lidhje me bukurinë është që ti të mos e teprosh, si zakonisht ne sot – o ju të rinj – në këtë kohë, në të cilën janë shtuar kanalet ku shfaqen gocat që kanë pamje të bukur, si rrjedhojë, ky i ri e ngulit në veten e tij një paraqitje të një goce si kjo dhe kërkon një grua si ajo. Kjo është gabim dhe nuk duhet bërë.
Ajo që duhet të bëjë i riu është që të kërkojë një grua të bukur. Pra të bukur. Jo që të jetë e neveritshme dhe as e shëmtuar; as të jetë e verbër në njërin sy apo e shëmtuar në fytyrë. Të jetë një grua tamam. Në lidhje me këtë pikë, njeriu duhet patjetër t’i kushtojë vëmendje kësaj: kur dijetarët përmendin bukurinë, nuk është për qëllim që burri të kërkojë atë bukuri e cila të bën të përqendrohesh vetëm tek ajo ose ajo bukuri nga e cila njeriu privohet nga adhurimi i tij.
[2] Vërejtja e dytë të cilën po e theksoj në lidhje me temën e bukurisë:
Ata që kanë përvojë dhe i njohin gratë, thonë: “Pasha Allahun! Përmes bashkëjetesës dhe marrëdhënieve të mira, ndryshon çdo gjë.” Si kështu? Njëri prej tyre tregon dhe thotë:
“U martova me një grua tepër të bukur, por kur filloi bashkëjetesa me të dhe e pashë se asaj i pëlqente vetja dhe ishte mendjemadhe dhe nuk i bënte punët e shtëpisë siç duhet, nuk sillej mirë me mua, nuk dëgjoja fjalë të mira që të më pëlqenin, fillova ta urrej atë. Me gjithë bukurinë që kishte, kur e shikoja ndjeja një urrejtje për të.”
Ky njeri tregon më tej dhe thotë:
“Nuk ndjeja kënaqësi martese dhe lumturi bashkëshortore; nuk ndjeja kënaqësinë e të qenurit burrë dhe ajo grua, vetëm se atëherë kur e shkurorëzova dhe u martova me një tjetër, që ishte më pak e bukur se ajo, madje bukuria e saj ishte mesatare. Pasi u martova me këtë, ndjeja një rehati dhe qetësi që e ka përmendur Kur’ani për marrëdhënien që duhet të jetë midis burrit dhe gruas së tij.
[3] Vërejtja e tretë të cilën dua ta theksoj është:
Bukuria e vërtetë është bukuria e mirësjelljes, moralit të mirë dhe marrëdhënieve të mira midis gruas dhe burrit. Nëse njeriu martohet me një grua që ka bukuri normale, kjo gjë me lejen e Allahut – duke ia bashkangjitur edhe mirësjelljen dhe marrëdhënien e mirë – kur ai ta shikojë atë, do t’ia kënaq shpirtin.
Ai personi që kishte grua të bukur, thotë se pas një kohe, kur e shikoja atë, ndjeja një pakënaqësi dhe mllef ndaj saj. Nuk më bëhej shpirti rehat. Nuk isha rehat.
Andaj, bukuria e vërtetë që njeriu duhet ta kërkojë është bukuria e moralit dhe fesë, duke e kërkuar atë bukuri që është e zakonshme, të mos e teprojë dhe të mos mashtrohet me fotot që shikon (nëpër media) dhe të kërkojë grua ashtu siç janë në foto, sepse kjo gjë bie ndesh me Sheriatin.
Bile njëri nga Selefët (ta parët e devotshëm) e urdhëroi djalin e tij që ta ndajë gruan e tij sepse kishte vërejtur se djali ishte hutuar mbas bukurisë së saj. Nëse hutohet me bukurinë e saj, atëherë mori fund çdo gjë; ai s’do të punojë, nuk do të shkojë në xhihad në kohën kur ka xhihad. Ç’e do babai një nuse të tillë për djalin e vet! A e keni të qartë?
Andaj, ne themi: ajo që kihet për qëllim me bukurinë është bukuria e zakonshme dhe normale. Që do të thotë: gruaja të mos ketë të meta. Nëse gruaja ka trup dhe fytyrë të bukur, nga ana tjetër ka sjellje të keqe, burri ikën prej saj.
Pastaj, kini mendjen tek pika e tretë: cila është bukuria që mbetet te njeriu? A është bukuria e rrudhave dhe fytyrës apo bukuria e moralit dhe sjelljes së mirë? Kjo është ajo që mbetet: bukuria e moralit dhe sjelljes së mirë.
Pra, gruaja duhet t’u kushtojë vëmendje këtyre gjërave.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari